Fundamenti

Petritsch: S’do të kishte asgjë më dramatike se sa një konflikt në Kosovë ose Ballkan, kjo duhet parandaluar me çdo çmim

/ 4 minuta lexim

Ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch, në një intervistë për Kosovo Online ka folur për 2 vjetorin e ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë dhe për impaktin e luftës atje në rajonin e Ballkanit Perëndimor, konkretisht në raportin mes Kosovës dhe Serbisë, trasnmeton Gazeta Express.

Petritsch ka thënë se nuk mendon që mund të ketë një ndërhyrje direkte ruse në Kosovë. Ai ka theksuar se duhet pasur kujdes të shtuar në aspektin e sigurisë, sidomos këtë vit dhe vitin e ardhshëm, për shkak të zgjedhjeve në BE, SHBA dhe shumë vende të tjera, transmeton Express.

Ai tutje ka shtuar se ka frikë që nuk do të ketë përparim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen gjithandej, duke shtuar se për këtë arsye çështja e sigurisë është në fokus dhe se KFOR tashmë po i shton trupat.

Petritsch thotë se duhet pasur kujdes që të mos përsëritet rasti i Banjskës.

“Maturia është gjëja më e rëndësishme. Kam frikë se nuk do të ketë përparim në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për shkak të zgjedhjeve të ardhshme të BE-së dhe mbledhjes së re të Komisionit Evropian. Prandaj çështja e sigurisë tani është në ballë. KFOR-i në Kosovë tashmë po shton forcat e tij, duhet pasur kujdes që të mos përsëriten ngjarjet si ajo në Banjskë”, ka thënë ai.

Diplomati Petritsch thotë se është e rëndësishme që t’iu bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe që të sigurojnë që elementët që s’ia dëshirojnë të mirën rajonit të mos dalin në plan të parë.

Uji Dea

“Është e rëndësishme të kuptojmë se Rusia aktualisht nuk është një partner pozitiv në rajon. Vetëm në bazë të luftës në Ukrainë, mundësitë e saj politike dhe diplomatike janë të kufizuara. Ky është një problem me të cilin duhet të përballemi. Prandaj, në njëfarë mënyre, përkeqësimi i situatës në Kosovë është dëm kolateral i luftës në Ukrainë”, nënvizoi Petritsch.

Sa i përket asaj nëse Rusia po përdor precedentin e Kosovës për të ndërhyrë në Ukrainë dhe për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se Serbia është zgjatim i Rusisë në rajon, Petritsch ka bërë thirrje për përmbajtje nga gjuha nxitëse.

Ai ka thënë se është e nevojshme që Kosova të kujdeset për komunitetin serb në Kosovë dhe të ketë kujdes që gjërat të mos dalin jashtë kontrollit.

Petritsch ka shtuar tutje se asgjë nuk do të ishte më dramatike sesa të shpërthej një vatër e dytë e luftës në Kosovë apo në Ballkan. Petritsch ka potencuar se një gjë e tillë duhet të parandalohet

“Duhet një apel që të mos jemi ekstrem me fjalë dhe me retorikë politike tani. Nuk i sjell asnjë përfitim asnjë partie, mbi të gjitha për njerëzit që jetojnë në Kosovë. Minoriteti serb në Kosovë jeton në kushte shumë të vështira. Gjithmonë është e nevojshme për t’u kujdesur për më të cenuarit. Duhet pasur kujdes që gjërat të mos dalin jashtë kontrollit. Asgjë nuk do të ishte më dramatike sesa nëse do të kishim një lloj vatër të dytë të luftës në Kosovë ose në Ballkan. Kjo duhet të parandalohet pavarësisht se sa do të kushtojë”, ka thënë ai./GazetaExpress/