Policia e Kosovës zhvillon takim informues me kandidatët e interesuar për punësim

Gjilan – Drejtori i Divizionit për Personel dhe Administratë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, Kolonel Hilmi Pacolli së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi me staf dhe në bashkëpunim me OSBE, në kuadër të fushatës senzibilizuese dhe informuese për inkurajimin e qytetarëve që të aplikojnë për punësim në Policinë e Kosovës, sot me datën 01.07.2025 kanë mbajtur një takim me kandidatë të interesuar për t’u bërë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë publike.
Qëllimi i takimit ishte njoftimi i drejtpërdrejtë i kandidatëve lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret që duhet përmbushur, përparësitë që ofron ky profesion, si dhe mundësitë e zhvillimit profesional dhe karrierës brenda Policisë së Kosovës.
Në këtë takim nga udhëheqësit policor, u theksua se Policia e Kosovës është e hapur dhe e gatshme të mirëpresë aplikime nga të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, duke garantuar mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim gjinie apo përkatësie etnike.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e vlerave të barazisë, profesionalizmit, integritetit, llogaridhënies dhe përfaqësimit të drejtë.
Me këtë rast Policia e Kosovës inkurajon dhe ftohen të gjithë të interesuarit që të aplikojnë në këtë proces të rekrutimit që të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt./rajonipress/