Po ikin investitorët!
Nga Enis Veliu – Largimi i vazhdueshëm i investitorëve të huaj nga vendi jonë, edhe më shumë po e keqëson gjendjen edhe ashtu të rëndë ekonomike.
Kompani të huaja po vijnë në Kosovë, por shumica nga to, tashmë, po kthehen nga kanë ardhur, ose po ndalen në vende të rajonit, ku, momentalisht, ka kushte më të mira për investitorë.
Shkalla e lartë e korrupsioni, politikat jo të favorshme fiskale, por edhe mungesa e infrastrukturës edhe më tej vazhdojnë të jenë barriera kyçe që pengojnë ardhjen e fondeve të huaja në emër të investimeve.
Por, së fundmi situatën e ka keqësuar edhe më shumë mungesa e institucioneve qendrore të vendit. Por, nëse formimi i qeverisë së re vazhdon të zvarritet edhe më tej, atëherë në muajt në vijim Kosova, pa dyshim, se do të përballet me një krizë të madhe financiare.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sivjet kemi shumë më pak investime, por edhe interesimi është në rënie e sipër.
Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se investimet e huaja në Kosovë gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë qenë 39.5 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë 60,3 milionë euro.
Bërë një kalkulim të thjeshtë del se gjatë një periudhe të njëjtë kohore, sivjet kemi gati 50 për qind më pak investime të huaja, të cilat sadopak i ndihmojnë vendit për rimëkëmbje ekonomike, por edhe ulje të numri të të papunëve.
Deri më tash në garë për privatizimin e qendrës së skijimit në Brezovicë kanë qenë katër konsorciome, por së fundmi ofertën e ka dorëzuar vetëm njëra prej tyre.
Ndërkaq, të tjerat, përfundimisht, më nuk kanë shfaqur interesim për investime në vendin tonë.
Bazuar në të dhëna zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë oferta e vetme e dorëzuar për këtë qendër skjimi ka qenë ajo e cila përbëhet nga kompanitë “PGI Management & MDP Consulting” dhe një partner lokal.
Problem për investitorë të rinj, nga 1 shtatori i këtij vitit, do të jetë edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila është në kolaps të plotë.
Para një kohe, nga një agjenci kishin dhënë dorëheqje dy anëtarë të bordit. Ndërkaq, së fundmi iu ka skaduar koha e caktuar edhe disa të tjerëve, duke e bërë bordin kështu jofunksional.
Anëtarët e mbetur të bordit, aktualisht, janë duke e luajtur rolin e monitoruesit të menaxhmentit, por jo edhe të vendimmarrjes.
Edhe në këtë institucion situata vazhdon të mbetet e njëjtë, ngase anëtarët e rinj të bordit i propozon Qeveria e Kosovës, por të njëjtit më pas duhet të kalojnë për votime në Kuvendin e Kosovës, i cili tashmë 3 muaj është jofunksional.
Andaj, mungesa e formimit të institucioneve përpos dëmeve të mëdha politike, po krijon edhe probleme të mëdha ekonomike, pasi që në një situatë të tillë çdo kompani e huaj serioze heziton të investojë në vendin tonë.
Deri më tash Kosova ka shpenzuar shuma të mëdha parash për përmirësim të imazhit përmes promovove e reklamave të ndryshme të emetuara nëpër televizione të fuqishme botërore.
Mirëpo, të gjitha këto kanë shkuar huq me problemet e fundit që u shfaqën në vend me mosformimin e institucioneve të reja. Sado që të zgjasë zvarritja e institucioneve të reja, aq më shumë do të dëmtohet vendi në aspektin politik e aq më shumë në atë ekonomik.


