Fundamenti

Pigmente artistike, profilizim rrezatues poetik

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Arsim Halili – Relacioni krijues i poetit, i cili thuajse për afro dy dekada i ka dhënë lexuesit mbi njëzet vepra. Ai pushton shpirtin e lexuesit me çiltërsi krijuese. Tek sa e gjen për njërën gjeneratë lexuesish, kthehet me vrullin impresionues tek gjenerata tjetër.

Në këtë trajektore krijuese, poeti Hysen Këqiku, nuk kërkon që të lind dielli, ai nuk kërkon as të lëshojë rrezet e tij mbi sipërfaqe, sepse ato kaherë janë këtu, ai kërkon t’i shijojmë ato. Mbi katër dekada pune me ditar dhe këtu a nuk do të qëndronte mendimi i Distvergut ku do të thoshte “Ashtu siç është dielli për natyrën edhe mësuesi është rreze dielli për shoqërinë”.

Shekulli madhështor për shqiptarët, natyrisht se shumë kush ngarend të bëjë diçka në këtë jubile historik të mbetet përjetësisht se bëra këtë, apo atë vepër, në këtë njëqind vjetor të pavarësisë së shtetit shqiptar. Poeti Këqiku këtë vit jubilar, solli diçka interesante, tërheqëse për më të vegjlit, sepse fundja, ata ia vlen të gëzojnë gjithçka që lidhet me ardhmërinë e tyre. Titull metaforik, i cili ka pigmente artistike dhe larushi temash e motivesh, vjen para lexuesve të tij me librin e titulluar “ Reze për ylber”.

SHTATËNGJYRSHI QË SJELL FRESKI POETIKE TE LEXUESI

Poeti me impulsivitetin e tij krijues, i cili poezinë e shikon si një fillim ditëmbare, nga agu deri në muzg, janë lule kopshti që mbi vesën e tyre, bleta punëtore thith nektarin dhe sjell ëmbëlsinë, janë vetë loja. Me to poetit futet në labirintet fëmijërore. Ata sikur thërrasin “ Më gjej ku jam” e ajo është strehuar thellë në shpirtin e poetit dhe me të dal rrezja e parë, poeti ia ofron fëmijës e pra relaksohu, me vargjet e mia duke qeshur e duke aktruar në deklamimin e tyre, duke përcjellë mesazhe interesante. Nga një herë vargjet janë edhe ngushëlluese edhe trimëruese, ato here- herë bien dakord me mendimin e lexuesit, ku poeti thotë:
– Do të ishte më mirë kështu të veproje o fëmijë i dashur.
Poezia është një imponim ndjenjësor, apo është një flutarake që gjendet gjithkund, duke fluturuar herë në kalorësi e herë në thellësi mendimesh e variacionesh që në simetrinë e ballafaqimit mes lexuesit dhe vargut, krijojnë një realitet të bartjes nga ëndrra tek realiteti dhe anasjelltas. E tillë është poezia e Hysen Këqikut, i cili fillon të tregoj se çfarë në të vërtet janë “Poezitë e mia”

“ Poezitë e mia lindin si ditët
Të reja janë
Janë lule të posa çelura”
Faqe 7

Dhe, dalëngadalë futemi në brendësinë e librit, aty ku poeti fillon t’i profilizoj në cikle dhe secilës nga këta ia japin një pigment të bukur, në disa prej tyre, poeti bartë personazhet duke dialoguar herë në kaltërsinë qiellore me yje,të hënës, shpezët, sepse sikur se çdo poet tjetër, edhe poeti Këqiku, ajo që është qiellore, është edhe e madhe, edhe e pakapshme, edhe e lumtur, sepse fluturon i lirë mbi qiellin blu. Poeti futet edhe në thellësi të detit atje çfarë në të vërtetë kërkon krijuesi, natyrisht se kërkon dinamikën, përkatësisht gjallërinë e jetës, sepse dallgët, a nuk sjellin dinamikë, sfida të papritura e kush më mirë se një notar jete, siç janë fëmijët, të rriturit, të gjithë ata që kalojnë ato dallgë, herë-herë duke u futur në thellësi.

Duke u ballafaquar me të papriturat, shpresat gjithnjë të shtyjnë të dalin në plazhin e heshtjes, për të kaluar gjithçka që është trimëruese, sakrifikuese me mençuri, urti dhe ballafaqim me të vërtetën. Nëse shikojmë dhe lexojmë me vëmendje të tre ciklet :
“ Yjet nga qielli na përshëndesin”, ” Ylberi na fali dhuratë” dhe ”Mollë pa njollë”, duket se poeti shikon nga lart, pra këtë rast përmes poezisë së tij. Ai është një vrojtues i mprehtë.

Ndonëse libri nuk përmbahet në strukturën e saj vetëm me poezi, se aty gjejmë diçka tjetër edhe të këndshme, pa dyshim është tregimi, i cili në strukturën e tij narrative, nuk ka shumë kompleksitet ëndërrues, e as sugjestionues, por paraprakisht vjen si imperativ dominues e artikulues i një zëri respektivisht një personazhi diametralisht të kundërt në moshë, pra mes gjyshit dhe mbesës të cilën dialogojnë gjithnjë dhe e mira e saj është se në fund bien dakord, pavarësisht mos pajtimeve që patën në fillim me gjyshin.

Por ai di me urtinë e tij ta kristalizojë ëmbël këtë bisedë, këtë rast edhe vetë poeti Këqiku, në rolin e gjyshit e shtjellon me narracionin e tij të këndshëm artistik, mungesën e informacionit të diçkaje jetësore, të çuditshme që fëmija, respektivisht mbesa e iluzionon deri te formimi i bindjes së kundërt me realitetin krijues dhe marrjes së informacionit të plotë, të saktë dhe edukativ, se si vihet ai në jetë, do të thotë se te fëmija është arrit një qëllim motivues dhe dituror.

Gjithnjë duke ia abstrahuar procesin në kuptimin artistik, figurative e letrar e deri tek shtjellimi më i thjeshtë dhe më parimor. Më së miri këtë e shohim në tregimin “Unë nuk hidhërohem”.

Se poeti është një piktor i mirë poetik, i cili gjithë atë që na rrethon e paraqet me një peizazh të këndshëm, duke e sforcuar mendimin dhe koshenicën e njerëzve për atë që na rrethon, se çka është, si duhet të vrojtohet nga fëmijët, si duket relievi nga ana horizontale dhe vertikale në largpamësinë e fëmijës. Këtu do të merrja guximin të thoja se është poezi Naimiane e llojit të motivit dituror apo edukativ, mbi gjeografinë hapësinore dhe në syzheun artistik të poetit.

Konceptimi i imagjinatës së vet fëmijës përtej asaj që është e kapshme e prekshme dhe abstrahuse më së miri këtë e shohim tek poezia “ Mirëmëngjesi”

RCCOLA

“ Mirëmëngjesi
Relievi im i gjerë
Mirëmëngjesi o diell
Mrekulli ke bërë”… fq 26

Se poeti insiston të jetë një harmonizues mes realitetit dhe ëndrrës, jo vetëm sa për të bërë qejfe dhe të llogaritet se gjithçka në këtë botë, është në vijë të drejtë dhe përfitohet pa mundi, me ëndrra, me dembeli, sigurisht se poeti Këqiku, nuk do të pajtohej me këtë fakt. Tek sa lexoja librin e tij “ Rreze për ylber” hasa diçka interesante te një poezi që në titull shihet se ka efekt dituror dhe moralizues pra dashurinë për punën dhe për mësimin e këtë poeti më së miri e shpreh përmes poezisë “ Të gjithë të angazhuar” faqe 29 dhe në një anekdotë shumë të bukur që i vë në shënjestër dembelët, respektivisht përtacët, duke qenë ilozinues të paskrupullt, dëmtojnë vetën dhe shoqërinë. Më së miri këtë gjë, mund tek shihet tek anekdota “Njëri për yje tjetri për qiell”.

Shihet qartë se poeti është një përpjestues i interkomunikimit artistik, mes asaj që është edhe lirike edhe epiko-lirike, se poezia e tij përpjesëtohet dhe komunikohet lirshëm në ambiente të ndryshme, por të ngrohta, qoftë në natyrë, në shkollë, apo edhe në familje. Dosido fëmijët edhe janë gravitues të këtyre ambienteve dhe po nga këtu ata edhe thurin botën e tyre imagjinative, qoftë përmes përrallave të gjyshit, gjyshes, qoftë nëpërmes fjalës së mësuesit, apo edhe peizazheve të bukura natyrore.

Ndonjëherë për ne të rriturit. sa do që gjërat mund të duken të vogla, për ata janë të mëdha të pakapshme, sepse vetë iluzioni i bënë ta ndjejnë botën ashtu. Prandaj poeti me një kujdes të veçantë artistik i ofron lexuesit edhe trille inekzistuse, i fut thellë edhe në botën perceptive, për t’i gjykuar gjërat më drejtë asaj që është reale, apo ekzistuese. Të tilla refleksione poetike, mund t’i shohim qartazi tek poezitë “Ylberi më fali dhuratë”, ” Eci nëpër bregore” “ Për ditë rritet” e ndonjë tjetër .

Për poetin shkronjat kanë fuqinë depërtuese. Ato tek fëmijët e ngrisin ineracionin lart në qiell, fluturimthi ngjiten si raketë, apo zbresin nga atje si rrufe në thellësi.

Çdo shkronjë ka një imazh të qartë, portretizon diçka të këndshme, më së miri këtë gjë e vërejmë tek poezia shumë e lezetshme “ABC-ja ime “, secila shkronjë të orienton në drejtimin e dashamirësisë,të të ëndërruarës, mbi të gjitha në shtegtimin e pa fund të dijes. Natyrisht se poeti nuk do të harrojë protagonistin e gjithë asaj që shpërndan rreze tek ata ylbera të vegjël në tokë “Mësuesin”, poeti i jep epitet gjigant e cilëson se vetë “Mësuesi është Abetare” dhe sigurisht se kjo do të ishte nje shprehje aforistike shumë e qëlluar.

Poezia e Hysen Këqikut nuk sillet në rreth vicioz të ngushtë, por natyrisht se ai nuk pretendon të shkruaj jashtë asaj që për fëmijët është e pa kapshme për moshën që kanë. Gjithnjë poeti synon të jetë atraktiv, i dëgjueshëm dhe i lezetshëm për atë çfarë përjetojnë fëmijët në botën e tyre, të futet në psikologjinë e tyre si diçka e pranueshme për moshën. Ndonëse poezitë i shkruan me një hapësirë kohore shumë më të gjerë, se sa ka mundësi të përmblidhen në një përgatitje të një libri sot.

Natyrisht ai i mbledh disa poezi shumë më të hershme, të kohës kur gjendja në Kosovë ishte çfarë ishte. Për fëmijët e sotëm, mund edhe të jetë një ëndërr e keqe e së kaluarës, por poeti pretendon që të mos harrohen ato gjëra që në veten e tyre ngërthejnë situata shqetësuese në një anë dhe krenare për epilogun e tyre, në anën tjetër. Megjithatë kanë sjell ndryshime për të mirë dhe natyrisht kanë bërë histori e që doemos janë edhe lavdi dhe krenari kombëtare. Portretizim të bukur poetik sjell për heroin tonë kombëtar të të gjitha kohërave Skënderbeun, pastaj datën e lavdisë kombëtare e për koincidencë, këtë vit bëhen plotë njëqind vitet nga shpallja e pavarësisë së shteti shqiptar, pikërisht me 28 nëntor. Sigurisht nuk lë në harresë edhe poezinë për Pavarësinë e Kosovës të titulluar “ Pavarësia”.

Trajtimi poetik dhe prozaik i poetit Hysen Këqiku në librin “ Rreze për Ylber” në aspektin metodologjik dhe didaktik, do t’i referoheshin këto lloje dhe motive të poezive: poezi : diturore në hapësirë kohë, imagjinatë, universialitet, fauna, flora, ato moralizuese në sjellje, veprim, edukim , respektim dhe motivi apo qasja patriotike atdhedashuria, dhe përkushtuese dhe kohore, lidhur me elemente dhe datat e krenarisë kombëtare.

Në vend të përmbylljes

Pra libri “ Rreze për ylber” duhet thënë se i tëri është poetik, sepse brenda tyre ka edhe tregime e ndonjë anekdotë, por se thurja e tyre dhe mbrujtja me figura, natyrisht se i japin ngjyrime të këndshme estetike vlera e të cilave është e qëndrueshme në konceptin edhe artistik, edhe ideo-estetik, shihet se poeti përdor mjaft mirë metaforën alegorinë, hiperbolën, krahasimin, epitetin, brenda poezive shihet se varijon poezia gjysmë hermetike, vargu i lirë në metrikën poetike,poezitë e tij janë: dy tri, katër deri në njëmbëdhjetë rrokje, rimën gjithsesi si kod poetik e nuancon bukur, mes vargjeve.

Tani nëse më lejohet të shkruaj një disonuancë mes asaj që është në jetë e përditshme reflektive do të përmendja këtë rast mendimin e Gogolit: ” Shkrimtari ka vetëm një mësues- lexuesin” duket se poeti Këqiku i vetëdijshëm se këtë rast ka fëmijët –lexues, janë mësuesit e shkrimtarit, ndaj është kujdesur që sa më bindshëm, t’i ofroj universalitet vargjesh të asocuara mirë nga impresioni artistik, deri te qëllimi final.

Në përmbyllje të këtij recensioni do të citoja mendimin e qëlluar të Raskinit “ Nëse një libër vlen të lexohet, atëherë edhe vlen edhe të blihet”. Ndaj librin mund të blihet njëherë, por ta kesh çdo ditë për të mësuar nga ai, arsyeton çfarëdo lloj çmimi./rajonipress/