Platini sërish injoron Kosovën
Figurat që po kundërshtojnë ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, janë shfaqur edhe njëherë në mediat evropiane. Presidenti i shtëpisë së futbollit evropiane, UEFA, Michel Platini, ka komentuar për çështjen e Kosovës dhe Katalunisë, duke mos dhënë shpresa pranimi, të paktën deri sa të mos anëtarësohen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Duke folur për kërkesën e pranimit të Gjibraltarit, Platini theksoi: “Nga ne është kërkuar që ta anëtarësojmë Gjibraltarin për shkak të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv. Kjo është arsyeja pse duhet të kërkojmë nga Kongresi ta pranoj vendimin”.
Ndonëse as Gjibraltari nuk është pjesë e OKB-së, Platini ka thënë se rregulli për mos-lejimin e anëtarësimit për vendet që nuk janë pjesë e Kombeve të Bashkuara ka hyrë në fuqi gjatë vitit 2001, ndërsa kërkesa e Gjibraltarit ka ardhur më herët. Sa i përket Kosovës, Platini theksoi se ky rregull nuk lejon UEFA-n të merret me këtë çështje.
“Për këtë arsye ne nuk merremi me çështjen e Kosovës ose Katalunisë”, deklaroi Platini. Ky reagim i legjendës franceze të futbollit vjen vetëm një javë para se Komiteti Ekzekutiv të takohet në Tokio të Japonisë, për të diskutuar rreth lejimit të ndeshjeve miqësore për Përfaqësuesen e Kosovës. (ORAinfo)