“Pionët” e nëntokës kriminale dhe të politikanëve të inkriminuar
Askush në Kosovë nuk mund ta thotë se deri kur do të vazhdohet të mbrohen interesat kriminale të mafio-oligarkëve të bizneseve të pista dhe nëntokës së lidhur me politikanë të nivelit të lartë në të gjitha nivelet e pushtetit, të cilët po i shfrytëzojnë si “pionë” njerëzit që i kanë emëruar në pozitat kyçe nëpër ministri, në kompanitë publike, në dogana, në ATK, në komuna, si dhe në të gjitha institucionet e tjera që realisht duhet të ishin ligjërisht të pavarura dhe me njerëz me etikë e integritet profesional.
Nëntoka me mafio-oligarkët dhe pushtetarët e inkriminuar në të dyja nivelet e pushtetit do të shfrytëzojnë të gjitha institucionet,përfshirë edhe ato më vitale, siç janë edhe doganat, ATKja, për interesat e tyre kriminale dhe duke mos lejuar që të ketë treg të lirë dhe zhvillim ekonomik të papengueshëm, por vetëm treg të kontrolluar, të kapur e të sunduar, të monopolizuar kriminalisht dhe të kontrolluar tërësisht nga nëntoka kriminale. Për analistët dhe ekspertët e fushës kjo do të zgjasë gjersa Prokuroria Speciale hesht, përkundër faktit se në Kosovë çdo institucion vazhdon të mbetet në “duart e zgjatura” të mafiooligarkëve, si në dogana, në ATK, ndërmarrje publike dhe në çdo institucion tjetër, qoftë komunal apo qendror, të administratës së shtetit.
Kadriaj: Qeveria e ka ndërtuar sistemin e nënshtrimit Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot” thotë se praktika e pasluftës e qeverisjes ka dëshmuar që secila parti ka tentuar që të ngarkojë administratën dhe institucionet publike, duke përfshirë edhe institucionet me sensitive, si për nga ndjeshmëria e sigurisë si institucion, por edhe siguria ekonomike, duke filluar nga AKI-ja, doganat, ATK-ja, ASK-ja, që parimisht janë të pavarura nga ana ligjore, por që praktika tregoi që janë dorë e zgjatur e politikës dhe e partive politike në pushtet.” AKI-së kur i duhet të ngritë çështje artificiale për të larguar vëmendjen e qytetarëve e ngrit situata që qytetarit t’i ikë vëmendja nga manipulimet e qeverisë, po ashtu edhe ASK-ja, me raportet rreth treguesve ekonomikë dhe raportet joreale, por që u shkojnë për shtati partive në pushtet, duke humbur kuptimin e misionit të saj që në bazë të atyre raporteve investitorët shfaqin interesim për ekonominë. Më keq po ashtu situata është në dogana dhe ATK, të cilat nuk e mbrojnë ekonominë e tregut, por i ngarkojnë bizneset vetëm që t’i mbushin apetitet dhe që t’u krijojnë komoditet partive në pushtet”, është shprehur Kadriaj për “Kosova Sot”. Rasti më i freskët është që tani Dogana për të plotësuar mungesën që kryeministri aktual i ka bërë me ngritjen e pagave, e mbush tregun kosovar me vetura të amortizuara, si për nga ana fizike dhe ajo e vjetërsisë. “Duke qenë dëshmitarë të qeverisë të tanishme, kjo elitë politike e ka dëshmuar brumosjen me ide majtiste që vetëm në letër flitet për ekonomi të tregut, por që në praktikë oligarkia dhe monopolet e dominojnë tregun dhe me këtë po dëshmojnë që brumosja e tyre tani po i jep rezultatet. Me sistemin e nënshtrimit, që e kanë instaluar tek qytetari, elita politike ka bërë që në këtë vend nuk dëgjohet zëri i qytetarit, kurse veç saj kemi një drejtësi të kapur dhe këtë e dëshmoi i pari i qeverisë dhe po ashtu edhe kryeprokurori dëshmoi që zëri i shoqërisë civile nuk ka peshë tek ata, por vetëm çka u thonë shefat e tyre”, ka theksuar Kadriaj. Sipas tij, kjo gjendje e tanishme nuk është menduar as në ëndrrat më të këqija tek qytetari, që edhe mbas dy dekadave të çlirimit të mendohet që të iket nga Kosova për shkak të mosperspektivës dhe pasigurisë që po reflekton i pari i qeverisë.
Haziri: Jetë shumë e vështirë në Kosovë për qytetarët dhe për bizneset Analisti Artan Haziri për gazetën “Kosova Sot” thotë se në Kosovë është bërë një jetë shumë e vështirë për qytetarët dhe për bizneset.”Qytetarët janë thelluar në varfëri dhe skamje, ndërsa bizneset në vështirësi të ndryshme. Bizneset, të cilat janë të lidhura me mafio-oligarkinë, e kanë pushtuar tregun dhe kanë krijuar probleme për bizneset e tjera. Mafiooligarkia i ka vendosur pikat në ministri, Parlament dhe në administratë në përgjithësi. Kjo asaj i ka krijuar siguri dhe vazhdimësi të aktivitetit biznesor. Kurse edhe Prokuroria po vërehet se edhe ajo është nën kontrollin e politikës”, është shprehur Haziri për gazetën “Kosova Sot”. Sipas tij, bizneset e nëntokës po rriten dhe ato nuk do të ndalen, derisa të kemi një klasë politike të tillë.”Bizneset, të cilat dëshirojnë të rriten, kanë pengesa të natyrave të ndryshme në zhvillimin e tyre. Kanë pengesa me rastin e importit dhe gjithashtu edhe në rast të eksportit kurse kjo pastaj po refelektohet edhe në çmime të produkteve”, është shprehur ai. Analisti i ekonomisë, Hazbi Kadriu, për gazetën “Kosova Sot” thotë se, duke parë lidhjet e ngushta në shumicën e rasteve në mes të bizneseve dhe pjesës së politikës, atëherë është e lehtë të mendohet se ky zinxhir i tyre është shumë problem të ndërpritet. “Kjo vërehet edhe në institucione të ndryshme, të cilat janë faktorë të rëndësishëm të të hyrave në buxhetin e vendit. Që nga paslufta ky rrjet zinxhiror është i formuar në ato forma saqë edhe vetë ndryshimet e orientimit të institucioneve, qofshin ato për të mirën e vendit apo për të mirën e grupeve të ndryshme partiake, po shihet se po bëhet nga grupe klanore partiake, të cilat në njërën apo formën tjetër kanë ndikime të shumta në vendime të ndryshme”, është shprehur ai. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për “Kosova Sot” thotë se interesat kriminale të mafio-oligarkëve do të vazhdojnë të mbrohen derisa të ekzistojë kjo qeveri. Sipas Grapcit, në Kosovë nuk ka treg të lirë e as nuk do të ketë derisa këta njerëz, të cilët janë prapa perdeve të kuqe dhe të njëjtit nuk duken fare, duke dhënë urdhra që bizneset, të cilat nuk bashkëpunojnë me ta, të nëpërkëmbën.”Do të jetë kësisoj përderisa Prokuroria Speciale t’i hapë sytë për të parë se qytetarët tanë janë duke u shantazhuar dhe helmuar çdo qytetar nga prodhimet ilegale që po hyjnë në Kosovë dhe nga kërcënimet që po u bëhen çdo ditë biznesmenëve dhe bizneseve të vogla”, është shprehur ai.
Guraziu: Në Kosovë hapur mbrohen interesat kriminale dhe mafio-oligarkike Analisti Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot” thotë se nuk ka asnjë dyshim se në Kosovë hapur nga pushtetarët po mbrohen interesat kriminale dhe të mafio-oligarkëve. “Kështu po vazhdohet ende të mbrohen interesat kriminale të mafio-oligarkëve të bizneseve të pista dhe nëntokës së lidhur me politikanë të nivelit të lartë, në të gjitha nivelet e pushtetit, të cilët po i shfrytëzojnë njerëzit e tyre dhe militantë partiakë që i kanë emëruar në pozitat kyçe nëpër ministri, kompani publike, në dogana, në ATK, në komuna, si dhe në të gjitha institucionet e tjera që realisht duhet të ishin ligjërisht të pavarura dhe me njerëz me etikë e integritet profesional”, është shprehur ai. Guraziu i lë fajin heshtjes së Prokurorisë Speciale, që e di mirë se përkundër faktit që në Kosovë çdo institucion vazhdon të mbetet në “duart e zgjatura” të mafio-oligarkëve, ata po heshtin dhe kjo është e pakuptimtë. Afaristi Ramadan Maloku, ndryshe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot” thotë se nëse edhe kjo qeveri do të vazhdojë që të mbrojë interesat kriminale të mafio-oligarkëve të bizneseve të pista dhe nëntokës së lidhur me politikanë të nivelit të lartë, në të gjitha nivelet e pushtetit, e ardhmja e bizneseve të ndershme do të jetë e zymtë.”Kjo ngase deri më tash shumica e qeverive i kanë shfrytëzuar si “pionë” njerëzit e vet, që i kanë emëruar në pozitat kyçe, qofshin ata nëpër ministri, në kompani publike, në dogana, në ATK, në komuna, si dhe në të gjitha institucionet e tjera, që realisht duhet të ishin ligjërisht të pavarura dhe me njerëz me etikë e integritet profesional, por që nga paslufta ishte e kundërta”, është shprehur ai. Sipas Malokut, deri më tash e kemi pasur një situatë të tillë, kur nëntoka me mafio-oligarkët dhe pushtetarët e inkriminuar në të dyja nivelet e pushtetit i kanë shfrytëzuar të gjitha institucionet, përfshirë edhe ato më vitale, siç janë edhe doganat, ATK-ja, duke i keqpërdorur ato për interesat e tyre kriminale. Prokuroria Speciale nuk ka dhënë dje përgjigje në pyetjet e gazetarit për heshtjen e saj ndaj monopolit dhe krimit në ekonomi.
(Kosova Sot)


