Poezia e Mustafajt në italisht

“Legjenda e lindjes sime”, përmbledhja me poezi të zgjedhura e Besnik Mustafajt, botohet edhe në gjuhën italiane.
E sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Toena”, ajo i ofrohet lexuesit italian nga shtëpia botuese “Ensemble” në Romë, duke i çuar në dy librat e botuar në italisht, pas esesë “Midis krimeve dhe mirazheve”, botuar nga Garzanti.
“Legjenda e lindjes sime” është përkthyer në italisht dhe shoqëruar me një parathënie nga poeti shqiptar, Gëzim Hajdari. Botimi poetik i Mustafajt u paraqit për lexuesin italian në Panairin e fundit të librit të Romës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën kulturore italiane, me temë “Më shumë libra, më të lirë” (“Piú libri Piú liberi”). “Vargu i Mustafajt është i vërtetë dhe thellësisht i jetuar, i mbushur me humanizëm dhe universalitet. E vrullshme dhe e mbushur me shqetësim të përditshëm, poezia e tij mbart dhembjen dhe vuajtjen njerëzore, në pritje të një rrezeje drite gjatë netëve të errëta, të cilat dukeshin sikur nuk do të kishin fund…
Territori poetik i Mustafajt është një territor i rrezikuar, i banuar nga shtriga, net të verbra, pyje të errët, ujqër, gjak. Janë simbole negative, të cilat, si parandjenja, ndjellin një fat të kobshëm për poetin dhe vetë poezinë. Dashuria si shpirt i botës. Poezia vetë mbijeton, duke sfiduar çdo lloj shtypjeje. Prekëse janë vargjet kushtuar gruas së poetit dhe nënës së tij, e cila, edhe pse e munguar, është gjithnjë e pranishme brenda të birit, e gatshme ta mbrojë e t’i mësojë atij ligjet e lashta të mbijetesës”, shkruhej në njoftimin për shtyp të organizatorëve të konferencës, ku do të paraqitej “Legjenda e lindjes sime”.
Fjalën e hapjes në konferencën promovuese në Panairin e librit të Romës e mbajti Matteo Chiavarone, drejtor i shtëpisë botuese. Ndërsa kritiku dhe studiuesi Ugo Fracassa, profesor i Letërsisë në Universitetin Roma Tre, tha se poezitë e përmbledhura në këtë libër janë shkruar gjatë një periudhe që përkon me gulçimat e mbrame të dimrit të gjatë të diktaturës. Gjuhëtari dhe poeti Andrea Viviani zhvilloi me poetin Mustafaj një dialog mbi lidhjet midis letërsisë dhe politikës, temë kjo e parapëlqyer nga publiku i shumtë, i cili i shtroi po ashtu poetit mjaft pyetje.