UBT

Pesë mitet e gabuara mbi duhanin

/ 23 minuta lexim
GRANDEMALL

Janë në qarkullim 5 mite kryesore që pengojnë heqjen dorë nga duhanpirja. Këto 5 mite, që janë thjesht 5 gënjeshtra, tashmë kanë përballë 5 të vërteta të mëdha. Pamundësia e ndalimit të duhanpirjes është një thashethem i keq, një konsideratë e pavërtetë.

PSIKOLOGJI

Dhe pesë antimitet që ndihmojnë në lënien e duhanit përgjithmonë
(Prof. Dr. Xhelo SULO)

Ai kishte qenë i tejngopur me gënjeshtra që i vinin nga disa burime, madje dhe nga vetë trupi i tij.

Për shumë duhanpirës, ndalimi i pirjes së duhanit duket një ide dhe punë e pamundur. Personazhi i këtij shkrimi është një qytetar amerikan i ditur, si dhe një besimtar i madh ndaj koncepteve shkencore, tradicionale dhe moderne. Për duhanpirjen dhe duhanlënien, ai thekson se: “si një ish-duhanpirës pasionant, unë e kuptoj mirë dhimbjen e atyre që, nga njëra anë përpiqen ta braktisin përgjithmonë duhanpirjen, por nga ana tjetër, dështojnë dhe vuajnë në përpjekjet e tyre”.

Dështimi i shumë personave në përpjekjet për të ndalur pirjen e duhanit, ka krijuar përshtypjen se, ky veprim është një ide e parealizueshme, është një hap i pamundur. Për këtë hap të pamundur, ish-duhanpirësi ynë nënvizon se: “pamundësia e duhanlënies është thjesht një “mit”, është një iluzion, një konsideratë e gënjeshtërt, një thashethem i keq”.

Unë, shkruan ai, e ndiej të domosdoshme që të flas për këtë konsideratë të gënjeshtërt dhe të krijoj mundësinë që të njihet e vërteta. Brenda një gënjeshtre të madhe, mund të rreshtohen disa gënjeshtra të tjera, që mbase të gjitha bashkë mund t’i quajmë njëlloj, gënjeshtra. Dhe ja si “rrëfehet” ai më tej:

Unë këmbëngul vazhdimisht që, e vërteta duhet të ndahet sa më parë dhe sa më qartë nga e pavërteta. Në këtë kuadër, mendoj se janë në qarkullim 5 mite kryesore që pengojnë heqjen dorë nga duhanpirja. Për këto 5 mite, që janë pikërisht “5 gënjeshtra”, tashmë unë kam mësuar dhe zbuluar edhe 5 përgjigjet e duhura çmitizuese, që me të drejtë mund të quhen: “Pesë të vërtetat mbi duhanpirjen & duhanlënien”.

Prej ditës që e kuptova dhe e mësova këtë zbulim, jeta ime filloi të dukej ndryshe. Që nga ajo ditë, unë u bëra i aftë të braktisja pirjen e duhanit, menjëherë dhe përfundimisht. Tani uroj dhe besoj që: “Edhe Ju miq duhanpirës, mund të arrini të bëni të njëjtën gjë”.

Ishte koha që kisha rreth 20 ditë pa ndezur asnjë cigare dhe ndihesha jashtëzakonisht i tronditur. Deri në atë ditë, kisha provuar të gjitha mjetet ose “marifetet” për të larguar tronditjen që kisha nga kjo mospirje. Provova të gjitha llojet e kokoshkave, çamçakëzëve dhe pullave nikotinike të farmacive (që ngjiteshin në trupin tim). U vizitova te terapistët, agopunkturistët dhe psikologët, si dhe bëra çdo gjë që mund të bëja. Asnjë prej këtyre mjeteve, nuk funksionoi.

Pas njërit dështim te tjetri, ndihesha gjithnjë e më i pashpresë dhe gjithnjë e më i inatosur. Ndihesha kështu, sepse nuk po gjeja shpëtim dhe se isha gati të “thyhesha” dhe të filloja sërish pirjen e duhanit.

Gjatë kësaj kohe, shpesh pyesja veten: “Përse unë nuk mund të ndaloj duhanpirjen me teknikat, që disa të tjerë duket sikur munden?” Më dukej sikur disa teknika, metoda, mjete ose mjekime, sikur funksiononin vërtet te të tjerët, por fakti ishte se, ato funksiononin vetëm për disa ditë, për disa javë dhe rrallëherë për disa muaj. Nga ana tjetër, këto mjete ose “medikamente” shpesh janë të pakëshillueshme, sepse shkaktojnë disa efekteve anësore si, frikësime, mbyllje në vetvete etj. Pavarësisht të gjithave, sikurse u theksua më parë, i provova ato, por në fund të ditës ndieja sërish “urinë” për të ndezur patjetër cigaren.

Sa më shumë metoda provoja, aq më shumë dështoja dhe aq më i pashpresë ndihesha. Ashtu i inatosur, shtroja shpesh pyetjet: Përse unë nuk mund të heq dorë nga duhani?
Përse ato metoda janë funksionale për disa persona dhe jo për mua? Çfarë është gabim tek unë?

Gjatë shumë ditëve, përsëritja të njëjtat pyetje. Përfundimisht, u bëra kaq i dështuar dhe i pashpresë saqë, vendosa që përgjigjet e pyetjeve që i bëja vetes sime, t’i kërkoja jo në drejtim të vetes, por në një drejtim tjetër.

Në kuadrin e këtij drejtimi tjetër, unë u ndala te rrjeta e gënjeshtrave, që bënin fjalë për gjoja “bukuritë dhe mirësitë” e vetë cigareve, të cilat nuk e linin “rehat” trupin tim. Më rezultoi se, ky kërkim ishte në fakt shumë më i vështirë nga sa e kisha menduar, por megjithatë, unë vazhdova.

Thelbi i këtij drejtimi të i ri në kërkimin tim lidhej me faktin që, unë vendosa të shikoja në thellësi të trupit të njeriut, si dhe në thellësi të vetë cigares.

Në këtë kuadër, unë studiova trupin e njeriut dhe reagimin e tij ndaj nikotinës dhe substancave të tjera. Kjo përpjekje ishte e domosdoshme për të kuptuar arsyen që, përse unë kisha atë rezistencën e fortë ndaj “mjekimeve” të ndryshme.

Për të mirën e shëndetit tim gjithashtu, unë realizova disa kualifikime në fushën e terapisë së masazhit, terapisë natyrore, arteve marciale etj., si dhe teknologjisë së lirisë emocionale (TLE-së) të avancuar. Këto kualifikime, më ndihmuan të kuptoja më mirë shkaqet mentale dhe emocionale, që më “intrigonin” mua të ndieja “urinë” e shfrenuar për cigaren.

Pas shumë e shumë orë studimesh dhe kërkimesh, unë arrita të kuptoj që, “goditja metodike e vesit tim me anën e TLE-së, mundi më në fund të prodhojë një shërim të madh”.
Tani, sa më shumë mësoj aq më shumë kuptoj se, sa i padijshëm kisha qenë. Aktualisht pranoj se: “kam qenë i tejngopur me gënjeshtra, që vinin nga disa burime, madje dhe nga vetë trupi im”.

Kam dëgjuar dhe besuar shumë gjëra të pavërteta për duhanin, prandaj kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj shumë falje, për atë që nuk kisha qenë i zoti për t’i kuptuar ato më përpara. Ja 5 mitet që qarkullojnë në mjediset, mendjet dhe fjalimet e duhanpirësve, që dikur, unë vetë nuk i kuptoja:

Miti 1: “Pirja e duhanit më ndihmon të relaksohem”

Një duhanpirës kronik mendon dhe deklaron shpesh se: “pirja e duhanit më ndihmon të relaksohem nga streset e jetës”. Ky mit, ky mentalitet i gënjeshtërt, është shumë i përhapur. Madje, jo disa, por të gjithë duhanpirësit, mund të kenë lidhje me këtë mit. Por, le të shtrojmë dy pyetje dhe të japim për ato dy përgjigje.

Pyetja e parë: Sa herë keni qenë të stresuar nga trysnitë e punës dhe jetës apo nga vdekja e shokut, mikut ose njeriut të dashur dhe sa herë keni gjetur qetësinë dhe rehatinë, në sajë të hyrjes në mbretërinë e cigares?

Përgjigjja: Sigurisht që, shumë herë keni qenë të stresuar dhe asnjëherë “mbretëresha” juaj nuk ju ka ndihmuar. Ngaqë nuk keni ndier ndonjë lloj ndihme, në kohën që koka e ndezur e cigares është afruar te buzët tuaja, Ju keni thënë me vete: “sa shpejt u harxhua e bekuara”.

Pyetja e dytë: A duhet të ketë diçka tjetër tek ai “shkop i vogël” që quhet cigare dhe që ju ndihmon të relaksoheni ose të çlodheni si duhet?

Përgjigja: Po, ndodhet diçka dhe ajo është “nikotina”. Nikotina përfaqëson substancën më aktive të një cigareje dhe njihet si një stimulant i fuqishëm, deri i jashtëzakonshëm.

Si e tillë, pasi nikotina arrin në mushkërinë dhe gjakun tuaj, ajo aktivizon gjëndrën mbiveshkore, e cila sekreton një sasi të madhe të hormonit adrenalinë. Është adrenalina pastaj, ajo që provokon ngushtimin e enëve të gjakut, rritjen e presionit të gjakut dhe shtimin e rrahjeve të zemrës.

Duket se, nikotina ju bën juve më të stimuluar dhe më të avantazhuar se disa filxhanë kafeje. Me fjalë të tjera, duke pirë një cigare, të gjithë ju miqtë e mi duhanpirës, fillimisht pranoni se, është pikërisht cigarja ajo që jua lehtëson gjendjen e stresit dhe se është cigarja ajo që fuqizon reagimin e trupit tuaj ndaj tensioneve nervore ose situatave stresuese. Pas kësaj, ju mendoni dhe pyesni veten: Çfarë ka cigarja brenda vetes, që vepron tek unë dhe që më bën të ndihem më i relaksuar, kur e tymos atë?

Pasi të keni dëgjuar se, cigarja në vetvete përmban nikotinën, mendja juaj shkon menjëherë tek ajo dhe ju duket sikur, nikotina prodhon brenda jush gjithë ato mirësi. Në fakt, nikotina është si “ai” për të cilin thonë se, “hedh gurin dhe fsheh dorën”. Nikotina, është substanca aktive e duhanit që përdor trupin tuaj kundër jush.

Një nga efektet biologjike të nikotinës, është nxitja në tru e një ndjesie frike, ankthi ose shqetësimi. Kjo frikë, është provuar se ka natyrë farmakologjike, d.m.th. është një lloj frike artificiale. Për këtë arsye, ndjesia e frikës, ankthit ose e shqetësimit vazhdon pandërprerë, vazhdon sa kohë që vazhdon duhanpirja. Vetëdija e duhanpirësit beson se, kjo frikë artificiale është një stres real, është një fakt i jetës së përditshme të njeriut.

Pavarësisht nga kjo, frika artificiale në fjalë, mund të pakësohet vetëm me dy mënyra, që janë: Duke pirë cigaren tjetër të radhës; duke ndaluar duhanpirjen (d.m.th. duke larguar nikotinën nga trupi).

Mënyra e parë, është ajo që zakonisht, preferohet nga të gjithë duhanpirësit kronikë. Ndodh kështu sepse, nikotinës që ndodhet në gjakun e tyre i duhet shumë kohë për t’u zbërthyer dhe për t’u larguar nga trupi. Meqenëse nikotina zbërthehet dhe largohet shumë ngadalë, ajo është thuajse njëlloj e pranishme në trup. Rrjedhimisht, rruga më e lehtë për t’u çliruar nga frika artificiale (nikotinike), është ndezja e një cigareje tjetër, e një tjetre, e një tjetre……, e kështu me vite.

Pra, lehtësimi që ndien njeriu pas pirjes së cigares së radhës, është vetëm një pakësim i vogël i ankthit artificial që e provokon vetë nikotina dhe jo një pakësim i ndonjë ankthi real.

Përveç frikës artificiale, pirja e duhanit shkakton zbërthimin dhe varfërimin e organizmit nga vitamina C, por dhe të disa substancave ushqyese, që trupit i duhen për të sintetizuar hormonet që reagojnë ndaj stresit. Këto hormone, janë vërtet të rëndësishme, sepse ato faktorizojnë mbrojtjen natyrore të trupit, në drejtim të dobësimit të stresit.

Kur ju arrini të bindeni plotësisht se, është nikotina ajo që shton në gjak nivelin e adrenalinës (e cila nuk e relakson trupin), është nikotina ajo që provokon ankthin (që mund të dobësohet pak nga pirja e një cigareje tjetër), si dhe që është nikotina ajo që pakëson aftësinë natyrale të trupit për të luftuar stresin, atëherë mund të bëheni plotësisht të vetëdijshëm se, trupi i një duhanpirësi nuk ka mundësi fiziologjike të relaksohet nga pirja e cigares.

Cigarja e radhës e bën duhanpirësin më shumë të stresuar sesa të relaksuar. Pra thënia se, “pirja e duhanit më ndihmon të relaksohem”, është thjesht një dukuri, thjesht një gënjeshtër.

Miti 2: “Nikotina është një drogë, rrjedhimisht unë nuk mund të heq dorë prej saj”

Thuhet shpesh se: “nikotina është substancë që shkakton varësinë ose pasionin, ajo është një drogë dhe njeriu nuk mund të heqë dorë prej saj”.

Pas kësaj thënieje, le të shtrojmë arsyetimin: Nëse nikotina është pjesa pasionante e cigares, kjo do të thotë se, ju duhet të ndizni cigare për sa kohë që nuk keni gjetur një burim tjetër nikotine.

Tashmë njihen disa burime të tjera nikotine, sikurse janë p.sh. tamponët me nikotinë farmaceutike që ngjiten në sipërfaqen e lëkurës, çamçakëzët e ndryshëm etj.
Nëse burimet e nikotinës funksionojnë vërtet, atëherë tamponët dhe çamçakëzët do të kishin suksesin e shkallës 100%. Ata duhet ta prodhonin efektin e predikuar, sepse burimet në fjalë përcjellin në organizmin e personit që i përdor sasinë e nevojshme të nikotinës. Fakti është se, tamponët dhe çamçakëzët rezultojnë të paefektshëm ose me një efekt të shkallës shumë të ulët. Le ta shtrijmë arsyetimin pak më tej.

Një paketë cigaresh përmban rreth 0.9 miligramë (mg) nikotinë dhe 0.6 mg katran. Për lehtësi llogaritjesh, le të themi se, një paketë cigaresh përmban afërsisht 1 mg. nikotinë. Ndërkohë, në një pullë (tampon farmacie) që ngjitet në sipërfaqen e lëkurës, përmbahen rreth 21 mg. nikotinë. Kjo sasi nikotine është e barabartë me pirjen e 21 paketave me cigare/ në ditë.

Kjo do të thotë se, nga një pullë nikotinike merret një sasi më se e mjaftueshme nikotine për të plotësuar kërkesat e të ashtuquajturit “pasionim” ose “drogim”.

Atëherë, përse personi që ka ndërprerë pirjen e duhanit, nuk ndihet i qetë edhe në këtë rast?

FIDANISHTJA

Studimet tregojnë se, vetëm 15% e njerëzve që vendosin të mos pinë duhanin, qetësohen nga nikotina zëvendësuese, që e marrin nëpërmjet tamponëve ose çamçakëzëve. Kjo do të thotë se, rreth 85% e njerëzve që heqin dorë nga cigarja duke i varur shpresat te tamponët dhe çamçakëzët e nikotinizuar, kanë dështuar dhe vazhdojnë të dështojnë në sipërmarrjen e tyre. Madje, efekti që prodhojnë tamponët dhe çamçakëzët e farmacisë, është edhe më i vogël se i ashtuquajturi “efekti placebo” (placebo: efekt që fitohet nga përdorimi i një substance inerte, substance jo medikamentoze ose efekt që fitohet në mënyrë reflektore/nervore).

Këto të dhëna përforcojnë idenë se: “nikotina nuk është substancë pasioni, d.m.th. nikotina nuk është një drogë”. Nëse nikotina do të ishte drogë, duhanlënësi me tamponët e nikotinizuar në trup, do të ishte plotësisht i qetë.

Nikotina nuk është një drogë sepse: pavarësisht se një pullë farmacie ka në vetvete një sasi nikotine të barabartë me 21 paketa cigaresh (e cila është rreth 20 herë më e madhe se doza mesatare e nikotinës që merr duhanpirësi gjatë një dite), rreth 85% e njerëzve që tentojnë ta lënë duhanin në këtë mënyrë, dështojnë. Sikurse shihet, analiza ka mbërritur te pika, ku mund të thuhet se: nuk ka rëndësi se: sa “drogë” mund të jetë ose mund të mos jetë nikotina, por e rëndësishme është të qartësohet se:

Cila është arsyeja kryesore që ne jemi kaq shumë të varur nga cigarja?”. Nëse nikotina nuk është ajo që na mban të lidhur pas cigares, atëherë kush na mban ne të lidhur pas saj? Përfundimisht, tani ne mund të deklarojmë qartë se: kaq të lidhur pas cigares, na mban “forca e zakonit”. Pirja e duhanit është pikërisht një “zakon/ves”. Selia e këtij vesi është gjithmonë koka jonë, truri ynë. Ja një llogari e thjeshtë, lidhur me “vesin/zakonin”:

Një duhanpirës e vendos dhe e rivendos një cigare në buzët e tij (e thith dhe e rithith atë) rreth 15 herë gjithsej. Le të themi që, një person tymos mesatarisht 20 cigare në ditë. Rezulton që, duhanpirësi e ngre dorën deri te buzët, rreth 300 herë në ditë.

Çfarë gjëje tjetër mund të bënte njeriu, që zakonisht e bën atë 300 herë në ditë? Jo shumë gjëra, por mendja shkon te: frymëmarrja, kapsitja e syve, gëlltitja e ushqimeve, ujit, pështymës etj.

Ja pse ai është një zakon/ves, sepse njeriu ngre dhe shpie gishtat e tij lart te buzët qindra herë në ditë dhe për vite me radhë. Përfundimisht, ai proces bëhet diçka si natyralja, ashtu si frymëmarrja.

Vetvetiu del përfundimi se: “duhanpirja nuk është një drogim, ajo është thjesht një zakon ose një ves”. Tani le të hidhemi te miti tjetër.

Miti 3: “Duhanpirja është një ves dhe veset janë të vështirë për t’u shkulur”

Pak më sipër doli se, duhanpirja është një zakon, një ves. Ndërkohë, miti i radhës thekson se, “zakonet janë të vështira të hiqen” ose “është e pamundur që zakonet të largohen”. Ky përcaktim gjithashtu, përbën një mashtrim të madh ose është një gënjeshtër me bisht.

Është e vërtetë që zakonet janë shumë të pranishme në mendjen dhe jetën tonë, por ata janë aty për ta bërë atë (jetën) më të lehtë. Zakonet shërbejnë edhe për të mbrojtur trurin nga ngarkesa e tepërt me ide, që mund të shkaktojnë brenda tij rrëmujë, çoroditje dhe hutim.

Duke vendosur vetëdijen brenda një programimi rutinë (një veprimi të caktuar rutinë), ne bëhemi të aftë të largojmë rrëmujën brenda tij, me shumë pak vëmendje. Duhanpirja si veprimtari, nuk dallon shumë nga veprimi rutinë i zgjimit nga gjumi çdo mëngjes, apo nga drejtimi i timonit të makinës në të njëjtën rrugë, duke shkuar në punë çdo ditë etj.

Kur brenda vetëdijes tonë krijohet bindja se, pirja e duhanit zbut, lehtëson dhe zvogëlon rrezikun (stresin), atëherë shfaqet zakoni, që është shtrirja e mendimit për te cigarja tjetër. Këtu lind pyetja: “Nëse truri mendon realisht për cigaren tjetër, atëherë sa cigare ka nevojë vetëdija të pijë”?

Në shumicën e njerëzve, sasia e cigareve që pihen, përcaktohet automatikisht. Ky përcaktim automatik, është një veprim zakoni, një veprim i zakonshëm që kryen mendja, vetëm sepse ajo ashtu ishte e programuar.

Lidhur me këtë aspekt, le të marrim një shembull: Ju shëtisni qenin tuaj gjatë të njëjtës rrugë dhe çdo ditë, për shumë vite dhe pa neglizhuar aspak. Sigurisht, ju mund ta quani atë një zakon.

Por një ditë prej ditësh, ju lexoni lajmërimin se, rruga është mbyllur përkohësisht, sepse një kompani ndërtimi është duke vendosur eksplozivët për të shembur një shtëpi të vjetër buzë rrugës.

A do të kryeni ju shëtitjen në këtë rrugë, pavarësisht se brenda jush lind frika e rrezikut për jetën tuaj dhe të qenit? Në këtë rast, mbeten dy alternativa: E para: Ju të shëtisni në një rrugë tjetër (mundet që kjo rruga tjetër të jetë më e mirë se e para). E dyta: Ju të rrezikoni jetën tuaj për hir të ruajtjes së zakonit (d.m.th. të shëtitjes në atë rrugë).

Pas alternativës së parë, qëndron forca e zakonit (vesit), kurse pas alternativës së dytë, qëndron forca e arsyes, d.m.th. flakja e zakonit, braktisja e tij. Kushdo që të ishte, duhet të konsiderohej i çmendur, nëse do të zbatonte shëtitjen e zakonshme nëpër rrugën me mina.

Duhanpirja nuk është një zakon dosido, por një zakon tepër i rrezikshëm për shëndetin e atij që e ushtron, sepse ai mbart mundësinë e provokimit të kancerit dhe sëmundjeve të zemrës (dy diagnozat më të zakonshme të vdekjes së duhanpirësve).

Ndërkohë, pirja e duhanit ul cilësinë e jetës dhe shkakton kollën, gëlbazën dhe problemet e frymëmarrjes. Nga përllogaritjet matematikore rezulton se, pirja e duhanit e shkurton jetën e duhanpirësit rreth 14 vjet.

Pirja e duhanit është një zakon që krijohet nga vetëdija e secilit, për të bërë jetën e tij më të lehtë. Pavetëdija jua fsheh faktin se: duhanpirja është duke ju vrarë pak e nga pak dhe duke ju marrë rreth 14 vjet nga jeta e juaj.

Mund të thuhet me zë të lartë se, pirja e duhanit është një “regjim i zakonshëm, që mund të ndryshohet”, me aq lehtësi sa shëtitja me qenin tuaj, për gjatë një rruge tjetër. Vetëm mjafton që, ju të dini sesi arrihet ky ndryshim.

Miti 4: “Nëse unë ndaloj pirjen e duhanit, shtoj shumë peshën e trupit”

Deklarata se, lënia e duhanpirjes shton shumë peshën trupore, është vetëm një taktikë frikësimi që përdoret për të ruajtur gjendjen aktuale të duhanpirjes. Pra deklarata se: “lënia e pirjes së duhanit, shkakton mbipeshën trupore”, është plotësisht e pavërtetë.

Megjithatë, disa njerëz shtojnë vërtet në peshë, pasi ndalojnë pirjen e duhanit. Por kjo nuk ka të bëjë me cigaren në vetvete. Çdo gjë që ndodh, ka të bëjë me arsye të tjera, që lidhen me vetë personin.

Shumë persona ish-duhanpirës shtojnë në peshë pas heqjes dorë nga duhani, sepse ata nuk i janë drejtuar si duhej logjikës së fenomenit, lidhur me atë që: “pse duhej që ata të ishin duhanpirës ose pse ata duhej ta pinin duhanin?”. Duke mos arsyetuar rreth shkakut të vërtetë të duhanpirjes, ata përfundojnë te zëvendësimi, këmbimi ose ndërrimi i një vesi/zakoni me një ves apo zakon tjetër.

Kur ju pushtoheni nga dëshira për të shtrirë dorën dhe prekur një cigare, ndërkohë që e dini se nuk mund ta keni një të tillë, atëherë ju e shtrini dorën mekanikisht te gjëja tjetër e mirë, që është ushqimi.

Ngrënia e ushqimit ashtu si dhe pirja e duhanit, përdoret në këtë rast si një kënaqësi, si një gostitje ose qerasje që mendja i bën trupit tuaj, si një bazament emocional pozitiv, si një mënyrë për të kaluar kohën.

Në qoftë se, ju ndiheni i trishtuar me veten tuaj ose nuk keni mësuar ende një mënyrë shëndetdhënëse për ta përdorur në situatat stresuese, ka shumë të ngjarë që: “Ju mund të hidheni sërish te duhanpirja ose mund të hidheni te tejngrënia”.

Miti 5: “Publikimi i dëmeve që shkakton duhani e bëjnë njeriun të ndalojë pirjen e tij”

Thuhet dhe shkruhet me të drejtë se, pirja e duhanit shkakton vdekje të ngadaltë për të sëmurin dhe gjendje të bezdisshme për familjarët, etj. Industria publicitare beson se, duke treguar figura me pjesë të trupit të prekura nga duhanpirja, u japin pirësve të duhanit ndihmën e duhur për të pushuar pirjen e tij, për të mirën e tyre.

Lind pyetja: Sa raste njihen, kur personat e kanë lënë pirjen e duhanit për shkak të figurës së keqe që kanë parë në kapakun e paketës së cigareve, në muret e ndërtesave apo në vitrinat e dyqaneve, që janë neveritur kaq shumë prej saj, sa nuk kanë mundur të pinin kurrë më, qoftë dhe një cigare tjetër në jetën e tyre? Në fakt, ndaj figurave që ekspozohen për çështjen në fjalë, shumica e duhanpirësve reagon me dy mënyra: a. mënyra e parë e reagimit, është thjesht “injorimi” i figurave që ata shohin poshtë e përpjetë, nëpër mure apo stenda të ndryshme. Nëse për dikë kjo gjë përbën një lajm, duhanpirësi nuk mund të bëjë lidhjen e vërtetë në trurin e tij, ndërmjet figurës dhe vetvetes. Ai nuk e lidh atë lloj gjendjeje me vetveten, me cigaren që ka në buzën e tij.

b. Mënyra e dytë e reagimit, është “kundërshtimi” maksimal i figurave në fjalë. Duhanpirësit e kësaj kategorie, i marrin si lajm të madh dëmet e duhanit që jepen nëpër fushatat e zakonshme publicitare (reklamuese). Ata shqetësohen pa masë, nga ajo që janë duke parë. Ajo i frikëson aq shumë ata, sa që pushtohen nga një shqetësim/merak i madh.

Në këto rrethana: “çfarë bëjnë duhanpirësit e kategorisë së dytë, kur i pushton shqetësimi”? Sigurisht, ata “rrufisin” një cigare tjetër.

Këta duhanpirës e kanë të programuar në mendjen e tyre shtrirjen e dorës, për të arritur te cigarja tjetër, që në fillimet e stresit (shqetësimit) dhe kësisoj, dora shtrihet realisht.

Rrjedhimisht, ata nuk mund të luftojnë kundër “zakonit” që zbatojnë prej vitesh dhe ashtu të shqetësuar, “ndezin” cigaren tjetër, tjetrën e tjetrën…….

Në disa studime specifike, të pasqyruar në librin

“Korrupsionologjia” nga autori Martin Lindstrom (Buy-ology by Martin Lindstrom), tregohet mënyra e reagimit të trurit në rastin e shqetësimit nga figurat ose reklamat antiduhan që ne shohim zakonisht. Në ato studime, janë realizuar mijëra prova me rezultate befasuese.

Rezultatet e tyre dëshmojnë se, figurat e reklamave inkurajojnë njerëzit të pinë edhe më shumë duhan, sepse aktivizojnë pjesën e trurit që njihet si: “vatra e pasionit”. Madje, ky lloj aktivizimi bën që edhe disa mjekë, infermierë dhe specialistë të tjerë të shëndetit publik të mbeten duhanpirës, të mos munden që të heqin dorë nga duhanpirja.

Tani, pas prezantimit edhe të mitit të 5-të, sigurisht që lexuesi i këtij shkrimi e njeh duhanin shumë më tepër sesa e njeh 99% e duhanpirësve të tjerë dhe mbase i habitur thotë me vete: “si nuk i kisha njohur më parë këto mite”.

Nëse nga njëra ditë në tjetrën shihet efekti shkatërrues i cigares dhe përsëri nuk ndihet i nevojshëm ndalimi i pirjes së saj dhe nëse edukimi profesional antiduhan nuk mjafton për të ndalur pirjen e tij, atëherë: “Çfarë mund të bëhet tjetër?”.

Pesë mitet e gabuara mbi duhanin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.