UBT

Philips: Kosova ta bëjë Asociacion veç nëse bëhet edhe në Luginë, s’ka paqe pa njohje reciproke

/ 5 minuta lexim

Profesori amerikan David L. Philips i cili punon në Universitetin prestigjioz të Kolumbias thotë se s’mund të ketë paqe të qëndrueshme nëse s’arrihet një marrëveshje me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Philips thotë se nëse BE-ja s’dëshiron apo s’është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, atëherë SHBA-ja duhet të aktivizojë diplomacinë e saj për ta arritur një marrëveshje me njohje reciproke. Këtu Philips përmend shpërblimet dhe ndëshkimet si mjete diplomatike që mund të shërbejnë në këtë rast. Sa i përket Asociacionit, thotë se Kosova duhet ta themelojë në përputhje me Kushtetutën megjithatë jo pa e bërë edhe Serbia një të tillë për shqiptarët që jetojnë në Luginë.

Duket që për momentin Perëndimorët janë dorëzuar sa i përket qëndrimit se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë. Propozimi i Francës dhe Gjermanisë që po e përkrah edhe SHBA-ja flet për një marrëveshje që do të bazohet në modelin e dy Gjermanive dhe s’përfshinë njohjen reciproke si element. Ndërkohë ka një presion të madh drejt Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lidhur me këto zhvillime në kuadër të procesit të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë për Gazetën Express ka folur profesori amerikan, David L. Philips i cili është edhe drejtor i Programit për ndërtimin e paqes dhe të drejtat në Institutin e Universitetit të Kolumbias për Studimin e të Drejtave të Njeriut.

Philips thotë se negociatat për targa e diploma janë të rëndësishme për të rregulluar rrugën drejt një marrëveshje të plotë dhe përfundimtare me njohje reciproke. Profesori amerikan thotë se do të jetë e pamundur të bëhet paqe nëse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Negociatat rreth diplomave, kodeve telefonike dhe targave janë të rëndësishme për të vendosur terrenin për një marrëveshje të plotë dhe përfundimtare mbi njohjen reciproke. Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, do të jetë e pamundur të ecë përpara drejt paqes dhe prosperitetit të qëndrueshëm”, ka thënë Philips për Gazetën Express.

Philips ka folur edhe për pozitën negociuese të Bashkimit Evropian të cilët për momentin thonë se s’kanë një shkop dhe karotë për Serbinë në mënyrë që ta detyrojnë Serbinë që ta njohë Kosovën.

Ai ka thënë se Brukseli si një lojtar kryesor në proces ka shumë mënyra për ta imponuar një marrëveshje për njohje reciproke.

Hidromorava

Philips thotë se nëse BE-ja nuk dëshiron apo s’është në gjendje që të detyrojë një marrëveshje të tillë për njohje reciproke atëherë duhet të ndërhyjë SHBA-ja dhe të përdorë ndikimin e saj për arritjen dhe nënshkrimin e një marrëveshje të tillë me njohje reciproke.

“BE-ja ka shumë mënyra për të detyruar një marrëveshje për njohjen reciproke. Ajo është lojtari kryesor në dialogun e lehtësuar nga BE. Nëse BE-ja nuk dëshiron ose nuk është në gjendje të detyrojë një marrëveshje, SHBA duhet të përdorë ndikimin e saj për të nënshkruar marrëveshjen”, ka shtuar profesori amerikan.

Sipas tij SHBA ka një ndikim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe shton se për të qenë diplomacia efektive duhet të ketë shpërblime për bashkëpunim dhe ndëshkim për sjellje penguese.

“Uashingtoni ka një ndikim të madh në Ballkanin Perëndimor. Diplomacia efektive kërkon shpërblime për bashkëpunim dhe ndëshkim për sjellje penguese”, potencon Philips.

Ndërkohë sa i përket presionit të madh ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit, Philips thotë se Kosova duhet të ndërmarrë hapa për zbatimin e marrëveshjes në përputhje me Kushtetutën megjithatë thotë se s’duhet të ketë Asociacion për serbët në Kosovë nëse Serbia nuk e bën të njëjtën gjë për shqiptarët që jetojnë në Serbi.

“Qeveria e Kosovës është pajtuar me marrëveshjen për Asociacionin dhe duhet të ndërmarrë hapa për zbatimin e saj. Asociacioni mund të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës edhe pa kompetenca ekzekutive. Paralelisht, Serbia duhet të zbatojë Asociacion edhe për komunitetet ku shqiptarët janë shumicë si Presheva dhe Bujanovci. Nuk duhet të ketë Asociacion në Kosovë pa masë ekuivalente për shqiptarët në Serbi”, ka përfunduar David L. Philips./GazetaExpress/