FIDANISHTJA

Piktorja që po e pushton botën artistike…

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Para pak dite, në Hamburg të Gjermanisë është hapur Ekspozite Ndërkombëtare, e cila do të qëndrojë e hapur deri me 9 korrik të këtij viti (2014). Në këtë ekspozitë do të paraqiten 6 artistë nga shtete të ndryshme, por në mesin e tyre do të jetë edhe Magbule Xhemaili, piktore nga Gjilani.

Xhemaili ka thënë se në këtë ekspozitë do të prezantohet me 10 piktura të formateve të punuara kohët e fundit, si vazhdimësi nga cikli i punimeve “Gjurmë në kohë të ndryshme”, të punuara në teknikë të kombinuar. “Për këtë projekt jam përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës e Kosovës dhe nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjilanit”, ka thënë Xhemaili, për t’i falënderuar këto institucione për përkrahjen e dhënë.

Siç dihet, Magbule Xhemaili është e lindur në Pogragjë të Gjilanit, më 1 Tetor 1976. Pas mbarimit të Gjimnazit më 1995, ajo është regjistruar në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve Figurative – Dega e pikturës, në klasën e Akademik. Muslim Mulliqit, ndërsa u diplomua më 2000, në klasën e Xhevdet Xhafa.

Me kohë ka mbaruar magjistraturën dhe mbrojti me sukses temën e diplomës “Struktura e grafitit në pikturë”, nën mbikëqyrjen e Esat Vallës, më 2008. Jo vetëm kjo. Magbulja, që nga viti 2000 punon si mësimdhënëse e lëndës së Artit figurativ në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.

Nga tetori i vitit 2012 deri në qershor 2013 punoi si bashkëpunëtore e jashtme në Fakultetin e Edukimit në Gjilan në cilësinë e asistentes në lëndën Arte të Bukura. Piktura e saj është diçka e veçantë. Në shikim të parë, piktura e saj duket paksa e “zbehtë”, por në fakt ajo ngërthen në vete botën e përditshmërisë sonë, e cila botë është sa joshëse, aq e “brishtë” për nga pamja e përjetimi. Prandaj, si artiste, ajo përherë e ka vëzhgimin prizmin e botës së saj artistike.

Kjo vështron dhe bën kritika kësaj jete, e cila të brengos, kur është e tillë për brengosje, por të ushqen, kur ajo të duket se është e bukur dhe qëndron. Shikuar nga kjo “dioptri” përjetimi, arti i saj duket si një reliev që të pëlqen dhe ka nuanca adhuruese. Secila ngjyrë e pikturuar paraqet “ngjarje”, “sende”, mesazhe dhe ndryshime jete.

Pra, pikturat e saj janë plot me ngjyra, trajta, vija, kolorit e shumë “elemente” të tjera të “teknikës” së saj në artin piktural. Pra, sikur pikturën e rrumbullakëson një botë të pasur të imazhit piktural joshës.

Ajo në qendër të pikturimit e ka aktualitetin e jetës së njeriut. Sikur poeti që në vete ngërthen botën subjektive ndaj gjërave e sendeve që e rrethojnë, ashtu edhe piktura e saj është një lloj “poezie”, e cila “lexohet” dhe adhurohet lehtë e bukur.

Uji Dea

Magbule Xhemaili është njëra nga piktorët më të reja nga Gjilani. Ajo tashmë i ka kaluar kufijtë e këtij zhanri të kulturës. Pse jo? Piktura e saj është modeste, si në përmbajtje, po ashtu edhe në trajtim e motive.

Temat e saja janë gjërat që na rrethojnë, të cilat “veprojnë” dhe njeriu i sheh, i ndjen, i prek, kanë ngjyrë, vija, trajta, por kanë edhe “shije”, të cilat japin mesazhe të forta kohe e jete. Gjer më sot, kjo piktore është paraqitur në shumë vende me ekspozitat e saja si kolektive e individuale.

Rruga e saj gjer këtu është një sfidë e përcjellur me shumë mundi e me shumë paraqitje artistike. Ajo tashmë është anëtare e Shoqatës së Artistëve Figurativ të Gjilanit, që ka udhëhequr Kursin e Fotografisë Artistike nga Lala M. Vula. Është Themeluese e OJQ- së – Grupit të Artistëve të rinj “Botart”.

Mandej, ajo shkroi dhe realizoi projektin e quajtur “Muri i Paqes” mural i pikturuar në një ndërtese në qendër të Gjilanit; më 2002 bëhet anëtare e Shoqatës së Artistëve Figurativ të Kosovës, SHAFK; më 2005 – bëhet anëtare e SHAFM “Draudacum “- Gostivar – Maqedoni; më 2006 – mori Certifikatën nga seminari treditor me temën “Trajnimi i mësimdhënësve rreth metodologjive të reja të mësimdhënies në lëminë e artit figurativ – Art terapi ” organizuar nga Foundation together –Slloveni & QPEA – Ferizaj; më 2008 – është kuratore e ekspozitës së femrës kreative “ Ne jemi ato që…”; më 2008 udhëheqë Kursin për Disenj Grafik “Formësimi i disenjit dhe teknologjia e shtypit” etj. Gjer më tani ka hapur këto ekspozita individuale: më 2009 “Gjurmë në kohë “- Galeria e Ministrisë së Kulturës, Prishtinë; më 2009 – ” Gjurmë në kohë “/ Galeria e Arteve, Tetovë – Maqedoni etj. Ndërsa, ekspozitat kolektive të Magbule Xhemailit janë: më 1998 – 2009 “Flaka e Janarit” Gjilan; më 2000 – “Shpërthimi” Ekspozitë e klasës së profesorit Xhevdet Xhafa / “Hani i 2 Robertëve”, Prishtinë; më 2000 – “Udhëtime në kujtesë” – Ekspozitë e Fotografisë Artistike, Galeria e Arteve e Kosovës, Prishtinë; më 2000 – Centre Philippe Auguste 27200 Vernon, Francë; më 2002 – “Shoqata e Artistëve Figurativ të Gjilanit”, Galeria e Arteve e Kosovës, Prishtinë; më 2003 – 2007 “Femra krijuese” Galeria e Arteve, Gjilan; më 2003 – “Arti dhe Natyra” ekspozitë kolektive përballë Teatrit Kombëtar në Prishtinë; më 2004 – “Bienali Ndërkombëtar i vizatimit”, Galeria e Arteve e Kosovës në Prishtinë; më 2004 – “Salloni Pranveror” Muzeu i Kosovës, Prishtinë; më 2004 – “Salloni i XXXI i Nëntorit”, Galeria e Arteve e Kosovës – Prishtinë; më 2005 – “Ekspozitë kushtuar 8 Marsit” Muzeu i Kosovës, Prishtinë; më 2005 – “My Changes 3” “Kështu nuk vritet një grua” Galeria Kombëtare e Arteve –Tiranë; më 2005 – Ekspozita – Kolonia Artistike “Gostivari ’05”- Galeria e Qendrës për Kulturë, Gostivar; më 2005 – 2007 “Ekspozitë Mbarëkombëtare” – Galeria e Qendrës për Kulturë, Gostivar; më 2006 dhe 2008“Gjonmili” Ekspozita e VI – të & VIII – të Ndërkombëtare e Fotografisë, Galeria e Arteve, Prishtinë; më 2006 – “Ekspozitë e stud. të Fakultetit të Arteve Prishtinë ” Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Tiranë; më 2006 – 2007 “Ditët e Kulturës shqiptare në Maqedoni” Galeria Çifte Hamam, Shkup; më 2006 – “Çmimi Muslim Mulliqi” ekspozitë në Galerinë e Arteve të Kosovës, Prishtinë; më 2008 – “Muaji i Parë i Pavarësisë” në Gjilan; më 2008 – “ Ne jemi ato që…” ekspozitë e Femrës kreative në Galerinë e Arteve, Gjilan; më 2008 – “ Ne jemi ato që…” ekspozitë e femrës kreative në Galerinë e Arteve e Kosovës, Prishtinë; më 2008 – “Ekspozitë kolektive – përvjetori i themelimit të PDK- së”, Kafe / Galeria e PDK-së, Gjilan; më 2009 – “ Shoqata e Artistëve Figurativë të Gjilanit ” – Galeria e Arteve, Pejë; më 2009 – “ Salloni i Gjilanit ” – Galeria e Arteve, Gjilan; më 2010 – “ Gjon Mili” edicioni i 10- të Galeria e Arteve e Kosovës, Prishtinë; më 2010 – Kolonia Artistike ,, Apollo 2010,, Fier – Shqipëri; më 2010 – Ekspozita Mbarëkombëtare ” Çmimi i Nëntorit ” Gostivar, Maqedoni; më 2010 – Ekspozita Ndërkombëtare e Fotografisë Artistike ,,Fokus,, Fier – Shqipëri; më 2011 – Kolonia Artistike Ndërkombëtare“ Ulqini 2011”, Ulqin; më 2011 – Ekspozita e kolektive “ Ulqini 2011”, Ulqin; më 2012 – Ekspozita në Plejada e Artistëve Ndërkombëtarë – Prishtina 2012; më 2012 – “Arti dhe Gruaja” ekspozitë në Kuvendin e Kosovës etj.

Ajo për këtë veprimtari artistike e kulturore është shpërblyer me shumë
falënderime, mirënjohje, çmime, të cilat janë të shumta e me vlerë. Pra, ajo ka afro 20 mirënjohje e shpërblime të tjera për krijimtari artistike.

Edhe piktori Gjelosh Gjokaj, punën artistike të Magbulës, e vlerëson të jetë në koherencë me modernen. Ai thotë se “Mendoj se puna e Magbule Xhemailit nuk është aspak prapa krijimeve figurative qe sot bëhen ne Evropë nga gjenerata e saj. “Origjinaliteti i saj krijues, teknika e punës dhe mënyra e krijimit janë dëshmia me e mirë se ajo po ec e sigurt dhe është me trendin e artit modern që sot po krijohet gjithandej Evropës dhe më gjerë”.

Ndërsa, studiuesi i artit figurativ Mustafa Ferizi, për artin e Magbules, ka shtuar: “Magbule Xhemaili, sjellë një ”yrnek”, në pikturë të artikuluar në mënyrë krejtësisht strukturaliste”. Pra, ky është portreti i Magbule Xhemajli si piktore, e cila, ditëve të fundit po e pushton botën me pikturat e saja aktuale dhe joshëse. /tefik selimi/rajonipress/