“Peshqit e mëdhenj”, të paprekshëm
Drejtësia kosovare assesi nuk mund të arsyetohet vetëm me arrestimin e ndonjërit nga të ashtuquajturit ‘peshq të mëdhenj’, kur dihet se ka mjaft lëndë dhe raste të tjera të pagjykuara dhe akoma të pandëshkuara para drejtësisë e ligjit.
Shteti i kapur, oligarkët nuk lëshojnë pe.
Pas dështimit të EULEX-it, tash organet vendore nuk pritet që të kenë ndonjë sukses në trajtimin e rasteve të ndjeshme, ku mund të jenë të akuzuar edhe politikanë të profilit të lartë,raporton Gazeta Kosova Sot
Drejtësia kosovare assesi nuk mund të arsyetohet vetëm me arrestimin e ndonjërit nga të ashtuquajturit ‘peshq të mëdhenj’, kur dihet se ka mjaft lëndë dhe raste të tjera të pagjykuara dhe akoma të pandëshkuara para drejtësisë e ligjit. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë veçuar se kjo drejtësi para këtyre rasteve duket se ka bërë vetëm sehir, derisa ata kanë vënë alarmin se vërtet pa i vënë para drejtësisë të gjithë “peshqit e mëdhenj” zor se mund të ketë ndryshime në zhvillimet e drejtësisë, ngase, sipas tyre, këtu edhe fillojnë zgjidhja dhe ndëshkimi i së keqes, pikërisht ndaj këtyre rrjeteve të krimit të organizuar, e që janë bërë pengesë edhe për zhvillimin e vendit. Ndaj është shtruar edhe pyetja se kur do të marrë guximin drejtësia kosovare që të ndëshkojë vërtet dhe njëmend “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit dhe krimit ekonomik e atij të organizuar, disa prej të cilëve veç u zbardhën së fundmi edhe përmes përgjimeve ‘Pronto 2’?
Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se, sikur është e ditur, ka kohë që disa nga lëndët e të ashtuquajturve ‘peshq të mëdhenj’ drejtësia e EULEX-it ia ka kaluar drejtësisë kosovare, të paktën, siç tha, ashtu është përfolur kohë më parë për publikun, derisa ky mbetet një lloj testimi për drejtësinë tonë. Sipas tij, edhe drejtësia e EULEX-it vazhdimisht ka trumbetuar se do të burgosen ‘peshqit e mëdhenj’, por që për kaq kohë ende nuk është parë diçka e denjë në këtë drejtim, përpos fjalëve nuk janë parë edhe arrestime dhe dënime të ndonjërit nga të ashtuquajturit “peshqit e mëdhenj”
Kapot e krimit, pengesë për zhvillim “Së këndejmi, nuk besoj se mund të arsyetohet drejtësia vetëm me arrestimin e ndonjërit, sa për ta justifikuar veten, kur dihet se ka mjaft lëndë dhe raste të tjera të pagjykuara dhe akoma të pandëshkuara para drejtësisë dhe ligjit, e që janë të një kalibri të lartë, si hallkat e krimit të organizuar, atij ekonomik etj. Mbase në të shumtën e herës nga publiku është aluduar në akëcilin nga të korruptuarit e sistemit të pushtetmbajtësve, apo në akëcilin nga hallkat e krimit të organizuar, atij ekonomik etj., por ende nuk ka rastisur që këta të nxirren para drejtë- sisë, gjersa disa nga të këtillët veçse janë bërë të ditur edhe për publikun e gjerë, me zbardhjen e përgjimeve ‘Pronto 2’, duke qenë rrjeti edhe më i gjerë, duke qenë aktorët edhe më të mëdhenj, e me dyshime të bazuara në inkriminimin e shumë rasteve për keqpërdorime, abuzime dhe shkeljeve ligjore, pra duke qenë përgjegjës para drejtësisë dhe ligjit, e që sigurisht dyshohet se ka mjaft argumente për të nisur hetimet dhe ngritur aktakuzat ndaj tyre për keqpërdorimet e formave të ndryshme”, theksoi Kelmendi.
Por, sipas tij, për të gjykuar të korruptuarit e kalibrit të lartë dhe kapot e krimit të organizuar, drejtësia duhet të ketë guximin, kurajën dhe përgjegjshmërinë për të dëshmuar se në këtë vend po funksionon sistemi i drejtësisë derisa, siç tha, vërtet pa i vënë para drejtësisë ‘peshqit e mëdhenj’ vështirë se mund të ketë ndryshime në zhvillimet e drejtësisë, ngase këtu edhe fillon zgjidhja dhe ndëshkimi i së keqes, pikërisht ndaj këtyre rrjeteve të krimit të organizuar, e që janë bërë pengesë edhe për zhvillimin e vendit.”Vërtet këto janë rrjete të mëdha të krimit, që kanë vënë ndikimin dhe kontrollin në shumë segmente të jetës dhe pa dënimin e gjykimin e tyre zor se mund të flasim për zhvillimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, potencoi më tej ai./kosova sot/


