RCCOLA

Po injorohet kultura dhe manifestimi “Ditët e Agimit”

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Nexhat Hajrullahu thotë se qeverisja aktuale dhe drejtoria e kulturës vazhdon ta injorojë sferën e kulturës. Sipas tij Manifestimi Multikulturor ‘Ditët e Agimit’ që zgjat tri ditë, injorohet sërish dhe përkrahet vetëm në mënyrë simbolike, ndonëse ishte nën Patronatin e të parit të Komunës. Edhe pse dihet se pjesën kryesore të këtij Manifestimi e kryen Këshilli i Bashkësisë Vendore të Zhegrës, patronati merret në mënyrë të pamerituar nga Komuna.

Hajrullahu këto komente i bëri në një takim me mediet këtë të shtunë. Ai si shembull mori Manifestimin ‘Flaka e Janarit’ i cili sipas tij ka kaluar në heshtje dhe që atëherë nuk ka pasur një raport detaj financiar. “Tërë këto veprime neve na lënë të kuptojmë dhe të shohim se kjo qeverisje, nuk po jep shembuj të mirë për të rinjtë, për komunitetin e Kulturës dhe atë të sportit, se si qeveriset në frymën e demokracisë dhe të meritokracisë” tha ai.

Sipas tij problem kyç është edhe moszbatimi i rregulloreve të aprovuara nga vet Kuvendi Komunal, si p.sh. Rregullorja për Ndarjen e Subvencioneve, ku Kodi për shërbime dhe mallra, nuk zbatohet në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Rregulloret e aprovuara nga Kuvendi i Komunës si Rregullorja për Menaxhimin e Sallës së Teatrit, Hallës së Sporteve, Stadiumit të Qytetit nuk zbatohet pothuaj se fare, dhe ky është një keq menaxhim dhe shkelje flagrante.

Hajrullahu tha se këto ditë, ishim dëshmitarë të Manifestimeve të rëndësishme kulturore, siç është ‘Epopeja e Zhegovcit’ dhe ‘Ditët e Agimit’. Derisa në njërin nga këto manifestime Komuna ndanë një shumë të konsiderueshme të mjeteve dhe të infrastrukturës logjistike, Manifestimi Multikulturor ‘Ditët e Agimit’ që zgjat tri ditë, injorohet sërish dhe përkrahet vetëm në mënyrë simbolike, ndonëse ishte nën Patronatin e të parit të Komunës. Edhe pse dihet se pjesën kryesore të këtij Manifestimi e kryen Këshilli i Bashkësisë Vendore të Zhegrës, patronati merret në mënyrë të pamerituar nga Komuna.

Heqja e Manifestimit Tradicional për ‘Ditët e Agimit’ nga Programi Vjetor i Drejtorisë për Kulture Rini e Sport, e ka detyruar Këshillin e Bashkësisë Vendore të Zhegrës të gjejë donatorë, me qëllim të vazhdimit të mbajtjes së tij mendon ai. “Ky injorim po i bëhet heroit tonë të lavdishëm Agim Ramadani në mënyrën më të qëllimshme, dhe ne kërkojmë që kjo qasje të ndryshojë menjëherë. Kërkojmë që Manifestimi ‘Ditët e Agimit’ të futet në programin vjetor të Drejtorisë, me buxhetin e paraparë, dhe të trajtohet në mënyrë të dinjitetshme, ashtu si të gjitha manifestimet e këtij karakteri”.

Injorimi i kësaj pjese dhe këtij regjioni vazhdon edhe me shkatërrimin e shtëpisë së Kulturës në Zhegër që e mban emrin e Heroit tonë Kombëtar ‘Idriz Seferi’.

“Derisa rajonet e tjera mburren dhe i ngritin heronjtë e tyre sa më lart në piedestal, ne vazhdojmë ta mohojmë vetveten. Kjo qasje duhet të ndryshojë, sepse përmes Kulturës, ne mbrojmë identitetin tonë dhe Historinë e Lavdishme, ku sakrifica e heronjve tanë na bën krenarë se Gjilani ka dhënë shumë për Kosovën në të gjitha kohërat dhe në të gjitha luftërat e zhvilluara për liri, pavarësi dhe demokraci” ka shtuar Hajrullahu.

Mobi Casa

Duke folur për gjendjen e mjerueshme të disa shtëpive të kulturës Hajrullahu tha se Shtëpia e Kulturës në Bresalc, e djegur. “Ne për këto patëm ngritur edhe më herët shqetësime, por nga ajo kohë asgjë nuk është ndërmarrë, dhe ne jemi të detyruar që qytetarëve të Gjilanit tua paraqesim edhe njëherë fotot që tregojnë gjendjen e mjerueshme të këtyre objekteve Kjo do të thotë se kultura ka mbetur pa shtëpi, dhe nuk ka ku të zhvillohet”.

Pastaj negativizmi kulturor më së miri ilustrohet me pamjen e Bibliotekës (që gjendet në qendër të qytetit afër ish shtëpisë së mallrave) së qytetit, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, nën mbikëqyrje të Komunës, ku po vazhdon amullia për shkak të tenderomanisë, keqpërdorimit dhe keq menaxhimit të parasë publike. Dhënia e tenderit një kompanie joserioze si në disa raste të tjera, vazhdon ta tregojë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverisje. ‘Biblioteka, materiali me të cilin po ndërtohet ajo, fatkeqësisht po shitet për hekur. Kjo ndodh për shkak të moskryerjes e detyrave nga ana e komunës, obligimet administrative e procedurale që i ka komuna për këtë projekt të financuar nga BE në vlerë prej 2.2 milion euro” tha ai.

Një tjetër zhvillim negativ sipas Hajrullahut është dhuna psikike që po e përjetojnë Artistët e Teatrit të Qytetit, ku akoma nuk po zgjidhet problemi i tyre i futjes në listat e pagave, por po mashtrohen me disa subvencione, që janë të paqëndrueshme nga muaji në muaj. “Borxhet që i janë mbledhur Komunës, edhe në këtë Drejtori dhe në këtë sektor janë të shumta, por qasja jo transparente dhe e pabazuar në rregullore e futë edhe me tepër në obligime ndaj operatoreve ekonomikë atë. Qasja e tillë negative kundrejt këtij sektori bëhet një barrë edhe më e madhe për qeverisjen e ardhshme, e që ne besojmë thellë se do t’a fitojmë dhe do t’ia kthejmë udhëheqjen e mirë dhe të dinjitetshme Komunës sonë, ashtu siç e meriton Gjilani” shtoj ai.

“Si duket për Qeverinë Komunale është një luks i madh Kultura, sepse, ose nuk e ka në gjak atë ose nuk e ka në listën e prioriteteve. Kjo shihet edhe me buxhetin e varfër për këtë sektor, por edhe me jetën e varfër kulturore në përgjithësi në Komunë”.

Sipas Hajrullahut me qëllim të ofrimit të ambienteve më të mira për të rinjtë tanë, do të duhej të aktivizoheshin të gjitha vatrat e kulturës në vendbanimet e mëdha si qendra mini-rajonale: Pogragjë, Malishevë, Përlepnicë, Llashticë, Cerrnicë, Dobërqan, po ashtu edhe nëpër lagjet kryesore të qytetit dhe ndërtimi i këtyre qendrave do të ishte një investim shumë i domosdoshëm në parandalimin dukurive devijante tek gjeneratat e reja.

Në vazhdën e keqpërdorimeve të buxhetit komunal është edhe ekskursioni i fundit për në Shqipëri i organizuar nga Drejtoria për KRS me studentët e qytetit, ku kriteri i rekrutimit të tyre është kryesisht partiak dhe me qëllim të fushatës parazgjedhore nga ana e partisë në pushtet, ku edhe për këtë ekskursion nuk ka pasur asnjë informacion paraprak tha Hajrullahu./rajonipress/