Policia arreston grabitësit
Gjilan – Policia e Kosovës është informuar se me 11.01.2015 në një rast dhe me 14.01.2015 janë raportuar dy raste të ndara të ‘grabitjeve’. Rasti i parë ka ndodhur në fshatin Budrikë e Ultë, komuna Partesh, ku vozitësi i një kompanie TAXI gjersa ishte duke u kryer shërbime tre personave që kishin kërkuar t’i dërgonte në drejtim të fshatit Zhegër, me të arritur në fshatin Budrikë e kanë urdhëruar ta ndalë veturën dhe nën kërcënim të armës revole dhe një thike ia kanë grabitur pazarin ditor në vlerë 43 €, ku viktima gjatë ballafaqimit me tre të dyshuarit ka pësuar lëndime të lehta fatmirësisht ka njoftuar policia e Gjilanit.
Ismet Hashani zëdhënës i policisë rajonale tha se më 14.01.2015, në dy raste të ndara janë raportuar edhe dy ‘grabitje’, që të dyja në qytetin e Gjilanit dhe cak i sulmeve kanë qenë vozitësit e dy veturave TAXI.
Tre persona të dyshuar në intervale të ndryshme kohore kishin kërkuar shërbime nga ta dhe në momentin kur janë futur në rrugë dytësore dhe të errëta në rastin e parë vozitësit ia kanë grabitur 50 € dhe në rastin e dytë tjetrit vozitës 30 €.
Policia e Kosovës, njësitet hetuese të stacionit policor të Gjilanit, gjatë punës operative hetimore në një kohë kanë arritur që të grumbullojnë prova të qëndrueshme dhe të identifikohen kryesit e këtyre veprave të rënda penale.
Tre të dyshuarit B. L., F. L., dhe H. R. dy nga ta të mitur, besohet se kanë vepruar si grup kriminal dhe në bashkëveprim kanë marrë pjesë në të tri rastet veç e veç.
Tek i dyshuari H. R. është gjetur arma-pistoleta e markës ECOL Special me një karikator, e cila besohet se është përdorur në rastet e ‘grabitjes’.
Po ashtu në vendin e ngjarjes të dyshuarit kanë treguar ku e kanë hedhur portofolin e njërit nga të dëmtuarit me dokumente personale, të cilit i janë kthyer nga Policia e Kosovës.
Tre të dyshuarit dy nga ta të mitur janë intervistuar në prezencë të avokateve mbrojtës si dhe punëtorëve të QPS-së.
Me vendim të prokurorit të shtetit për krime të rënda dy të miturit F. L. dhe H.R. ndalohen për 24 orë, ndërsa i dyshuari B. L. ndalohet për 48 orë.
Rasti i kompletuar procedohet në Prokurori tha Hashani./rajonipress/


