UBT

Policia e Kosovës dhe institucionet lokale festojnë Ditën e Fëmijëve në Gjilan me projektin “Së bashku për siguri dhe buzëqeshje”

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe institucione të tjera partnere, organizoi dhe mori pjesë në projektin “Së bashku për siguri dhe buzëqeshje”, një aktivitet i veçantë kushtuar fëmijëve dhe promovimit të sigurisë së tyre.

Aktiviteti u mbajt në platonë e Teatrit të Qytetit në Gjilan, ku qindra fëmijë patën mundësinë të njihen nga afër me punën e Policisë së Kosovës, shërbimeve emergjente dhe institucioneve të tjera që kujdesen për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Gjatë kësaj ngjarjeje, zyrtarët policorë prezantuan pajisje dhe mjete policore, zhvilluan aktivitete edukative dhe shpërndanë materiale vetëdijësuese për sigurinë, duke nxitur komunikimin dhe bashkëpunimin mes policisë, fëmijëve dhe komunitetit. Në aktivitet kontribuuan gjithashtu ekipet e mjekësisë familjare dhe zjarrfikësit, të cilët prezantuan pajisjet dhe shërbimet e tyre para pjesëmarrësve.

Mobi Casa

Përveç karakterit festiv, aktiviteti kishte edhe një dimension edukativ, duke synuar ngritjen e vetëdijes së fëmijëve për sigurinë, të drejtat e tyre dhe rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet.

Policia e Kosovës u përkujdes për mbarëvajtjen dhe sigurinë e aktivitetit, ndërsa falënderoi të gjithë partnerët dhe pjesëmarrësit për kontributin e tyre në realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Përmes iniciativave të tilla, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan vazhdon të ndërtojë ura besimi me fëmijët dhe komunitetin, duke promovuar një mjedis më të sigurt, më edukativ dhe më miqësor për gjeneratat e reja, si dhe duke kontribuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave themelore të fëmijëve./rajonipress/