Poezi ndjenjësore dhe emocionale…
Nga Bilall Maliqi – Është një ndjenjë e veçantë kur lexon një libër me poezi të rregulluar mirë artistikisht, të një poete për opinion ndoshta jo shumë të njohur, por gjithsesi me shkrimet e saj do të jetë e njohur gjithandej trojeve shqiptare. Po ashtu është një ndjenjë e veçantë kur ke përpara një libër simpatik, që e lexon dhe të futë thellë në venerim të poezive të saj aq tërheqëse për lexim dhe për shtjellim.
(Neviana Shehi “Burri i netëve të mia” Shb “Armagedoni” Prishtinë, 2020, fq. 115).
Fjala është për vëllimin poetik të poetes Neviana Shehi, titulluar “Burri i netëve të mia”, botues shb “Armagedoni” Prishtinë.
Libri në fjalë është i ndarë në njësi poetike:/ Geisha e fjalës së bukur/, /Kujtim deri në amshim/, /Krisja e qiejve mbi mallin/, /Frika e hijeve/, / Ngjyrat e heshtjes/ dhe /kopshte ëndrrash/.
Poetika e Nevianës në këtë vëllim është e ngjeshur me gjetje tematike, me ngjarje, të cilat i ka shkrirë në vargje poetike, e që japin një ngjyrim emocional tek lexuesit, sepse në të shumtën e rasteve kryeprotagoniste e poezive është vetë ajo, ajo që derdh këto vargje, të cilat janë ndërtuar me mjete poetike.
Është një veçanti tek poezitë e Nevianës, sepse ajo është vetvetja, ka stilin e vet të të shkruarit, ka shprehje të bollshme poetike, të cilat i shpërndan gjithandej vëllimit poetik. Kjo shihet së shtjelluari të poezive të saj.
Poezitë e tilla japin dëshmi se autorja është gjurmuese e së bukurës, gjurmuese e ngjarjeve, e kohëve të ikura, madje edhe të kohëve të vjetra, të cilat i ndërlidhë natyrshëm me motet e sotme.
Të gjitha poezitë e librit kanë barazpeshën poetike, vargjet kanë lidhshmëri apo korrespondim të natyrshëm në mes veti, ato janë të pajisura me figura stilistike, të cilat janë të shpërndara gjithandej librit dhe si të tilla japin një vlerë të avancuar poetike të shumicës së poezive prezente në libër si:/Një rënkim i zgjuar gruaje/, /Burri i netëve të mia/, /Kishë e vogël në gjoksin tim/,/ Barkat e detit tim/, /Ishulli/, /Orë zemre/, /Varg mëngjesi/, /99 vjet/ etj., etj., janë vërtetë poezi me vlera të larta artistike, duke mos i anashkaluar edhe poezitë tjera të librit, të cilat po ashtu kanë qëndrueshmëritë e tyre si në rrafshin artistik po ashtu edhe estetik dhe grafik.
Pa u futur në ilustrim të ndonjë vargu apo strofe, themi se secili varg, secila strofë, secila poezi ka art në vete, ka semantikën e vet, ka ndërtimin efikas të vargut, mbi të gjitha ka porosinë dhe vlerën artistike.
Nga poezitë e tilla na del një frymë me plot frymëzim dhe ate pa shterrim, të cilin e ka rregulluar konform kërkesave bazë të një krijimi të bukur poetik.
Poezitë e Nevianës janë pasqyrim i ndodhive nëpër kohë dhe situata të ndryshme, të cilat ka ditur bukur mirë t’i poetizojë, t’ua japë shijen artistike të tyre.
Brenda vargjeve të saja ka dhembje, mall, optimizëm, dashuri dhe kthim në itakën e saj, të cilën e ngjesh me shumë dashuri e mallëngjim.
Poezitë e librit në të shumtën e rasteve janë të drejtpërdrejta, por disa sosh kanë një gjysëmhermetizëm gjë që lexuesit duhet kujdesshëm t’i lexojnë dhe ta zbulojnë rrjetin e fjalëve apo të porosive të cilat fshihen pas kuptimshmërive të poezive.
Për këtë le të na kujtohet thënia:
“Poezia është jetë që mbetet e ngatërruar në një rrjet fjalësh”
Sebastiano Vassalli
Me këtë themi se kjo poete është në rrugë të mbarë për ngritje të mëtutjeshme të artit të saj poetik, duke na e formuar bindjen se ky libër shoqërohet me vlera të qëndrueshme artistike, po ashtu duke na dhënë shpresë që në të ardhmen kjo poete do të ecë drejt sukseseve të pakontestueshme, sepse poezia don përkushtim të parreshtur drejt gjetjes së shtigjeve të së bukurës.
Ky libër ia vlen të lexohet jo vetëm nga lexuesit e shtresave të ndryshme, por edhe nga kritikët letrar, në mënyrë që t’ia japin vlerën e merituar librit, i cili padyshim zë vend të merituar në poezinë bashkëkohore shqiptare./rajonipress/


