Mobi Casa

Po të isha unë Isa Mustafa

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Berat Buzhala – Si do të përgjigjesha për koalicionin me PDK’në. Ndjeva keqardhje për Ministren e re të LDK’së, Hikmete Bajrami, e cila në përpjekje për ta justifikuar pozicionin e rëndë politik në të cilin ndodhet LDK, në një deklaratë për media, më shumë se sa simpati, fitoi përqeshje, kur tha se po vetëflijohej, duke pranuar të bëhej ministre. Hykmete Bajrami, në legjislativin e fundit, ishte e ulur prapa meje në sallën Kuvendit.

Me pak koncentrim, edhe më tutje mund t’i dëgjoj klithmat e saj kundër PDK’së dhe çdo gjë përfaqësonte ky subjekt politik. Ishte në gjendje, kështu më dukej, që ajo, kishte gatishmëri që të lëshohej edhe në konflikte fizike me PDK’në. Pra, askush si Hykmetja nuk shprehte urrejtje ndaj ish Kryeministrit Thaçi dhe PDK’së. Dhe ç’të dëgjojmë: Hykmetja u emërua ministre, në shtrat me, Hashim Thaçin.

Këshilla më e mirë për të dhe të tjerët sikur ajo, në këto momente, është: kur gjendesh në baltë të thellë deri në qafë mos lëviz fare. Ose sic thonë, ulu kur të vjen qeni drejt teje. Pra, qetësohu. Mirëpo, në praktikë është pak e vështirë kjo. Dhe Hykmetja e bëri gabimin që nuk do të duhej ta bënte, as ajo, e as asnjëri prej ministrave politik të LDK’së. Teorikisht është e pamundur që të kthehen prapa ato fjalë të rënda. Por është edhe më e pamundur që pozitën kaq të paragjykuar për luks të ministrit, ta shesësh për vetëflijim. Cdo përpjekje e tillë del komike.

Dhe nëse qenka kështu, atëherë si do të përgjigjesha në disa pyetje të rënda, po të isha Isa Mustafa, ose ministër i tij.

Pyetje: Ju e keni rrëzuar nga pozita e Kryetarit të LDK’së, paraardhësin tuaj, pikërisht duke e goditur se ishte i ishte vasal i PDK’së. Ndërsa ju po e mbani në pushtet një PDK kaq shumë të përfolur për krim dhe korrupsion?

Mustafa: Kjo është hera e parë që LDK, edhe duke mos qenë partia më e madhe në vend, e merr timonin e qeverisjes së vendit. Gjashtë muaj përpjekje të ndryshme, te Bllokut, për të formuar një Kabinet qeverisës pa PDK’në, dështuan. Dhe për ketë faji nuk ishte i yni, e as imi. LDK e bëri të pamundurën….

Pyetje: Ju personalisht keni hedhur gur e dru mbi PDK’në dhe SHIK’un, kurse tash Shefin e SHIK’ut e keni zgjedhur në krye të Kuvendit. A nuk ju duket kjo një non sense i llojit të vet. Ju madje edhe e votuat atë?

Uji Dea

Mustafa: Sikur të pytesha unë, dhe sikur të votoheshim më shumë, sigurisht se do të dëshiroja që Qeveria të formohej vetëm nga LDK. Kjo do të ishte ideale, por në demokraci është pak e vështirë që të ndodhë një gjë e tillë. Është shumë e vështirë që një subjekt politik t’i marrë mbi 50 për qind të votave. Dhe nëse puna është kështu, atëherë qëllimi im kryesor, kur pozita e Kryetarit të Kuvendit mu mohua nga Gjykata Kushtetuese, ishte që LDK ta kishte Kryeministrin e vet.

Jam i bindur që do të ishim të sharë dhe të sulmuar edhe sikur LDK të futej në partneritet me Bllokun, duke e sakrifikuar pozitën e Kryeministrit. Por po i kthehem pyetjes së më sipërme: unë e respektova marrëveshjen me PDK’në dhe e votova Kadri Veselin për Kryetar të Kuvendit. Mirëpo, kjo nuk e parandalon asnjë deputet që të nisë çfarëdo komisioni hetimor për dyshime të ndryshme. Pra, kjo është real politika. Këtë na e imponojnë numrat në Kuvend. Nuk mund të shtiremi.

Disa thoshin që të mos futeshim me Bllokun, nëse nuk e kemi Kryeministrin, e disa të tjerë thoshin që të mos futeshim me PDK’në edhe nëse na e japin Kryeministrin. Pra, cfarë të bënim? A duhej të dorëzoheshim. LDK është parti e madhe dhe parti serioze. Dhe si e tillë, ka përgjegjësi për shtetin. E përgjegjësi është edhe që të marrim, disa herë, edhe vendime të rënda.

Partneriteti me PDK’në, ishte vendim i rëndë. Njëjtë po mendojnë edhe militantët e PDK’së, në raport me LDK’në. Ne kemi shumë dyshime për ta, e edhe ata i kanë shumë dyshime për ne. Mirëpo, në gjithë këtë tollovi, kemi edhe disa pika të përbashkëta, që janë shumë të rëndësishme. Ndajmë mendime pak a shumë të njëjta sa i përket integrimeve euro-atlantike. Pra, këtu pajtohemi. Pajtohemi edhe rreth prioriteteve për të arritur deri në synimin tonë të përbashkët, integrimin në BE dhe në NATO.

Pyetje: A jeni penduar për deklaratat që i keni bërë për SHIK’un?

Përgjigje: Edhe ata kanë bërë deklarata për mua. Po besoj që është momenti i duhur që të hapet edhe ai kapitull. Kuvendi është vendi ideal për të formuar komisione hetimore. Sido që të jetë, do të bisedoj me z. Veseli, rreth të gjitha dyshimeve që i kam. Do të flasim hapur. Dhe do të kërkojë që askush nga politika të mos përzihet në punët e drejtësisë.