Fundamenti

Policia ndërmerr veprime operacionale gjatë muajve të verës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Njësia e Trafikut Rajonal në Gjilan, në vazhdën e intensifikimit të punës mbi forcimin e ligjit të sigurisë së trafikut rrugor dhe edukimin e pjesëmarrësve në komunikacion, para stinës verore, ka planifikuar ndërmarrjen e një sërë veprimesh operacionale gjatë muajve të ardhshëm.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga departamenti për hartim, zbatim dhe monitorim të politikave, për hulumtime dhe statistika, së bashku me përfaqësues të Policisë së Kosovës nga Drejtoria e Përgjithshme, sektori i drejtorisë për preventivë e zhvillim të komunikacionit rrugor dhe Komandanti i njësisë së trafikut rajonal në Gjilan, diskutuan për sensibilizimin e pjesëmarrësve dhe për kujdes të shtuar në komunikacionin rrugor.

“Edhe pse statistikat nuk flasin për një gjendje alarmante, ne jemi të përkushtuar që automjetet, t’i largojmë nga lista e shkaktarëve më të mëdhenj të vdekjeve në Kosovë” tha zyrtari i divizionit për hulumtime dhe statistika, Behar Ramadani.

Zyrtarë të këtij divizioni bënë apel tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat e trafikut dhe tu përmbahen kushteve të rrugës, për të eliminuar në masë të madhe aksidentet, e në veçanti ato me pasoja fatale.

Duke i vënë theks të veçantë sezonës së verës, të cilës po i afrohemi, me ç’rast pritet shtimi i dukshëm i prezencës së automjeteve me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë, zyrtarët e MPB-ës dhe të Policisë së Kosovës, kërkuan bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve si pjesëmarrës në komunikacion, që të respektojnë rregullat për të arritur një nivel të garantuar të sigurisë në komunikacion.

Mobi Casa

Komandanti i njësisë rajonale të policisë së trafikut rrugor të Kosovës në Gjilan, Kapiten Maliq Hajdini, konsideron se faktorët e ndryshëm infrastrukturor dhe dendësia e komunikacionit të cilat mbizotërojnë gjatë sezonës së verës,organizimet e ahengjeve dhe dasmave, pengojnë dukshëm zhvillimin normal të komunikacionit ndërsa; neglizhenca dhe mosrespektimi i këtyre rregullave nga pjesëmarrësit në komunikacion përfshirë edhe këmbësorët mund të konsiderohet ndër faktorët kryesor të vështirësimit të qarkullimit të automjeteve dhe shkaktimit të aksidenteve të cilat në shumë raste paraqiten të jenë fatale për jetën e qytetarëve.

Kapiten Maliq Hajdini, dhe kapiten Jeton Rexhepi, theksuan se është shumë e nevojshme që zyrtarët policor të trafikut rrugor të shtojnë aktivitetet e tyre për menaxhimin sa më profesional të trafikut dhe ndërmarrjen e masave operacionale për identifikimin dhe evitimin e të gjitha pengesave eventuale të cilat kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve dhe ngritjen e sigurisë në komunikacion.

Nga hulumtimet e bëra ata thanë se është gjet se këtë vit fatkeqësisht numri i aksidenteve me fatalitet kryesisht viktima janë këmbësorët ose drejtuesit e motoçikletave.

“Policia e Kosovës, apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të bashkëpunojnë me zbatuesit e ligjit, duke respektuar rregullat e trafikut rrugor me qëllim të shmangies së sanksioneve të cilat policia është e obliguar me ligj për të ndërmarrë për të ndikuar në parandalimin dhe reduktimin e aksidenteve në trafik përmes masave preventive. Pjesëmarrës në trafik, duke u kujdesur për veten, ju kujdeseni për të tjerët!”, ka thënë nga e tij, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan./rajonipress/