Hidromorava

Policia në Gjilan zbardh rastin e raportuar si vjedhje automjeti, dyshohet për vetëgjyqësi

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Një rast i raportuar fillimisht si vjedhje e automjetit në Gjilan ka marrë një drejtim tjetër pas hetimeve të zhvilluara nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, më 17 qershor 2026 në Stacionin Policor në Gjilan është raportuar një rast i dyshuar i vjedhjes së një automjeti. Menjëherë pas pranimit të informacionit, hetuesit policorë të Njësisë së Hetimeve në Gjilan kanë ndërmarrë veprime intensive operative dhe hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimit të personave të përfshirë.

Nga veprimet hetimore, grumbullimi dhe analiza e provave materiale, policia ka siguruar prova të arsyeshme që tregojnë se rasti nuk përmban elemente të veprës penale “Vjedhje e rëndë”, siç ishte raportuar fillimisht.

Hidromorava

Sipas gjetjeve të deritanishme, ekziston dyshimi se në këtë rast mund të jetë kryer vepra penale e “Vetëgjyqësisë”.

Policia ka bërë të ditur se automjeti është lokalizuar dhe se janë ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale të nevojshme lidhur me rastin.

Hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe përgjegjësive eventuale që lidhen me këtë rast./rajonipress/