GRANDEMALL

Ploja e Skifterajt…

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Ploja e fshatit Skifteraj (Gjylekar) apo ploja e vdekjes, siç e kanë quajtur këtë kohë tragjike të fshati në fjalë, jo vetëm që nuk do të harrohet, por ajo do të mbahet në mend tek shumë gjenerata njerëzish të kësaj ane për luftën e fundit, të 15 prill 1999.

Banorët e Gjylekreshtës e kanë pësuar keq e rëndë. Gjylektreshta është njëra nga fshatrat më të mëdha në komunën e Vitisë. Kur erdhi lufta, qytetarët e Gjylektreshtës nuk e merrnin me mend se do të ndodhë diçka tragjike në fshatin e tyre. Nuk e kishin ndjenjën e frikësimit, për faktin se nuk kishin bërë asgjë të keqe në jetë.

Por, kur u afruan ditët dhe kur dëgjonin fjalë e ngjarje të dhimbshme e tragjike se si ushtria kriminele serbe po vriste, masakronte e po torturonte njerëz të pafajshëm të Kosovës, sikur i madh e i vogël i këtij fshati filluan të frikësoheshin kësaj të keqe. E kotë ishte marrëveshja e qytetarëve të Gjylektreshtës e arritur më 14 prill të vitit 1999 në mes pushtuesit serb dhe qytetarëve të këtij lokaliteti që, përmes dhënies së parave, ata do të qëndrojnë në fshat dhe do të jenë më të sigurt e pa lëvizur nga vatrat e tyre stërgjyshore.

Por, jo! Kjo marrëveshje nuk pati rezultat dhe ajo u shkelë nga prijësit barbarë serbë, të cilët ishin ardhur në fshat për ta mashtruar popullatën e këtij lokaliteti. Por, shkau asnjëherë nuk e ka mbajtur fjalën. Nuk e mbajti edhe kësaj here për qytetarët e Gjylekreshtës, të cilët, për të dytën herë vijnë në fshat dhe shtinë me armë zjarri për ta frikësuar popullatën e këtij fshati, me të vetmin qëllim që t’i frikësojnë dhe i detyrojnë t’i largojnë nga trojet e tyre stërgjyshore. Fillojnë krismat nga çdo anë.

Mandej, ata shtinë edhe në njerëz të këtij lokaliteti. Dhe, si pasojë e këtyre krismave, erdhi bilanci fatal apo tragjik. Ata vranë gjashtë vetë dhe trembëdhjetë të të tjerë i lanë të plagosur. I vranë këta qytetarë të këtij fshati: Hatixhe Mustafa, e lindur më 1951 dhe Nazmi Pajazitin i lindur më 1946. Mandej, janë vrarë nga forcat e errëta kriminele serbe: Shurte Sadiku (fëmijë 9-vjeçar), Malësore Sadiku (fëmijë 4-vjeçar), Selami Ismajli dhe Mehmet Ismajli po të këtij fshati. Por, edhe pas kësaj “gjendje”, Gjylekreshta nuk pështon lehtë.

Paramilitarët e egërsuar i djegin edhe disa shtëpi. Por, më vonë, qytetarët e kanë identifikuar pjesëmarrësin e krimeve të bëra në fashatin e tyre. Siç mësohet nga ata, një paramilitar serb është nga fshati Zhegër. Emri i njohur për qytetarët e këtij lokaliteti. Pra, ishte vërtet një plojë e rëndë mbi popullatën e pafajshme shqiptare, e cila, duke parë zullumin e keq të ushtrisë paramilitare serbe, ajo u largua nga vatrat e tyre stërgjyshore dhe u vendos nëpër fshatrat e afërme Stubëll të Poshtme e mese tjera banimi. Jo vetëm kaq. Trembëdhjetë fshatarë të plagosur të këtij fshati janë vendosur në shtëpinë e Jetish Abazit nga Stublla e Poshtme.

Djali i Jetishit, Ekremi, atë kohë ishte aktivist i dalluar i LDK-së. Ai ka dhënë kontribut të madh në ndihmë popullatës së këtushme, i cili solli mjekë e njerëz për t’i shëruar të plagosurit e këtij lokaliteti.

Me këtë rast, vlen t`i përmendim mjekët që dhanë kontributin e tyre në ndihmë të shumë njerëzve, si janë: Rahim Avdiu nga Gjylektreshta, Jashar Ramadani nga Zhegra, vëlla i Agim Ramadanit dhe Sadik Rashiti po nga fshati Gjylekreshtë. Ndihmë kanë dhënë edhe tjerë të rinj, si Rrustem Bekteshi nga Zhegra, Fazli Ramadani – teknik në pension, Arzie Shabani motër medicionale si dhe vajza e mjekut Rahim e ndonjë tjetër. Të plagosur janë shëruar falë ndihmës së këtyre mjekëve vullnetarë. Dhe, nga kjo plojë e vdekjes, e cila nisi me dhunë të paparë nga forcat e errëta serbe, qytetarët e Remnikut të Hasan Alisë janë larguar nga më e keqja dhe janë dalë në mal.

Dy javë ditë kanë qëndruar nën qiellin e hapur. Pas kësaj kohe, ata janë kthyer nëpër shtëpitë e veta. Flitet në masë se, një meritë e madhe i takon një qytetari nga Remniku, me banim në Viti, Z. A., i cili, falë tij, remnikasit janë kthyer në shtëpitë e tyre dhe i kanë shpëtuar më të keqes. Ndërsa, në qendër të fshatit Gjylektreshtë zihen peng shumë njerëz. Këta pësojnë keq e rëndë. Keq kanë pësuar edhe disa qytetarë të fshatit Nasalë, të cilët u gjenden këtu tek të afërmit e tyre. Këta qytetarë nasalas merren me dhunë nga paramilitarët serbë. I vendosin në një motokultivator. I drejtojnë rrugës kah Budriga shqiptare.

Në rrugën nasalasit i rrahin rëndë. Kur vijnë te varret e Budrigës, paramilitarët i marrin këta qytetarë dhe i rrahin një nga një. Disa herë deshën t’i vrasin, por fati deshi i lirojnë gjallë e të “vdekur”. I bëjnë krejt të përgjakur nga rrahjet: haxhi Raif Emini, Emin Emini, Raqip Emini, Afrim Emini, Driton Selimi, Rexhep Selimi, Blerim Emini etj. S’di si janë kthyer në Gjylektreshtë. Mezi i kanë shpëtuar vdekjes. Aty është luajtur kjo lojë e vdekjes. Një lojë e kriminelëve serbë, të cilët deshën t’i largojnë krejt popullatën e këtij lokaliteti. Po në këtë datë, 15 prill 1999, nga shtëpitë e tyre zhvendosen edhe banorët e Zhitisë e të Ballancës, Cërnicës, Radivojcit etj.

Uji Dea

Një dëshmitar i kësaj ploje ka shtuar se, kur në fshat hyn disa paramilitarë serbë, popullata e ndjeu vetën keq e rëndë. Në lagjen e Gjylekreshtë, që janë në hyrje të fshatit, bastisen, keqtrajtohen e plaçkiten familjet mbi dy orë. Thonë, pasi e kanë kryer punën e tyre, ata duke shtie me armë e duke kërcnuar e bërtitur e çirrur, vazhduan rrugën duke u ngjitur kah qendra e fshatit në fjalë. Gjatë këtyre të shtënave, në ikje e sipër vranë dy veta. Vrasësit deshën t’i mbulojnë gjurmët e krimit barbar.

Mirëpo, gjurmët nuk fshihen dot. Qytetarët, të frikësuar tejmase, ata hynë në një plevicë për tu strehuar nga kriminelët serbë. Ata i gjetën dhe plevicës ia vejnë zjarrin duke i djegur dy të rinj. Kufomat e tyre pas pak kohësh janë gjetur të djegura e të karbonizuara tërësisht. Rrëmuja dhe tmerri nuk kishin kufi. Këta që vepruan barbarisht tentuan të maskoheshin. Por, ja, njëri nga këta kriminelët ishte i njohur me nofkën “truba” nga Kllokoti.

Thonë se ky kriminel, para lufe ka punuar si mësimdhënës, bile kishte dhënë mësim edhe në paralelet shqipe. Një thonë ka qene nga fshati Novosellë etj. Kur ikën banorët e Gjylekreshtën në mal, koha mbante ftoftë. Në male, aty afër fshatit, banorët e Gjylekreshtës qëndruan dy javë pa bukë, pa ujë, sepse uji që gjetën, brenda dy dite pati shteruar. Mësojmë nga qytetarët që kanë pësuar në këtë kohë se, pas dy jave, me vetë iniciativë, ata janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Edhe pas kthimit, kriminelët nuk i linin të qetë, sepse shpesh i vizitonin duke u kërkuar fshatarëve para, edhe atë shuma të majme për t’mos u larguar nga vendbanimet e tyre.

Disa fshatarë nuk patën mundësi ta përballojnë këtë gjendje dhe filluan të largohen nga shtëpitë e tyre. Ata që mbetën në fshat, përheherë ishin me frikë e droje, se barbarët serbë shpesh i vizitonin dhe i maltretonin keq. Në këtë “lojë” të luftës ishin të kyçur dhe serbët vendorë. Po këtë ditë, më 15 prill 1999, janë zhvendosur edhe banorët e Zhitisë e Malishevës. Ishte mëngjes. Shumë makina ushtarake e kriminele erdhën në Zhiti, por ia kishin mësyer Zhegocit. Ajte u ishte caku. Me dhjetëra pizgauerë ishin nisur në këtë vend. Në mbrëmje erdhi lajmi se në Zhegoc i kanë vrarë 16 vetë.

Me dhunë, paramilitarë serbë i detyruan banorët e Zhitisë e Radivojcit të largohen nga shtëpitë e tyre. U vendosen në Pozharan. Por, në kohën kur konvoji i qytetarëve ishte dalë në rrugë, paramilitarë serbë i plaçkitin në hyrje të Kllokotit. Nuk kaloi familje shqiptare pa u plaçkitur nga tre paramilitarë të maskuar. Këta ishin serbë, që u ndihmonin forcave të errëta për ti frikësuar e për t’ju grabitur gjërat me vlerë. Gati çdo makinë, traktorë me familjarë janë plaçkitur nga paramilitarë serbë. Në këtë konvojë ishte edhe autori i këtyre radhëve. Lajmet vinin se në çdo mes po bëhej dhunë nga ushtria çetnike serbe.

Vrasje, djegie, shkatërrime pati edhe në shumë mese, por më së shumti ishin në fshatrat Gjylektreshtë, Smirë, Trestenik, Vërban e në disa fshatra të komunë së Gjilanit, si në Llashticë, Zhegër, Lladovë, Nasalë etj. Këto skena i shihnim nga Zhitia, kur gjendeshim në rrugë pa kthim. Shtëpitë e Gjylekreshtës digjeshin. Shihej lart ka dilte tymi i zjarrit. Na s’kishim mundësi të bëjmë asgjë. Secili interesohej se si të shpëtojë. Ushtarakët serbë shetitnin rrugës dhe qeshnin me ne. I mbanin armët gati. Askush nuk qitte zë. Ishte gjendje e njerëzve të gjallë, e jetonin si të “vdekur”! Na kthyen në Kllokot për të vazhduar rrugën për në Pozharan.

Po, sa u vendosëm ne, pas një kohe, arriti konvoji i njerëzve Malishevës e të Devajës. U bë fshati Pozharan me dhjetëra mijëra njerëz. Ishte mbrëmje. Lajmet e hidhura vinin në këtë kohë shpejt dhe “rrena” shitej më shumë se e vërteta! Thanë se, tre vetë janë vrarë në Terstenik: Sabri Salihu, Ruzhdi Nuredin dhe Nazife Hajdari.

Në këtë vrasje ishin të përfshirë disa nga serbët lokalë, madje edhe inkasanti i rrymës për këtë fshat. Në fshatin e Ri u vra Rrustem Zeqiri. Në fshatin Lubishtë janë masakruar tre vetë: Muhamet Muharremi, Xhemajl Ademi, Mustafë Shema si dhe është vrarë Beqir Nura. Ndërsa plagosen këta qytetarë: Shukri Hajdari e Blerim Hetemi. Por, të zhdukur janë këta njerëz: Saqip Hoxha nga fshati Sllatinë e Epërme, Daut Zenuni nga Kabashsi, Zylfi Agushi nga Smira dhe Sulbie Metushi nga Lubishta.

Kllokoti, gjatë tërë kohës së luftës së bombardimeve të NATO-s, këtu ishin të vendosur hordhitë serbe, të cilat në udhëkryq e këtij fshati maltretonin banorët e fshatrave të komunës së Gjilanit: Petroci, Llashtica, Cërnica, të Vitisë fshati Zhiti, Devajë, e Radivojc. Këtyre njerëzve u morën shuma parash, stoli ari e sende të tjera me vlerë. (Pjesë nga vepra dokumentare “Pragjet e përgjakura” të autorit në fjalë). /Tefik Selimi/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.