Fundamenti

Petrit Selimi: Vatikani kërkon që në Kosovë të mos ketë islamofashistë

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Krerët e Kishës Katolike në Kosovë sa herë po flasin për njohjen e Kosovës nga Vatikani po përmendin mungesën e një Ligji me të cilën njihen bashkësitë fetare në Kosovë, duke përfshirë edhe Kishën.

Mirëpo, kështu nuk mendojnë zyrtarët e diplomacisë së Kosovës.

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi thotë se për Vatikanin është më e rëndësishme të mos përhapet ekstremizmi islamofashist se sa miratimi i një Ligji për njohjen e Kishës.

“Ndoshta më shumë rëndësi se sa aprovimi i ndonjë ligji për Vatikanin është që Kosova të jetë zonë tolerante për fenë krishtere, katolike apo ortodokse, që ekstremizmi islamofashist që po shkatërron komunitetet krishtere ne Lindjen e Mesme mos te shfaqet në Kosovë dhe që Kosova të vazhdon edhe më tutje se ndërtuari marrëdhëniet dhe relacionin e veçante që ka me Selinë e Shenjtë ndër shekuj”, ka thënë Selimi, për Express, të enjten.

UBT

“Sa i përket Vatikanit, njohja apo jo e Kosovës nuk varet nga vetëm një vendim apo vetëm një ligj por është çështje më komplekse”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Selimi ka sqaruar se Ministria e Drejtësisë ka draftuar një Ligj tjetër për të rregulluar veprimtarinë e institucioneve fetare.

Ai pret që legjislatura e re të miratojë këtë ligj, i cili mundëson shtetit të ketë mjete për të kontrolluar organizmat fetarë.

“Ministria e Drejtësisë ka draftuar një ligj, ndërsa me ndihme te BE’së poashtu janë marrë disa komente nga Komisioni i Venedikut sa i përket kualitetit të këtij ligji. Tani u takon deputetëve të Kuvendit të ri të aprovojnë draft Ligjin me apo pa ndryshimet e propozuara nga Komisioni i Venedikut. Mendoj se ky ligj është i rëndësishëm sepse mundëson shtetin të ketë mjete të kontrollit mbi organizmat fetare, por edhe ju jep autonominë vepruese dhe dalluese përfaqësuesve të feve tradicionale kosovare”, ka shtuar ai.