UBT

Polici ‘doganore’ për parandalimin e kontrabandës

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Kontrabanda në Kosovë nuk po bëhet vetëm përmes veriut. Ajo po bëhet edhe jashtë pikave kufitare. Për të parandaluar këtë dukuri, pritet të themelohet një trupë e veçantë, e ngjashme me policin doganore. Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka deklaruar se së bashku me Doganën dhe Administratën Tatimore janë duke përgatitur një nismë të re për krijimin e ekipeve të specializuara doganore dhe tatimore e cila do të merret me parandalimin e kontrabandës jashtë pikave doganore.

“Do ta bëjmë një ekip të specializuar, diçka sikurse një polici doganore e cila do të ketë synimin jo vetëm të kontrollimit të pikave kufitare, sepse aty kemi avancuar shumë, por kontrollimin dhe eliminimin e kontrabandimit jashtë pikave kufitare. Unë kam kërkuar nga Dogana dhe Administrata Tatimore, për çka kemi edhe mbështetjen e të gjithë partnerëve tonë ndërkombëtarë, që të bëjmë një ekip të specializuar i cili do të ketë për fillim afër 60 zyrtarë, 30 prej tyre do të jenë doganorë, 30 prej tyre do të jenë nga Administrata Tatimore, të cilët do të jenë mobil për të luftuar qarkullimin e mallrave të kontrabanduara jashtë pikave kufitare”, ka thënë ministri Beqaj, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të konferencës kushtuar sigurisë së kufijve në të cilën marrin pjesë përfaqësuesit e Doganave dhe Policisë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Me këtë rast Beqaj tha se nga themelimi i Doganës së Kosovës ka pasur zhvillim shumë pozitiv si në fushën e mbledhjes së detyrimeve doganore për buxhet të shtetit, po ashtu edhe në fushën e sundimit të ligjit dhe aftësimin e oficerëve doganorë që me sukses t’i realizojnë obligimet e veta ligjore.

“Ne kemi investuar shumë në stafin e Doganës për ta pasur një administratë doganore të gatshme për t’u përballur me çdo sfidë me të cilën hasen për t’i realizuar objektivat e veta. Për më tepër, ne kemi filluar me reforma domethënëse në Dogana me qëllimin e vetëm që të rrisim cilësinë e shërbimeve në raport me bizneset dhe të punësuarit. Kemi bërë një decentralizim të funksioneve brenda Doganave, ashtu që të jemi më afër tatimpaguesve dhe që shërbimet tona të inkurajojnë bizneset dhe qytetarët për t’u bërë pjesë e formalitetit”, tha kreu i Ministrisë së Financave.

Uji Dea

Sipas tij, reformat kanë filluar të japin rezultatet e para, qoftë për sa i përket nivelit të deklarimit dhe rrjedhimisht pagesës së tatimeve dhe rritjes së interesimit të tatimpaguesve për një bashkëpunim të shtuar.

“Luftimi i ekonomisë joformale është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Financave, respektivisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa dokumentet strategjike të Qeverisë për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare, në hartimin e të cilave ishin të inkuadruar edhe përfaqësuesit e biznesit, shoqërisë civile dhe institucionet relevante shtetërore ne synojmë një rritje të qëndrueshme ekonomike, ku sektori privat ka rolin udhëheqës në ekonomi”.

Qëllimet e strategjisë kombëtarë përfshijnë: arritjen e objektivave të programit qeveritar, reduktimin e shkallës së ekonomisë joformale për 5% në periudhën 2014-2018, dhe rritjen e vlerës totale të konfiskimit të të ardhurave nga krimi.