Policët, prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar shtyhen me pasuri me politikanët e inkriminuar

Nga analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, shihet si fenomen skandaloz se pse po ‘falen’ ‘peshqit e mëdhenj’ të involvuar në afera korruptive dhe krim të organizuar përmes parashkrimit të lëndëve të ndryshme apo mbyllje të lëndëve ende pa u hapur fare rasti, prandaj ata vlerësojnë se me këtë strukturë aktuale të prokurorëve, policëve hetues dhe gjyqtarëve të sjellë, të dirigjuar e të ndikuar 100% nga politika në pushtet dhe nëntoka kriminale nuk do të ketë kurrë sundim të ligjit.
“Pasuria e prokurorëve dhe gjyqtarëve aspak nuk është më e vogël se e politikanëve. Ata këtë pasuri po e krijojnë ashtu siç po e krijon një elitë politike e “pazëvendësueshme”. Pasuria-deklarimi i pasurisë nuk po kontrollohet dhe nuk po vërtetohet, por pasi që nuk po e kontrollon askush ata po sillen ashtu siç po vepron edhe politika. Ky është rrjeti i merimangës që është vështirë të pastrohet,jo së paku nga këta. Duhet një furtunë e fuqishme dhe një revolucion paqësor”, thotë ish -kreu i AKKsë, Hasan Preteni për “Kosova Sot”.
Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë po e shohin me shqetësim mënyrën e si janë bërë gjyqtarët, prokurorët dhe policët hetues milionerë, siç thonë ata, duke shitur drejtësinë nën urdhrat e mbështetjen e pushtetarëve të nivelit më të lartë, si dhe ata të nëntokës kriminale-biznesore, dhe me çështjen e tyre në këtë shoqëri tranzicionale nuk po merret askush.
Nga analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, shihet si fenomen skandaloz se pse po ‘falen’ ‘peshqit e mëdhenj’ të involvuar në afera korruptive dhe krim të organizuar përmes parashkrimit të lëndëve të ndryshme apo mbyllje të lëndëve ende pa u hapur fare rasti, prandaj ata vlerësojnë se me këtë strukturë aktuale të prokurorëve, policëve hetues dhe gjyqtarëve të sjellë, të dirigjuar e të ndikuar 100% nga politika në pushtet dhe nëntoka kriminale nuk do të ketë kurrë sundim të ligjit.
Sipas njohësit të kësaj fushe, Ardit Gërvalla, sistemi i drejtësisë, gjyqësori, në shtetet funksionale, ku kemi shtet ligjor, është i pavarur dhe njëkohësisht i ndarë nga sistemet tjera, ekzekutivi dhe legjislativi, diçka që në Kosovë nuk po funksionon si duhet.”Kosova de-jure është demokraci, por de-facto nëse i analizojmë rrethanat dhe gjendjen aktuale, kemi sistem monarkik të qeverisjes, përqendrim i pushtetit në duart e disa personave. Pushteti në shtetet demokratike është i ndarë, por tek ne është i përqendruar, gjyqësorit i delegohet pushtet nga lartposhtë dhe i merret pushteti aktual aq herë sa ju nevojitet pushtetarëve”, potencoi ai.
Prokurorët, mburojë e politikanëve të korruptuar
Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, për fatin e keq të drejtësisë në Kosovë, është fakt se prokurorët i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion dhe po kështu edhe mafio-oligarkët, por që këta mafiooligarkë janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, qoftë në nivelin qendror apo qoftë në nivelin lokal. “Mbase dhe duke qenë e kundërligjshme ndodh që prokurorët në Kosovë shumicën e rasteve të kallëzimeve penale dhe lëndëve tjera ndaj krimit dhe të inkriminuarve të nivelit të lartë në krim të organizuar e korrupsion i hedhin poshtë pas heshtjes së gjatë dhe kështu, duke qenë mosndërmarrës të veprimeve ligjore, pa asnjë argument, këto lëndë i lënë të parashkruhen nëpër sirtarë”, u shpreh ai.”Në fakt kjo neglizhencë e qëllimshme profesionale atakon drejtpërdrejt funksionin e drejtësisë dhe në anën tjetër nxjerr në pah faktin se deri ku ka degraduar sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe se kështu mund të thuhet se drejtësia në Kosovë ka nevojë imanente për prokurorë dhe gjyqtarë të mirëfilltë, me etikë dhe integritet, që nuk e shesin dhe nuk e trafikojnë drejtësinë. Po ashtu, në një mënyrë apo tjetër brengos fakti se kështu po funksionon në lidhshmëri të ngushtë linja e treshes, pra në mes policëve hetues të krimeve të rënda që i prishin provat, pastaj prokurorisë së nënshtruar ndaj krimit të organizuar dhe gjyqtarëve që trafikojnë drejtësinë me ndikimin e 100% të kontrolluar e të dirigjuar nga majat e pushtetit dhe të mafio-oligarkisë së bizneseve të pista monopoliste, e që po e bllokojnë atë, duke e bërë të dështuar tërë sistemin e drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit galopant të mafio-politikës bashkë me mafio-oligarkinë”, potencoi Naim Kelmendi.
GËRVALLA : TË PASURUAR NGA RYSHFETI
“Hetuesit tanë më parë e njoftojnë personin lidhur me rrjedhën e hetimeve sesa prokurorin lidhur me zhvillimin dhe vazhdimin e saj. Këtu fillon manipulimi me situatën dhe futet në veprim mekanizmi për mosngritje të aktakuzës. Kur shohin që aktakuza ka mundësi të ngrihet, ose rastësisht është ngritur, atëherë kryeprokurori i shtetit futet në funksion të mbrojtjes, duke shfrytëzuar parimin e substitucionit dhe lëndën duke ia deleguar një prokurori të rangut me të lartë, që në rastet tona zakonisht është prokuroria speciale, aty ku bëhet amnistimi ilegal i tyre. Shumica e gjyqtarëve, prokurorëve dhe hetuesve tanë sot janë pasuruar nga ryshfeti, me një proces të VETTING-ut besoj e gjitha do të sqarohej. Interesat e tyre janë të shumëfishta, nëse bëjmë një hulumtim të thjeshtë dhe shohim së vetëm ku janë të punësuar fëmijët e tyre, atëherë do ta marrim një pjesë të përgjigjes. Interesat i kanë të ndërthurura aq fortë, saqë edhe sistemi është i tillë, një shkëndijë e drejtësisë nga një i betuar për drejtësi do të shpërblehet me suspendim. Pra, ky sistem nuk është krijuar sot, as dje, por që nga shpallja e pavarësisë ose më mirë të themi që nga paslufta. Nuk mund të luftohet krimi dhe korrupsioni, kur burimi i saj dalin të jenë të tri sistemet. Pa një proces të mirëfilltë të VETTING-ut, nuk do të mund të flasim për një shtet ligjor”, tha Ardit Gërvalla për “Kosova Sot”.
KAPITI: KRIMI, KORRUPSIONI DHE HAJDUTËRIA, PO E FALIMENTOJNË DREJTËSINË
Sipas Skënder Kapitit, kur politika, pushteti, drejtësia me gjyqtarët, prokurorët dhe me polici gjyqësore e hetimore kur ato veprojnë në shtet si një korporatë fitimprurëse, duke siguruar pushtet, pandëshkueshmëri dhe pasuri të jashtëzakonshme vetëm duke abuzuar e spekuluar me ligjin, me drejtësinë, me postet e pushtetit dhe në bashkëpunim me bizneset e paranë e pistë, atëherë nuk ka dhe as që mund të paramendohet se aty shteti dhe ligji funksionojnë.”Nuk luftohen dukuritë dhe fenomenet negative të krimit dhe të korrupsionit nga institucionet politike dhe juridike kur ato janë vetë fenomeni dhe burimi i tyre. Kur korrupsioni, krimi, pa përgjegjshmëria dhe hajnia kapin shtetin, ligjin dhe shoqërinë, atëherë ato shndërrohen në fenomene shoqërore që krijojnë psikozën negative kolektive se ato janë si diçka normale dhe të pranueshme. Prandaj e kam theksuar se krimi, korrupsioni dhe hajdutëria, kur ato instalohen në sistem, atëherë ato jo vetëm se e falimentojnë drejtësinë dhe demokracinë, por edhe e prishin shoqërinë, dhe është shumë e vështirë që nga një precipitim i tillë të fillojë përmirësimi dhe të triumfojë e mira dhe interesi i përgjithshëm”, theksoi Kapiti.
PRETENI: POLITIKA E DIRIGJON EDHE “PUSHTETIN E TRETË”!
Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, tha për “Kosova Sot” se te sundimi i ligjit nuk kemi rezultate dhe veprimet janë vetëm stihike e jo të sinqerta.”Ditët e fundit kinse janë realizuar disa veprime, por ishin joreale dhe vetëm me qëllim të bindjes së Brukselit se në Kosovë po luftohet korrupsioni. Tani do të ndalen edhe këto veprime, sepse ata nga Brukseli nuk i pranojnë lojërat e tilla. Në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të ketë kontinuitet dhe sinqeritet, duhet të atakohen “peshqit e mëdhenj” e jo fakirët e drejtorët e departamenteve sepse ata punojnë sipas direktivave të “peshkaqenëve”. Nuk ishte moti kur u ndërrua një ministër vetëm se nuk “dëgjoi”. Kjo është politika, e cila jo vetëm se e dikton politikën ditore, por i dirigjon edhe “pushtetin e tretë”. Nuk ka pavarësi në veprim, edhe nuk shqetësohen prokurorët dhe gjyqtarët, ata janë pjesë e një koalicioni joparimor. Politika e ndau buxhetin shumë të avancuar për ta. Ju përshtati legjislacionin sipas qejfit të tyre. Ju lejon paga të majme joligjore, ju lejon shumë vende pune, privilegje jetësorë e mandate të përhershme. Ky është kushti që po e plotëson politika karshi “pushtetit të tretë” e këta politikës po ia kthejnë me dëgjueshmëri e me poltronizëm të skajshëm”, theksoi Preteni për “Kosova Sot”. Ai madje thotë se mungesa e llogaridhënies nga institucionet e drejtësisë dëshmohet me faktin se gjyqësori nuk raporton asnjëherë në Kuvend, prandaj nëse nuk ke obligim për të raportuar, edhe nuk do të punon për interesin e përgjithshëm, por për interesin privat dhe për interesin e kastës politike që po dikton gjithçka në Kosovë. Prandaj, edhe po ndodh kështu pasurimi i pakontrolluar në sistemin e drejtësisë.
MIFTARI: POLICI, ME 400 EURO RROGË, VOZIT VETURË 80 MIJË EURO!
Analisti dhe njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, vlerëson se vetëm në Kosovë ke mundësi të bëhesh milioner nëse je politikan dhe zyrtar i korruptuar, ndrysh nuk ka mundësi pasi edhe po të jesh biznesmen me siguri duhet të jesh edhe kukull dhe oligark i ndonjë politikani. “Pra, korrupsioni në gjyqësi dhe në policinë hetuese nuk është i panjohur dhe i paditur që nga paslufta, sepse hetues e prokurorë ndërkombëtarë dhe vendorë kanë fjetur bashkë në një shtet me krimin e organizuar, prandaj edhe shitja dhe dështimi, apo fshehja e veprave penale nuk është e paditur për publikun, sikur që është edhe zgjatja e mbi 8 viteve për një lëndë ose shkatërrimi i provave materiale nga gjyqësia dhe policia. Pra, nuk është risi as grumbullimi i 340.000 lëndëve penale, nuk është risi edhe fakti se kem polic që rrogën e ka 450 euro e vozit veturë të 80.000 eurove, nuk është befasi kjo, por vetëm tregon qartë se bazamenti i mafisë dhe korrupsionit është tek politika, tek institucionet e sundimit të ligjit, tek Qeveria, Presidenca, Parlamenti, tek gjyqësia, policia inteligjenca etj.”, u shpreh ai. “Pra, nuk ka pore të jetës në Kosovë që sot nuk është kapur nga Coza Nostra politike e vendit e përforcuar edhe me mafiozët ndërkombëtarë, e që disa kanë ardhur këtu të “ndihmojnë” në sundimin e ligjit.Ta kujtojmë fillimisht UNMIKun pastaj dështimin e EULEX-it dhe pjesëmarrjen e disa ambasadave të huaja në krim të organizuar, sikur ishte në dhënien e vizave për mijëra euro, duke shfrytëzuar varfërinë dhe izolimin e vendit tonë pikërisht nga këta keqbërës politikë e hajna klasikë, si vendorë ashtu edhe disa ndërkombëtarë. Prandaj duhet ta themi vazhdimisht që shpresa e vetme për ta ndalur devalvimin e ligjit është pritja tek një lider, që është ambasadori i ri amerikan, ose të ndodhë një kryengritje sociale, e cila mund të sjellë ndryshime pozitive, por kjo është e vështirë të kalojë pa dhunë pa dame materiale dhe pa viktima apo sakrifica”, tha Naim Miftari.
(Kosova Sot)