Policia, sërish në aksion në lokalet e natës

Vetëm një javë pas aksionit të parë të madh, njësite të shumta të Policisë së Kosovës janë hedhur sërish në aksion në klubet e natës në kryeqytet.
Ndalesa e parë ka qenë në klubin e ri në kulmin e Hotelit Grand, ku policia ka kontrolluar qindra persona që gjendeshin brenda. Pasi janë kontrolluar detajisht, grupe të njerëzve janë liruar duke u zbrazur lokali.
Aksioni ka vazhduar edhe tek klubet pas Hotelit Grand. Pasi janë nxjerrë jashtë shumica e personave, pjesëtarë të maskuar të Njësisë Speciale kanë kryer brenda një kontroll të detajuar në njërin prej lokaleve aty.
Aksioni ka zgjatur disa orë pas mesnatës dhe policia pritet të dalë gjatë ditës me njoftimin për rezultatet. Forcat e rendit kanë thënë se janë në kërkim të drogës dhe armëve pa leje. /Koha/