UBT

Petritsch: Druhem se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi nuk do të jetë i shpejtë

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe diplomati austriak Wolfgang Petritsch thotë se në një situatë gjeopolitike të ndryshuar nga lufta në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, Kosova dhe Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare që është angazhuar në Ballkanin Perëndimor për më shumë se dy dekada, duhet të rivlerësojnë realitetin për të lëvizur përpara.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Petritsch thotë se nuk pret përparim të shpejtë në të ardhmen e afërt në procesin e negociatave, por thotë se asociacioni i komunave serbe në Kosovë do t’i jepte Prishtinës më shumë kontroll mbi tërë territorin e saj dhe pret që pas zgjedhjeve në Serbi, Vuçiq do të duhet të bëjë të qartë orientimin e vendit të tij.

Për shumë vite dhe në role të ndryshme, keni ndërmjetësuar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Cili është vlerësimi juaj për gjendjen sot?

Petritsch: Më duhet të them se pas kaq shumë vitesh, është një moment kur duhet të reflektojmë. Në këtë pikë ku gjendemi, në fundin e vitit 2023, pas shumë vitesh negociata me angazhim aktiv të bashkësisë ndërkombëtare, ende nuk po mund të shohim se cili do të jetë fundi i vërtetë të këtij angazhimi ndërkombëtar. Dhe kjo, mendoj unë, është çështja më e rëndësishme. Na duhet që tani, përfundimisht të gjejmë një mënyrë të suksesshme për të finalizuar dhe për të zgjidhur çështjet e fundit të rëndësishme që mbesin të hapura në Ballkan – çështjen e Serbisë dhe Kosovës dhe çështjen e Bosnje e Hercegovinës, e cila në aspekte të ndryshme vazhdon të jetë një shtet shumë jofunksional.

Duhet ta kuptojmë që tërë këto zhvillime po ndodhin në një ambient të ndryshuar në mënyrë drastike për Evropën në aspektin gjeopolitik. Tek fqinjët e Evropës, në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme, tani po ndodhin dy luftëra ndërkohë që ende nuk i kemi zgjidhur suksesshëm çështjet në rajonin pranë nesh, në shtetet që tashmë duhej të ishin pjesë e Bashkimit Evropian por që ende janë mjaft larg. Dhe prandaj duhet të reflektojmë dhe të dalim me një strategji të re dhe të rigjallëruar për të zgjidhur ato çështje që janë shumë më të lehta për t’u zgjidhur sesa çështjet e mëdha të Rusisë e Ukrainës, apo të Lindjes së Mesme.

Gjatë këtij viti ka pasur rritje tensionesh, përfshirë sulmin nga një grup i armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës dhe grumbullim të ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën që ka nxitur NATO-n të shtojë numrin e forcave paqeruajtëse. Çfarë mendoni për këto zhvillime?

Petritsch: Këto dy shembuj që dhatë janë shumë të rëndësishëm dhe duhet të na shqetësojnë shumë. Sa i përket anës së sigurisë, në rastin e NATO-s me KFOR-in (në Kosovë), edhe në Bosnjë në rastin e EURFOR-in, që gjithashtu është përforcuar, po reagohet shumë më shpejt dhe nuk po presim shumë gjatë (për të reaguar) si para 20-25 vitesh. Në anën e sigurisë me të vërtetë kemi një reagim të shpejtë. Megjithatë, në aspektin politik, sa u përket negociatave, druhem se nuk do të shohim ndonjë përparim gjatë vitit të ardhshëm, sepse kemi zgjedhje në Serbi më 17 dhjetor, pastaj vitin e ardhshëm zgjedhjet e Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian dhe në nëntor zgjedhjet presidenciale në SHBA. Dhe është e qartë që dy luftrat e mëdha tani kanë tërë vëmendjen e hartuesve të politikave në Bruksel dhe në Uashington. Me shqetësim e them se nuk do të shohim ndonjë përparim përsa i përket zgjidhjes diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Prandaj mendoj se u mendua mirë që NATO-ja, KFOR-i, duhet përforcuar pasi nuk duhet lejuar të përsëriten ngjarjet si ato të para disa javëve.

Së fundi jam takuar me Kryeministrin Kurti në Vjenë, po ashtu me (të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel) Escobar kemi biseduar për një orë dhe së shpejti do të takoj Ambasadorin (amerikan në Beograd, Chris) Hill. Po flasim për këtë situatë dhe përshtypja ime është që dyja palët, në Beograd si dhe në Prishtinë, ndjenja është që ndoshta që ky përshkallëzim ishte i tepruar dhe duhet të ulim tensionet, që është e domosdoshme. Nuk mundet vetëm bashkësia ndërkombëtare të kujdeset për sigurinë në rajon. Duhet gjetur partnerë për bashkëpunim të përgjegjshëm në planin e sigurisë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në veçanti. Na duhet t’ua bëjmë të qartë aktorëve kryesorë – Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti – se ata duhet të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme të Evropës dhe Bashkimit Evropian që tani është shumë e rrezikuar nga dy luftërat.

UBT

Cila është përshtypja juaj për sulmin që ndodhi me 24 shtator në pjesën veriore të Kosovës?

Petritsch: Përshtypja ime është se doli nga kontrolli. Më lejoni ta sqaroj. Mendoj se nuk ishte planifikuar domosdoshmërish dhe me vetëdije në Beograd. Megjithatë, njerëzit e përfshirë në këtë grup mercenarësh, po shfrytëzonin një situatë të pazgjidhur dhe po vepronin mbi idetë e tyre për kaos dhe ndërprerje të procesit negociator të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ka njerëz nga dyja anët që nuk janë të interesuar në një zgjidhje. Qartazi, është më e vështirë për palën serbe t’i afrohet një zgjidhjeje sepse atyre u duhet të heqin dorë nga ajo që tashmë e kanë humbur, nga Kosova. Por në të njëjtën kohë, po qëndrojnë prapa idesë fiktive se Kosova është Serbi. E kanë Rezolutën e OKB-së dhe gjithë këto formalitete, por është edhe deklarata e pavarësisë së Kosovës. Prandaj mendoj se dy palët duhet ta shohin të vërtetën në sy dhe mendoj se incidentet e shtatorit ishin një rivlerësim negativ i situatës. Kjo nuk është absolutisht rruga përpara. Nuk është në të mirë të Serbisë, nuk është në të mirë të Kosovës, e në veçanti për qytetarët e Kosovës, për pakicën serbe. Një çështje së cilës shpesh nuk i kushtohet vëmendje është fakti që të rinjtë po ikin nga Kosova, në veçanti nga pjesa me shumicë serbe, sepse nuk po shohin të ardhme aty. Faktori demografik është ndoshta më i dëmshmi për një të ardhme më të mirë të Kosovës dhe tërë rajonit.

E përmendet çështjen e mosbesimit. Ekziston shqetësim në Kosovë se asociacioni mund të jetë autonomi territoriale për serbët në Kosovë dhe se duke marrë parasysh qëndrimin e Serbisë që mohon pavarësinë e Kosovës, asociacioni do të minojë integritetin territorial të Kosovës. A janë, sipas jush, të bazuara këto shqetësime?

Petritsch: Shqetësimet gjithmonë, në një formë, janë të bazuara, por në të njëjtën kohë, si duhet të tejkalohen ato shqetësime? Kjo është çështja kryesore dhe mendoj se shqetësimet tejkalohen në formën ligjore dhe në aspektin praktik, duke u siguruar njëzëri me bashkësinë ndërkombëtare se asociacioni nuk do të jetë një Republikë Serbe. Bashkësia ndërkombëtare ka mësuar se një zgjidhje e tillë nuk i shkon për shtat një shteti, sikur në rastin e Bosnjës. Prandaj, të jeni të sigurtë se nuk do të ketë një Republikë Serbe në Kosovë. Por besoj se pakicat serbe në Kosovë duhet dhënë të drejta kulturore, disa aspekte ekonomike dhe të drejta të tjera në arsimim, shëndetësi. Duhet ta keni parasysh që aktualisht në Kosovë hynë shumë para, pa transparencë, nga Beogradi. Përmes një asociacioni të këtillë, këto para duhet të regjistrohen dhe të kalojnë nëpër (institucionet) e Prishtinës. Me krijimin e asociacionit, Prishtina do të fitojë më shumë të drejta të kontrollojë këtë pjesë të Kosovës, që natyrisht i takon shtetit. Por ekziston një pakicë dhe kjo pakicë duhet të ketë të drejta të caktuara.

Si duhet kundërpërgjigjur në rajon udhëheqësve si Dodik në Bosnjë dhe udhëheqësve të tjerë serbë që ndihen të fuqizuar, në këto rrethana? Si mund të sigurohet paqja dhe stabiliteti në Ballkan?

Petritsch: Nuk do të jetë lehtë aktualisht. Siç e thashë, kjo periudhë aktualisht është më komplekse dhe jo shumë e favorshme për një zgjidhje të vërtetë. Por besoj se në fund, dhe ky është një fakt, se nëse Serbia, që vazhdon të jetë shteti më i madh në rajon dhe ekonomia më e fuqishme, nuk orientohet plotësisht drejt Bashkimit Evropian dhe bëhet shtet evropian, nuk do të mund t’i bashkohet BE-së. Është në interes të madh të zotit Vuçiç që Bosnja të mos shpartallohet sepse zoti Dodik dëshiron një gjë të tillë. Nëse e keni parasysh tërë rajonin dhe e shihni dinamikën mes Bosnjës dhe Serbisë dhe e shihni dinamikën mes Serbisë dhe Kosovës – mënyra se si duket i tërë rajoni duhet pasur parasysh. Nuk mund ta gjykosh në veçanti situatën në Bosnjë pa i llogaritur synimet politike në Beograd dhe synimet politike në Beograd janë të tilla që ata dëshirojnë të ulen në dy ose tre karrige dhe eventualisht kjo situatë nuk do të përfundojë mirë.

Besoj që pas këtyre zgjedhjeve, Vuçiq do t’i duhet ta ndërmarrë një vendim të vështirë për veten, për Republikën Serbe dhe për rastin e Kosovës. Shpresoj që fundi i 2024 dhe fillimi i 2025 do të shohim një fazë të re në marrëdhënie dhe një lëvizje që çon drejt një normalizimi në Ballkanin Perëndimor. /VoA/