Po i vjen fundi debatit për evolucionin?

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Richard Leakey parashikon se skepticizmi për evolucionin së shpejti do të jetë pjesë e historisë. Ateisti i deklaruar haptas nuk e ka asnjë dyshim për këtë.

Paleoantropologu i lindur në Keni thotë se në 15-30 vitet e ardhshme zbulimet shkencore do të përshpejtohen deri në nivelin të cilin “edhe skeptikët më të mëdhenj do ta pranojnë”. “Nëse arrini në stadin ku ju mund t’i bindni njerëzit me dëshmi të plota se të gjithë ne jemi afrikanë, se ngjyra është sipërfaqësore, se fazat e zhvillimit të të gjitha kulturave janë interaktive”, thotë Leakey, “atëherë mendoj se e kemi shansin që bota të përgjigjet më mirë ndaj sfidave globale”.

Leakey është profesor në Universitetin Stony Brook në Long Island. Tash së voni i ka kaluar disa javë në New York, për të promovuar Institutin Turkan Basin të Kenisë. Instituti ku ai e kalon shumicën e kohës së tij mirëpret hulumtuesit dhe shkencëtarët nga e gjithë bota, që t’i përkushtohen zbulimit të origjinës së njerëzimit në një zonë të pasur me fosile.

Miku i tij, këngëtari i njohur Paul Simon, më 2 maj mblodhi në Manhattan fonde për këtë Institut, në një shumë prej më shumë se 2 milionë dollarëve. Dokumentari i “National Geographic” për punën e tij në Turkana, është transmetuar këtë muaj në televizionin publik.

Leakey 67 vjeçar është biri i të ndjerëve Louis dhe Mary Leaky, ndërsa kërkimet i zhvillon me gruan e tij Meave dhe vajzën Louise. Familja thotë se ka zbuluar shumë “fosile që dëshmojnë evolucionin njerëzor”.

Në prag të kthimit të tij në Afrikë, në fillim të javës, Leakey foli në New York për “Associated Press”: për të kaluarën dhe për të ardhmen.

“Nëse shikojmë prapa, gjëja e parë që ju intrigon nëse keni ndonjë ndjeshmëri, është se shuarja është fenomen i zakonshëm”, thotë Leakey. “Shuarja drejtohet gjithmonë nga ndryshimet e mjedisit. Ndryshimi i mjedisit është drejtuar gjithmonë nga ndryshimi i klimës. Njeriu ka përshpejtuar, nëse jo krijuar, fenomenin e ndryshimit planetar. Unë mendoj se ne duhet të pranojmë se e ardhmja nuk është aspak optimiste”.

Shpresat për të ardhmen e njerëzimit, insiston ai, qëndrojnë në pranimin e provave ekzistuese shkencore për kaluarën.

“Nëse ne pohojmë në gjithë botën, nga qendrat si Evropa dhe Amerika, se evolucioni është i pakuptimtë dhe se shkenca është e pakuptimtë, si i luftoni atëherë patogjenet e reja, si i luftoni variacionet e reja të sëmundjes që po zhvillohen në mjedis?”, pyeti ai.

“Nëse nuk e pëlqen fjalën evolucion, mua nuk më intereson se si e quani. Por, dijeni se jeta po ndryshon. Mund t’i nxirrni të gjitha fosilet që janë mbledhur dhe të krijoni linjat të cilat edhe budallai mund t’i bëjë. Pra, çështja është se pse, se si ndodh kjo? Kjo nuk është e shtjelluar tek Zanafilla. Nuk ka asnjë shpjegim për këtë ndryshim, që shkon 500 milionë vjet prapa, në asnjë libër që kam lexuar nga buzët e cilitdo perëndie”.

Leaky pranon se ka antipati ndaj religjionit.

Uji Dea

“Nëse ju më thoni: paj, njerëzit vërtetë kanë nevojë për religjion… Atëherë e kuptoj këtë”, thotë ai. “Unë nuk e shoh asnjë arsye se pse ju duhet tërë jetën të mendoni se nëse jeni qytetar i mirë, atëherë do ta keni një të ardhme më të mirë në botën tjetër…”!

Leakey e filloi punën e tij në kërkim të fosileve në mesin e viteve ’60 të shekullit të kaluar. Ekipi i tij më 1984 ka zbuluar një skelet gati të plotë, 1.6 milion të vjetër, që do të njihet se “Djali Turkana”: njeriu i parë i njohur me këmbë të gjata, duar më të shkurta dhe shtat të lartë.

Në fund të viteve ’80, Leakey e nisi karrierën e tij në shërbimin qeveritar të Kenisë, duke udhëhequr shërbimin e rezervatit natyror kenian. Ai udhëhoqi projektin për të mbrojtur elefantët nga kontrabanduesit, të cilët e kishin vrarë këtë kafshë në shkallë alarmante, vetëm e vetëm për t’ua marrë brinjët e çmuar të fildishit. Ai ka konfiskuar 12 tonelata të fildishit në Parkun Nacional të Najrobit dhe i dogji ato në demonstratën e vitit 1989 gjë që tërhoqi vëmendjen e kryetitujve të mediave në botë.

Në vitin 1993 Leakey u pësoi aksident me një aeroplan të vogël. Pjesët e poshtme të këmbëve të tij janë amputuar, kështu që ai sot ecë me ndihmën e gjymtyrëve artificiale. Kishte dyshime se aeroplani i tij ishte sabotuar nga armiqtë e tij politikë, por kjo kurrë nuk u vërtetua.

Rreth një dekadë më parë, ai vizitoi Universitetin Stony Brook, në lindje të Long Islandit – që është degë e Universitetit shtetëror të New Yorkut – si ligjërues mysafir. Dekanja e atëhershme Shirley Strum Kenny është angazhuar që Leakey t’i bashkohet fakultetit. Procesi zgjati afro dy vjet.

Kenny e bindi atë se ai mund të mbetet në Keni për pjesën më të madhe të kohës së tij, e ku studentët e antropologjisë së Universitetit Stony Brook mund ta vizitojnë dhe të mësojnë për punën e tij. Kolegji që është themeluar në vitin 1957 mund të përfitojë nga përvoja e një profesori të shquar si Leakey.

“Ishte më e lehtë për të punuar me një universitet të ri që nuk ka një imazh 200 vjeçar, si ato më të vjetrat e më prestigjiozet në SHBA, ku nuk mund të ndryshoni atë se çfarë kanë bërë e çfarë kanë menduar”, thotë ai.

Në fillim të këtij muaji, Paul Simon performoi në një darkë për mbledhje fondesh për Institutin Turkana Basin. Simon u pajtua që muzika e tij të përdoret në dokumentarin e realizuar nga “National Geographic”, ndërsa gjatë mbledhjes së fondeve dhuroi një kitare me autograf që u shit për 20 mijë dollarë.

Leakey, i cili kënaqet duke e hulumtuar të kaluarën, është pak optimist për të ardhmen.

“Ne mund të jemi në cepin e disa fatkeqësive të vërteta që nuk kanë fare të bëjnë as me mbijetesën e elefantëve, e as të gatopardëve, por me atë se a do të mbijetojmë ne”! /Telegrafi/