RCCOLA

Poeti i Bukës, Parisit e Zjarrit

/ 4 minuta lexim

Askush nuk i këndon jetës dhe dashurisë rome në Kosovë më ndjeshëm se Kujtim Paçaku. Poeti 53 vjeçar që ka mallëngjim për jetën e dikurshme në Paris dhe dëshiron të kthehet dikur atje, por që ndoshta Parisin, si një qendër të artit të të shkruarit, ai ka kohë që e ka arritur.

Më 1985, atëherë në moshën 26 vjeçare, për herë të parë flet në mikrofon përmes Radio Prizrenit, në orën njëmbëdhjetë të ditës. “Mirëdita, unë Kujtim Paçaku, djali i Durmishit, po filloj sot me emisionin e parë dhe nuk kam frikë si shumë njerëz të deklarohen romë në media në Europë”.

Siç thonë, tash ai ishte njeri i bërë. Që ka kaluar sfida jete e ka nxjerrë përfundime, që ka ndërtuar një sistem të vlerave të veta të gjykimit dhe që ia ka qartësuar vetës identitetin e tij. Ndoshta gjithë kjo, bashkë me rrethanat në Prizren, e ka bërë atë që si askush t’ia thotë vargut rom me ndjeshmëri e ndonjëherë dhimbje deri në asht.

Kurrë nuk isha mjaft i bardhë
Për të bardhët
As tamam i zi për të zinjtë

Ky është portreti i tij për njeriun rom në një nga përmbledhjet që e ka titulluar “Rreth Zjarreve”.

Një poet i cili ka udhëtuar nëpër Europë, është takuar me artistë e ka recituar poezi, është marrë një kohë me këngë e ka shkuar në akademinë e aktrimit dhe regjisë me Faruk Begollin mentor — të gjitha që kanë shtuar në ngjyrën e tekstit të tij — ndoshta mund tija ketë arritur të krijojë një zë shumë më të fortë sesa e provonte si i ri.

Paçaku, që s’kishte trup e as talent të madh për futboll, e që s’e merrnin prandaj të luante, dëgjonte e admironte komentuesit e lojës e ndonjëherë shkonte dhe i shikonte ata më shumë se sa ndeshjen në stadium. “Ia kisha lakmi Veli Vraniqit e Azem Brovinës që komentonin nga afër. Mësoja emrat e futbollistëve dhe kthehesha në shtëpi, merrja një bakall sepse aty krijohej ehoja e zërit, dhe nisja të komentoja”, tregon Paçaku.

Kishte nisur si fëmijë të shkruante mureve të shkollës poezi më serioze, por kur u pjek ai vazhdoi të komentojë, por një lojë shumë më të gjerë. Jetën rome.

Uji Dea

Një poezi rome, thotë ai, duhet të flasë për zjarrin, ujin, diellin dhe lirinë.

“Kur zemra ka acar / S’ka pranverë që mund ta shkrijë…”. Po e ndiqni? “O, sa gënjejnë ata që thonë / Se koha i shëron të gjitha”. Kjo ishte sa i përket kohës, po ç’thuani për dashurinë? Dashurinë rome. “Kur dashuron një rom / Ua shkund shtratin luleve të përgjumura / Myzhdenë t’ua japë”. E pastaj, ja ku është ai kthim tragjik si i të gjithë poetëve. “Por, kush mund të na mbrojë nga vetja jonë? Kush?”

Nëse poetët krijohen në kohë të vështira, rom duhet të jetë edhe poeti më i mirë. “Si mos të më këndohet e mos të jem / I gëzuar sot / Kur nën krah mbaj bukë”. Se buka dhe shtëpia janë të lidhura gjithherë. “Shtëpitë e rrugicës sime / Rrinë të mbështetura në njëra tjetrën / Dhe sikur gjithë kohën janë duke vallëzuar / Ndonjëra mezi rri në këmbë / Sikur të ishte goditur nga raki e fortë”.

Poezia e tij është muzikë, është gjeografi, është fizkulturë. Sikur titujt e lëndëve në të cilat arsimtari i dikurshëm mësonte nxënësit romë. Por nuk është mësimi ku ai do të kthehet, është rikthimi në Paris. Atje kur dikur jetoi. Sepse, atje thotë Paçaku, njerëzit shpesh kanë ditur të dëgjojnë. E dikush edhe të qajë me poezinë e tij.

Jashtë ëndrrave, ai jeton në Prizren. “Dita ime fillon në mbrëmje dhe ndonjëherë pres mëngjesin të më zë gjumi, sepse atëherë ndodhë të zbres ndonjë ide, varg”, thotë ai. “Nuk do të ndalem kur më pushon dora, por kur të më ketë pushuar mendja…do të përdor diktafon nëse nuk mund të shkruaj”.

Kjo është gjuha e tij.

Kaherë e kemi braktisur qiellin e vendlindjes sonë
Rrugëve të panjohura ia mësyem
Me vete morëm
Vetëm gjuhën, këngët dhe përrallat tona
Në zemër e ruajtëm gjuhën
Në gjuhë i ruajtëm këngët
Në këngë i ruajtëm përrallat tona