Uji Dea

Po degradohet ekonomia gjilanase

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Nexhmedin Shaqiri, nga kryesia e “Vetëvendosjes” në Gjilan, tha se në këtë komunë nuk ka lehtësime për bizneset, por vetëm ngarkesa për to dhe kjo po e degradon edhe më tepër ekonominë tonë.

Sipas Shaqirit, zhvillimi ekonomik në Gjilan ka ngec veçmas pas privatizimit të ndërmarrjeve të cilat lanë të papunë mijëra punëtorë që ishin duke punuar në to dhe këtë e ilustroi me shembuj. Ai foli edhe për të hyrat e buxhetit komunal dhe shpenzimet , duke kritikuar me këtë rast shpenzimet e mëdha të zyrës së kryetarit, për të cilat tha se po keqmenaxhohen.

Shaqiri tha se buxheti komunal më së shumti shpenzohet për të shtruar asfalt sepse aty ka më shumë mundësi për të keqpërdorur paranë publike. Sipas tij edhe investimi në asfalt bëhet kryesisht për të tërhequr votat e qytetarëve.

Shaqiri, tha se në Gjilan ka vetëm investime të brendshme edhe atë vetëm në tregti e jo prodhimtari, kjo për pasojë të politikave të këqija të pushtetit, për çka edhe ka mungesë të investimeve të huaja.

Sipas tij vet fakti se në komunën e Gjilanit, 47.6 për qind janë të papunë, është treguesi më i mirë se ekonomia gjilanase është me keq se asnjëherë më parë dhe varfëria shumë më e lartë, derisa kërkesat për asistencë sociale janë në rritje, kjo për pasojë të mungesës së zhvillimit ekonomik.

Mobi Casa

Edhe, Abdulla Bajra, afarist, tha se mungon stimulimi i biznesit si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror, derisa në anën tjetër kemi rritje të ngarkesave për bizneset çfarëdo qofshin ato, kurse Ismajl Kurteshi, kryetar i kësaj lëvizje në Gjilan, tha se Gjilanit i janë zvogëluar resurset natyrore të zhvillimit ekonomik me procesin e decentralizimit, duke humbur kështu 125 kilometra katror, sikur që as 10 për qind e ish-ndërmarrjeve të mëparshme prodhuese nuk janë duke punuar, sikur që toka e bukës po tjetërsohet derisa papunësia dhe varfëria po rritet gjithnjë e më shumë.

Ai vlerësoi të paimagjinueshme zhvillimin ekonomik kur për bujqësi e sektorë tjerë të rëndësishëm komuna ndan shumë simbolike.

Muharrem Bajrami, duke shprehur pakënaqësinë me gjendjen ekonomike në vend, bëri thirrje për politika të mençura ekonomike, kurse Musli Arifi, afarist, shprehu pakënaqësinë me mospërkrahje të biznesit dhe ngarkesa të tyre.

Avni Rudaku, nënkryetar i VV i bëri thirrje pushtetarëve, që të krijojnë politika të mira veçmas për mërgimtarët tanë të cilët janë të interesuar të investojnë në vendin e tyre, pasi siç tha ai, ata janë potencial i madh, por janë harruar./rajonipress/