Fundamenti

Plani pesëpikësh i Kurtit – Ekspertët thonë se përbën shkelje kushtetuese

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Me fillimin e implementimit të planit pesë pikësh për normalizim të situatës, njohës të çështjeve politike dhe të drejtësisë po vlerësojnë se ka elemente të shkeljes së Kushtetutës nga e institucioneve, raporton Ekonomia Online.

Në pikën 3 të planit, theksohet se: Policia e Kosovës dhe KFOR, apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë për të garantuar ambient të sigurt për të gjithë.E pikërisht kjo pikë po kontestohet nga analistët, teksa thonë se është shkelur neni 18 i Kushtetutës së Kosovës.

Analisti politik, Afrim Kasolli, thotë se sipas normave kushtetuese në Kosovë, asnjë dorëzim i sovranitetit nuk mund të bëhen duke e përjashtuar Kuvendin e Kosovës.“Një çështje delikate sa i përket marrëveshjes që u proklamua nga Qeveria e Kosovës për shtensionim që thuhet se është arritur ndërmjet kryenegociatorit Bislimi me përfaqësuesin Lajçak, është sidomos tek pika 2, ku thuhet se ‘Policia e Kosovës do të bashkëpunojë me KFOR-in dhe EULEX-in për të monitoruar situatën e sigurisë në veri’.

Eco Higjiena

Sa i përket bashkëpunimin me KFOR-in, nuk kemi nevojë shumë ta interpretojmë sepse e dimë bazën legale të KFOR-it, mirëpo sa i përket bashkëpunimit me EULEX-in kjo bartë edhe një çështje shumë delikate sepse mos të harrojmë se është një shkelje e dyfishtë e sovranitetit të vendit”, u shpreh ai, teksa dha edhe një shpjegim për këtë.“Sepse vazhdimi i mandatit të EULEX-it është bërë vetëm përmes letër-këmbimit ndërmjet presidentes Osmani dhe përfaqësuesve të BE-së, duke e anashkaluar Kuvendin e Kosovës. Sipas normave kushtetuese në Kosovë, asnjë dorëzim i sovranitetit nuk mund të bëhen duke e përjashtuar Kuvendin e Kosovës. Praktikisht, Kuvendi i Kosovës, këtu është përjashtuar si mekanizëm i cili do ta legjitimonte vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë”, thotë tutje Kasolli.Mendim të njëjtë ndanë dhe avokati Ardian Bajraktari.

Ai për Ekonomia Online, thotë se çdo bartje e sovranitetit nga ana e institucioneve tona duhet domosdoshmërish të shkohet përmes ratifikimit në Kuvend.“Sa i përket çështjes së përfshirjes së mekanizmave qoftë të sigurisë por jo vetëm në çështjet që kanë të bëjnë me elementet edhe të sigurisë por edhe elemente tjera të natyrës për të cilat janë institucionet kushtetuese dhe ligjore të mandatuara për të ushtruar përgjegjësitë e tyre, çdo bartje e elementeve të sovranitetit nga ana e institucioneve tona tek institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtar, këtë rast te EULEX-it, atëherë ka elemente që duhet domosdoshmërish të shkohet përmes ratifikimit në Kuvend sipas nenit 18 të Kushtetutës, ngase njëra prej elementeve ose aspekteve që duhet domosdoshmërish të kalojë përmes ratifikimit në Kuvend, është edhe bartja qoftë të një pjese apo edhe të sovranitetit të plotë”, thotë Bajraktari, teksa citon edhe nenin e Kushtetutës që e kërkon një gjë të tillë.

“Në fakt kemi parë një zotim nga ana e institucioneve tona, mirëpo me sa kemi parë nuk ka ndonjë veprim konkret. Prapë po them, bartja e sovranitetit, ushtrimi i sovranitetit duhet të bëhet nga institucionet tona dhe në këtë rast, ushtrimi i kompetencave ekzekutive që ka pasur në të kaluarën EULEX-i, domosdoshmërish është kaluar përmes ratifikimit në Kuvend, siç parashihet me nenin 18 të Kushtetutës”, thotë ai.