Plani për “Trepçën”, Qeveria 80 për qind të aksioneve, punëtorët 20 %
Projektligji për “Trepçën” i ka tetë faqe dhe se në kuadër të dispozitave të këtij Projektligji ato e përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në Shoqëri Aksionare me ç’rast Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronare e 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtorët pronarë të 20 për qind të aksioneve.
Deputetët të painformuar, të premten votimi.
Projektligji për “Trepçën” i ka tetë faqe dhe se në kuadër të dispozitave të këtij Projektligji ato e përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në Shoqëri Aksionare me ç’rast Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronare e 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtorët pronarë të 20 për qind të aksioneve,raporton Gazeta Kosova Sot
Në mbledhjen e radhës, Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, të mërkurën ndër të tjera miratoi Projektligjin për “Trepçën”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, që e ka prezantuar këtë Projektligj, që sipas Qeverisë ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore, e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për vitalizmin e “Trepçës”, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Edhe kryeministri Isa Mustafa foli në këtë mbledhje për Projektligjin për “Trepçën”.”Ndoshta mund të jetë një mos të them problem, por pasqyrë e veçantë kjo që është përshtypja që në mënyrë të ngutshme ne po e vëmë këtë në rend dite edhe në Qeveri, edhe në Kuvend. Kam parasysh edhe vërejtjet për këtë që dhanë disa anëtarë të Qeverisë, mirëpo po ashtu kam parasysh edhe një periudhë shumë të gjatë kohore, në të cilën ne kemi punuar për gjetjen e mundësive më të mira për statusin e ardhshëm të “Trepçës”. Ne e kemi themeluar me kohë një komision këtu në Qeveri, që ka pasur për detyrë të hartojë Ligjin për “Trepçën” dhe të përcaktojë statusin e saj, një komision i cili është përbërë prej ekspertëve që ne kemi menduar se janë më të mirët në këtë fushë, përfshirë edhe komunitetin serb”, theksoi kreu i Qeverisë. “Kemi pasur prezantimin e pesë studimeve të rastit, që janë financuar nga Qeveria, por janë bashkërenditur nga Komisioni për Ekonomi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, që kanë trajtuar rastet e ngjashme ose të njëjta me vendet qoftë në tranzicion ose me vendet e tjera, të cilat pastaj na kanë shërbyer që ne të marrim disa elemente shumë të rëndësishme nga ato dhe t’i inkorporojmë në këtë ligj”, tha Mustafa.
Transformimi i njësive biznesore Por, me këto veprime të Qeverisë së Isa Mustafës janë shprehur të pakënaqur ekspertët dhe opozita që po e kundërshtojnë mënyrën dhe formën tinëzare se si është proceduar me vonesë dhe është kontrabanduar sipas tyre Projektligji në fjalë. Kryesia e Kuvendit të Kosovës që në mbledhjen e ditës së hëne ka marrë vendim që Ligji për “Trepçën” të procedohet urgjentisht për ditën e premte për mbledhjen e radhës të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik,Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa (LDK), ndërkaq, ka sqaruar për gazetën se Projektligji për “Trepçën” i ka tetë faqe dhe se në kuadër të dispozitave të këtij Projektligji ato e përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në Shoqëri Aksionare me ç’rast Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronare e 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtorët pronarë të 20 për qind të aksioneve. Mustafa i ka quajtur të pavend kritikat që i kanë bërë disa nga ekspertët e ekonomisë dhe deputetët e opozitës lidhur me mënyrën e procedimit të këtij Projektligji për debat në Kuvendin e Kosovës. “Vërejtjet dhe kritikat e opozitës dhe disa ekspertëve të ekonomisë janë pa vend dhe nuk qëndrojnë fare, se deputetët e opozitës kanë kohë të mjaftueshme për ta lexuar materialin dhe Projektligjin në fjalë që është shumë i shkurtër, pasi ka vetëm 8 faqe dhe i njëjti është dorëzuar përmes adresës elektronike e më pas edhe do të dorëzohet materiali për deputetët”, tha ai. Sipas Mustafës, deputetëve të opozitës u mbetet mjaft kohë deri të premten për ta lexuar materialin e dërguar qoftë përmes adresës elektronike, qoftë edhe me shkrim dhe kësisoj ata munden që të japin kontributin e tyre me vërejtjet, këshillat dhe sugjerimet e tyre në debatin që do të bëhet në Kuvendin e Kosovës deri në miratimin e këtij ligji që pritet të bëhet ditën e premte.
Opozita ankohet, kohë e shkurtër për Projektligjin Ndërkaq, deputeti i opozitës, Bali Muharremaj( AAK) ka thënë vetë qasja e kësaj Qeverie me neglizhencën që ajo e ka treguar për miratimin e Projektligjit për “Trepçën” po e tregon se sa është e papërgjegjshme Qeveria “Mustafa” .”Ne menduam që Kombinati ‘Trepça’ do të duhej të trajtohet me urgjencë dhe me seriozitetin më të madhe e jo të injorohet kësisoj sikurse të ishte fjala për një kooperativë bujqësore që te ne kanë qenë qindra sosh . Ndaj që befasia të jetë edhe më e madhe Qeveria ‘Mustafa’ na njofton se çështja e ‘Trepçës’ do të jetë në rend dite, por pa e pasur Draftligjin në dorë dhe të njëjtin e kanë dërguar vetëm në formën elektronike. Derisa nuk kemi materialin dhe dokumentacionin në tërësi dhe nuk dihet se si do të bëhet riorganizimi, ne si AAK, por besoj se edhe vetë deputetët e pozitës dhe opozitës do të kemi huti për këtë ligj që po na servohet. Andaj, për momentin ,si parti edhe nuk jemi të sigurt për votim derisa nuk e kemi Draftligjin përpara”, theksoi ai. Sipas tij, sjellja e kësaj Qeverie tregon se puna e tyre me Kuvendin e Kosovës dhe bashkëpunimi është i pakoordinuar. Ndërsa, deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), tha se vonesat janë të paarsyeshme dhe kjo Qeveri nuk ka qenë në gjendje që t’i kryejë detyrat dhe përgjegjësitë që duhet të ishin për këtë kombinat. “Nga Administrata e Kuvendit të Kosovës, ne të mërkurën e kemi pranuar vetëm Projektligjin për ‘Trepçën’, vetëm në formën elektronike dhe të njëjtin tanimë jemi duke e trajtuar si deputetë dhe nuk mund të themi asgjë për momentin pa u konsultuar dhe pa e bërë analizën edhe me ekspertët tanë partiakë”, ka thënë ai./kosova sot/


