Plani i veprimit rrit shkallën e inkasimit të tatimit në pronë në Viti

Viti – Plani i veprimit për rritjen e inkasimit të tatimit në pronë i Drejtorisë për Financa Ekonomi dhe Zhvillim i komunës së Vitisë, ka ndikuar që në këtë sektorë të rritet shkalla e të hyrave, respektivisht të hyrave komunale brenda këtij muaji duke rritur gjithashtu edhe shkallën e të hyrave të përgjithshme komunale në gjashtëmujorin e fundit.
Plani i veprimit përcakton rrugën që do të ndjekë Komuna e Vitisë për të inkasuar borxhet e mbetura të taksapaguesve të komunës së Vitisë ndaj tatimit në pronë si dhe masat që do të ndërmerren për të rritur inkasimin në të ardhmen, raporton rajonipress.
Si objektiv kryesor i këtij plani është shlyerja e detyrimeve të mbetura të taksapaguesve të mëdhenj që kanë borxh më shumë se 500 euro.
Përgjegjësi i sektorit të Tatimit në Pronë, Mefail Azizi duke folur për zbatimin e këtij plani, thotë se në dy javët e fundit kemi arritur t`i dorëzojmë afër 400 vërejtje dhe janë në proces edhe të vërejtjeve tjera, ndërkohë që brenda një jave kanë arrit të inkasojnë rreth 22.000 euro.
“Pas shpërndarjes së këtyre vërejtjeve, qytetarët janë përgjigjur pozitivisht dhe kanë kryer obligimet, ndërkaq kjo po vazhdon me të njëjtin trend që mund të vlerësojmë se do të tejkalohet plani i paraparë i inkasimit për këtë gjashtë mujor”, ka thënë Azizi.
Ai ka theksuar se krahasuar me vitin e kaluar, sivjet kemi një rritje prej 15 % të planit të të hyrave në këtë sektor, gjë që edhe shkalla e inkasimit në bazë të këtij plani është më e lartë, ndërkaq shprehet se ky trend i përgjigjes së qytetarëve për të kryer obligimet e tatimit në pronë, është për tu vlerësuar dhe që po ndikon pozitivisht në rritjen e të hyrave komunale./rajonipress/