Fundamenti

PISA, ‘kompirat’ dhe kungujt

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Daut Dauti – Rezultatet e PISA-s nuk duhet të merren edhe aq shumë seriozisht. Ky është një hulumtim dhe sikur të gjitha hulumtimet tjera ka kritere të caktuara të klasifikimit. Megjithatë, nuk duhet edhe të injorohen këto rezultate. Hulumtimet, çfarëdo që janë, duhet të analizohen dhe në fund të merren masa. Kosova është gati në fund të listës dhe kjo duhet të jetë brengosëse, pa marrë parasysh kriteret e klasifikimit.

Por, më shumë se Kosova shihet se brengosen SHBA-të që janë në vendin 13, Britania e Madhe 14, Japonia 15, Australia 16, Gjermania 20, Zvicra 28. Këto gjashtë shtete prijnë në botë me ekonomi të zhvilluar, standard të lartë të jetës dhe nivel të lakmueshëm të demokracisë. Qëllimi i shkollimit është që një shoqëri ta arrijë nivelin e këtyre gjashtë shteteve. Kjo është arsyeja që tërë bota dëshiron që t’i dërgojë fëmijët për shkollim në këto shtete. Madje edhe Kina dhe Estonia që janë të parat në listën e PISA-s, e kanë këtë dëshirë.

Poenta është se këto gjashtë shtete nuk qëndrojnë mirë dhe brengosen për shkak se harxhojnë shumë para dhe tregojnë kujdes të madh për arsimimin e fëmijëve të tyre. Por, këto shtete vazhdimisht marrin masa pas hulumtimeve të këtilla. Në Kosovë është e kundërta.

Ne, tekefundit, nuk kemi nevojë që PISA të na e bëjë me dije gjendjen tonë në arsim. Ne e dimë që është katastrofale. Planprogrami jonë nuk është adekuat. Kujdesi i mësuesve dhe prindërve mungon. Një pjesë e mësimdhënësve, që nga shkollat fillore e deri në universitet, janë për çdo lëvdatë, por një pjesë tjetër janë mozamakeq. Ne, në bisedat tona, bëjmë shaka kur shohim se kush jep mësim në shkollat tona, sidomos në universitete ku doktoratura merret filhall dhe nga çdokush. Kolegjet tona universitare private janë pothuajse humoristike. Aty kalon gjithkush. Në botën reale (perëndimore), në shkollat private është vështirë të kalohet pasi që këto shkolla e ruajnë nivelin dhe reputacionin e tyre të lartë.

Natyrisht që nxënësve dhe studentëve tanë u mungon aftësia e analizës, elementi kryesor të cilin duhet ta marrim në shkollë (kjo është vërejtja kryesore e PISA-s). Nuk ka mundësi që nxënësit të kenë këtë aftësi që nuk e ka as arsimtari i tyre dhe që nuk e parasheh as programi shkollor. Nxënësi jonë as në politikë e as në televizor nuk sheh analistë. Shembulli që ne ia ofrojmë nxënësve tanë është injoranti.

RCCOLA

Për gjendjen e rëndë të arsimit tonë, më së paku kanë faj nxënësit – studentët. Të gjithë ne, duke u nisur nga shtëpitë tona, prindërit, farefisi (veçanërisht duhet të potencohen mediat), gjeneratën e re, sidomos vajzat, ka kohë që i kemi shndërruar në objekte erotike. Kujdes i madh tregohet se si janë të veshur dhe si ju duken pjesët e trupit, flokët, e jo çka kanë në kokë. Nuk ka tendencë që këtyre të rinjve t’ju ndihmohet në drejtim të zhvillimit të planeve dhe aspiratave të tyre për jetë.

Fëmijët tanë në shkollë shkojnë sa për të shkuar. Hajt qaty. Sa mos me nejt n’shpi.

Kur është fjala e shkuarjes në shkollë, duhet përmendur një rast. Në një pjesë të lagjes Arbëria në Gjilan, nga ku shkolla është relativisht larg, prindërit kanë angazhuar taksistë që i bartin fëmijët në relacionin shtëpi-shkollë dhe anasjelltas e që paguhen në baza mujore. Një taksiste, për të kursyer apo fituar më shumë, në kerrin e saj i ngarkon rrafsh 14 fëmijë. I paketon si sardinat. Pra, vet e 15-ta. Në ‘gipek’ i vendos çantat. Kjo gjë ndodh çdo ditë, çdo muaj, çdo vit. Këtë gjë nuk e di vetëm unë. E dinë prindërit, e di e tërë shkolla e bile edhe policia. Askush nuk ankohet. Askush nuk merr masa. Pra, që nga hapi i parë shkollor, fëmijëve u bëhet me dije se shkolla nuk është diçka serioze dhe se ata janë ‘kompira’ ose kunguj që transportohen në mënyrë të mundimshme.

Me këtë logjikë, nuk ka rezultat më të mirë.