Policia: Situata në veri është e brishtë – pikat kufitare Jarinje dhe Bërnajk edhe sot janë të mbyllura

Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim sa i përket situatën në veri të Kosovës, ku rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara shkaku i barrikadave të vendosura nga serbët.

Policia ka thënë se bllokimi i rrugëve nga grupe kriminale në veri të vendit, sulmet me armë zjarri e bomba çorientuese (shok bomba) ndaj Policisë së Kosovës, sulmi me shok bomba ndaj gazetarëve e ndaj patrullës vëzhguese të EULEX-it, ka tensionuar situatën në veri të vendit dhe ka pamundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave në dy pikë kalimet kufitare, Jarinje dhe Bërnjak.

“Fatmirësisht nga këto sulme nuk është evidentuar ndonjë lëndim ndaj qytetarëve apo personave zyrtar. Përderisa edhe sot vazhdojnë bllokimet e rrugëve në drejtim të dy pikë kalimeve Kufitare Jarinje dhe Bërnjak, Policia e Kosovës siç e ka bërë të ditur si masë paraprake të sigurisë ka mbyllur përkohësisht për qarkullim këto dy pika kufitare, të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe sot”, thuhet në njoftim.

PK thekson se një situatë e brishtë ka vazhduar edhe gjatë natës, e tillë vazhdon të jetë edhe sot, andaj Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare po vazhdon fuqishëm angazhimet e saja me njësitet policore, në ofrim të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar të involvuar në veprimtari kriminale.

“Njëkohësisht përmes këtij njoftimi zyrtar Policia e Kosovës, njofton opinionin publik dhe demanton disa media serbe të cilat i referohen se kinse njësitet speciale të PK-së, te Ujmani kanë ndaluar dhe maltretuar një qytetar/punonjës serb dhe kinse kanë marrë objektet në atë lokacion”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës me njësitet e saja është vendosur në rrugën kryesore që shpie në drejtim të pikës kufitare të Bërnjakut, dhe nuk është vendosur në ndonjë objekt të caktuar si dhe nuk ka maltretuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media, por vetëm ka legjitimuar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem.

“Pikërisht në këtë lokacion mbrëmë grupet kriminale në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore që kanë qenë në detyrë zyrtare, e të cilat në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës, ka ftuar mediat dhe qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave, thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS