Fundamenti

Pika e marres

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Imer Mushkolaj – T’i vësh pikë akuzave për opozitën si shkaktar për mosliberalizimin e vizave, ndërkohë që korrupsioni e krimi i organizuar e kanë shkatërruar vendin, është demagogji, është marre. E të pretendosh se protestat e opozitës janë të orkestruara nga Rusia, është budallaki. Arban Abrashi e Lutfi Haziri po e manipulojnë opinionin pa pikën e marres.

Një zyrtar qeveritar ka vendosur këto ditë që “t’ua çelë sytë qytetarëve”, duke iu thënë se ata kanë mbetur ende pa lëvizur lirshëm për fajin e opozitës. Ministri Arban Abrashi nuk ka ngurruar t’i akuzojë partitë opozitare, pas vizitës së ndihmëssekretares së Shtetit, duke iu thënë se po manipulojnë me opinionin publik. Sipas tij, për opozitën më i rëndësishëm ka qenë “privimi i qytetarëve të Kosovës nga lëvizja e lirë në Europë në emër të një kauze të rrejshme, sesa zgjidhja e problemeve dhe integrimi i vendit në BE”. Abrashi ka cituar edhe ndihmëssekretaren Victoria Nuland kur ka folur për demarkacionin, por nuk e ka përmendur me asnjë shkrojnë porosinë e amerikanes për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

”Mos e gënjeni veten dhe qytetarët, SHBA-të e mbështesin marrëveshjen e demarkacionit dhe që ajo të kryhet gjatë kësaj vere. Pikë!”, ka porositur Abrashi, duke u treguar vetë selektiv e manipulues dhe duke i vendosur pikën e marres manipulimit të tij.

Zëdhënësi i Qeverisë nuk është marrë fare me thelbin e vizitës së zyrtares së lartë amerikane, e që ishte kërkesa eksplicite për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai është përpjekur që dy problemet e mëdha të vendit t’i mbulojë me demarkacionin, duke e gozhduar opozitën dhe duke ia vënë fajin për dështimet e qeverisë.

Abrashi e di, por nuk e thotë se votimi i marrëveshjes së demarkacionit në Kuvend nuk nënkupton që kriteret për lëvizje pa viza plotësohen automatikisht. Ai e di, por nuk e thotë se qeveria kosovare nuk ka ofruar dëshmi që e ka luftuar mjaftueshëm korrupsionin dhe krimin e organizuar. Demarkacioni është një nga kushtet për liberalizimin e vizave, por deri më tash nuk ka ndikuar në heqjen e vizave e as në shtyrjen e procesit. Raportuesja për vizat, Tanja Fajon, përveç mungesës së progresit në çështjen e demarkacionit ka përmendur edhe mungesën e evidencës në rastet e dënimit të personave të arrestuar për korrupsion.

Abrashi e di, por nuk e thotë se akuzat e tij dhe të qeveritarëve të tjerë ndaj opozitës se po e bllokon lëvizjen pa viza janë qesharake, ngase paraprakisht është bërë e ditur se Bashkimi Europian ka shtyrë gjithçka për shtator.

Uji Dea

Abrashi e di, por nuk e thotë se t’i vësh pikë akuzës ndaj opozitës për vizat nuk është e drejtë. Ai duhet ta dijë, nëse nuk e di, se kjo është pika e marres.

* * *

E pikë marres, pa pikën e marres i vuri edhe nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri. Ai shkoi aq larg në konspiracionin e tij, duke dhënë deklarata idioteske të tipit se protestat e opozitës janë orkestruar hiç më pak se nga Rusia. Një njeri me mendje të shëndoshë nuk e bën një deklaratë të tillë. Haziri e di, por nuk e thotë se deklarata të tilla janë përpjekje për manipulim të publikut. Ai njihet për deklarata koti që nuk iu beson kush. Kujtojmë veç deklaratat për koalicion me PDK’në. Para zgjedhjeve, ai kundërshtonte fort mundësinë e një koalicioni me këtë parti, duke thënë se një koalicion “guns n’roses”, siç e quante ai, ka përfunduar në vitin 2010. I njëjti tash, pasi bashkë me LDK’në u futën në shtrat me Hashim Thaçin e Kadri Veselin, shpik teori konspirative që nuk iu besojnë as fëmijët. Haziri e di, por nuk e thotë se korrupsioni e krimi i organizuar, e jo demarkacioni bllokojnë liberalizimin. Ai e di, por nuk e thotë se qeverisjen e Isa Mustafës nuk e dëmton opozita, por flirti me PDK’në dhe mashtrimi i votuesve se nuk do të bëjë “kurrë” koalicion me këtë parti. Sa mirë do të ishte që në vend se teorive konspirative, Haziri t’i përkushtohej më shumë qeverisjes në Gjilan. Sa mirë do të ishte që të merrej më shumë me partinë e tij dhe që shkakun për dështim së pari ta kërkojë te vetja.

* * *

Zyrtarë të koalicionit qeverisës me muaj kanë thënë se i kanë votat për demarkacionin, e tash e shtyjnë votimin e tij. Kinse duan t’i japin shans dialogut, debatit. Shans që e kanë pasur, por nuk e kanë shfrytëzuar. Sepse kanë dashur që gjithçka ta bëjnë në mënyrë arrogante dhe imponuese. Kanë dashur të tregohen të fortë. E tash shesin demagogji. Nëse i kanë numrat, pse nuk po e votojnë? Pse po e zgjasin këtë punë? Apo, më lehtë e kanë të kritikojnë opozitën. Ta fajësojnë për gjithçka, ta lidhin edhe me Rusi. T’i vënë pikë marres, pa pikën e marres.