UBT

Policia ka arrestuar 10 protestues: Ky është raporti për ngjarjet në Kuvend më 23 dhe 24 tetor!

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Policia e Kosovës, përmes një kumtese për shtyp thotë se ende pa filluar seanca e Kuvendit të Kosovës ditën e premte, e paralajmëruar të fillojë në ora 16:00, në hapësirën e Kuvendit, në korridor pranë zyrës së kryeparlamentarit Kadri Veseli, nga një deputet është hedhur një mjet i cili dyshohet se ishte gaz lotsjellës.
Zyrtarët policorë, sipas njoftimit, kanë arrit të identifikojnë deputetin që dyshohet për hedhjen e mjetit të dyshuar dhe menjëherë kanë reaguar duke larguar mjetin e dyshuar nga ambienti i Kuvendit të Kosovës.

“Po ashtu, pas hyrjes së deputetëve në sallën e Kuvendit të Kosovës, në momentin e përgatitjes së fillimit të seancës, përsëri nga një deputet është hedhur një mjet i dyshuar i cili po ashtu dyshohet se është gaz lotsjellës. Ndërsa, sa i përket rrethanave dhe situatës së krijuar në sallën e Kuvendit të RKS-së, ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës, në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent, në dy lokacionet do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjetit të dyshuar”, thuhet në kumtesë, duke shtuar se mbetet të verifikohen të gjitha elementet se si është futur mjeti i dyshuar brenda në Kuvend, sepse mjeti plastik mund të mos jetë detektuar.

“Njëkohësisht gjatë kohës së zhvillimeve brenda në Kuvendin e Kosovës, një grup prej rreth 150-200 personave kanë qëndruar jashtë rrethojave të Kuvendit duke protestuar, ku disa prej tyre kanë hedhur disa mjete piroteknike dhe boca me ngjyrë të përcjella me tym dhe zjarr. Njësitet relevante policore kanë vepruar duke ndërmarrë masat e nevojshme policore, për parandalimin hedhjeve të tilla dhe për të ofruar siguri pranë objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më pastaj pas një kohe të qëndrimit para Kuvendit, protestuesit kanë filluar të shpërndahen dhe numri i protestuesve është zvogëluar gradualisht”.

Disa minuta para orës 20:00, në kohën kur pritej të ri-fillonte seanca e Kuvendit të Kosovës e cila ishte shtyrë për këtë kohë, protestuesit sërish janë kthyer para Kuvendit të Kosovës dhe të njëjtit kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme drejt objektit të Kuvendit, duke përfshirë mjete piroteknike, fishekzjarre dhe boca me ngjyrë e tym, përfshirë edhe boca me zjarr.

“Kurse në rrugën ‘Agim Ramadani’ afër mensës së studenteve disa persona të dyshuar kanë vendosur në rrugë disa goma të automjeteve të cilat kanë tentuar të ju vejnë zjarrin, me qëllim të bllokimit të tërësishëm të rrugës, mirëpo është bllokuar vetëm njëra korsi. Protestuesit të cilët kanë qenë para Kuvendit të Kosovës, kanë vazhduar me qëndrimin e tyre duke protestuar dhe në vazhdimësi duke hedhur mjete të ndryshme drejt objektit të Kuvendit të Kosovës, pasi që seanca e Kuvendit ishte shtyrë sërish”, vazhdon njoftimi.

Edhe në këtë rast thuhet se njësitet relevante policore kanë vepruar duke ndërmarrë masat e nevojshme policore, ku me prezencën e tyre kanë parandaluar bllokimin e rrugës dhe djegien e gomave të cilat ishin të lyera me lëndë djegëse, dhe pas përfundimit të shikimit të vendit të ngjarjes nga njësitë policore, ato janë larguar dhe qarkullimi i automjeteve ka filluar të lëviz pa pengesa.

Uji Dea

Nga ora 23:30, me vendim të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, është kërkuar hyrja e personelit të sigurimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët konform autorizimeve ligjore kanë formuar kordon sigurie brenda në seancë.

“Gjatë kohës sa seanca kishte filluar, jashtë objektit të Kuvendit protestuesit kishin filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të ndryshme dhe koktej mollotovi drejt objektit të Kuvendit, duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë dhe me këtë rast njësitet relevante policore janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës për shpërndarje të turmës”.

Edhe pas orës 23:30 të datës 23.10.2015, seanca e Kuvendit të Kosovës është tentuar të vazhdojë sërish, mirëpo e njëjta nuk ka vazhduar për arsye se nga deputetë të caktuar janë hedhur edhe dy mjete të dyshuara si gaz lotsjellës, si dhe janë hedhur shishe të ujit drejt Kryesisë së Kuvendit.

“Referuar vendimit të Kryesisë së Kuvendit dhe situatës së krijuar në sallën e Kuvendit, personeli i sigurimit ka vazhduar qëndrimin e tyre në formë të kordonit të sigurisë, deri në vendimin për largim nga salla i cili ka ndodhur pak minuta pas orës 01:00 të datës 24.10.2015. Me vendimin e radhës së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, personeli i sigurimit policor është kërkuar të ofrojë siguri të mjaftueshme për mbarëvajtjen e pa penguar të seancës së Kuvendit të Kosovës e cila është zhvilluar në një sallë tjetër të Kuvendit”.

Njësitet policore ishin detyruar të intervenojnë për të shpërndarë turmën deri në lokacione të caktuara, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe ruajtjes së pronës publike dhe asaj private.

“Disa protestues të dhunshëm gjatë lëvizjes dhe shpërndarjes së tyre, në disa rrugë kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kontejnerë për të penguar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të komunikacionit rrugor. Njësitet policore gjatë veprimeve të tyre kanë arrestuar dhjetë (10) protestues të dhunshëm të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore. Po ashtu, si pasojë e dhunës së shprehur nga disa protestues është lënduar një (1) zyrtar policor i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore. Policia e Kosovës ka arritur ta vejë situatën nën kontrolle dhe tani ajo konsiderohet të jetë e qetë dhe stabile”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/