Petrovci rrëfen mashtrimin nga shoku

Enver Petrovci udhëtoi drejt Tiranës për premierën e tragjikomedisë “Hajdutja e bukur”, shkruar nga Ruzhdi Pulaha, në skenën e Teatrit të Metropolit.
Gjatë karrierës së tij prej aktori e regjisori, ai ka arritur të hapë në Prishtinë edhe dy teatro.
Teatri “Dodona” u hap në vitin 1993 dhe më pas, pas vdekjes së babait të tij, Petrovci adaptoi shtëpinë e tij në teatër dhe e quajti “Teatri i Babës”.
Duke folur për mediat shqiptare, ai ka rrëfyer vështirësitë deri te themelimi i teatrit.
“Kam pasur një shok, Blerim Islamin, i cili më nxiti që të gjitha paratë që kisha fituar gjatë jetës t’i fusja në një projekt të përbashkët. Në të njëjtën ndërtesë, ai do bënte hotelin, ndërsa unë Akademinë e Arteve. Ai më mashtroi, duke mohuar që i kam dhënë paratë dhe për to jemi ende nëpër gjyqe,” ka thënë Petrovci, duke shtuar:
“Unë mbeta pa para. Kur vendosa të bëj teatrin, një prej ndërtuesve më pyeti, “A je ti djali i Bajram Petrovcit?” Po, i thashë. “Nëse je ti djali i tij, atëherë unë po ta ndërtoj teatrin me këste, pasi babai yt ka qenë burri i fjalës dhe unë të besoj”, më tha. Pa asnjë lekë në xhep e ndërtova teatrin, pasi babai im, edhe pse i vdekur, ka lënë nam te njerëzit. Ndaj dhe e quajta “Teatri i Babës”, sepse ai e ndërtoi atë teatër. Pastaj e pagova me këste, natyrisht duke shitur një banesë që kisha në Beograd e një në Prishtinë dhe duke hyrë në kredi. Tani ky teatër nuk funksionon pasi ministritë nuk e adhurojnë, por teatri “Dodona’ tani është teatri i qytetit.” /Indeksonline/