Fundamenti

Pesë gola në pesë ndeshje radhazi, Cikalleshi: Ky është sekreti i formës sime

/ 4 minuta lexim

Pesë gola në 5 ndeshje radhazi. Është diçka e zakonshme për lojtarë të klasit botëror si Cristiano Ronaldo, Lionel Messi apo edhe Robert Lewandowski e Karim Benzema. Mirëpo, edhe për Shqipërinë nuk është më diçka e huaj një ecuri e tillë. Sokol Cikalleshi, që nga ndeshja me Moldavinë, Francën, Islandën dhe dy të parat në Turqi, e ka çuar në pesë numrin e ndeshjeve zyrtare me gol të realizuar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” sulmuesi tregon edhe sekretin e formës, ecurinë me Kombëtaren, komentet në Turqi për sfidën e radhës kualifikuese, jetesa atje prej pesë vitesh dhe ngacmimet e bastin special me mikun e tij, Andi Lila.

Dy ndeshjet e fundit dhe 2 gola me Akhisarin. Nga vjen ky shpërthim juaji?

Ishte një periudhë larg fushave dhe po prisja me padurim që të rikthehesha me ekipin. Kisha uri për të luajtur. Sidomos edhe pas ndeshjeve të Kombëtares, ku shënova edhe aty, morali im ishte i lartë. Më vjen mirë që po vazhdoj këtë seri golash dhe mbi të gjitha të fitoreve me ekipin. Di të them se jam shumë i motivuar të jap më të mirën time dhe uroj të vazhdoj kështu, duke shënuar, por mbi të gjitha edhe duke ndihmuar ekipin për t’i fituar ndeshjet. Jam në rrugën e mbarë.

Shumë futbollistë e shmangin, po për ju, cili është sekreti i kësaj forme?

Nuk mund të them sekret, sepse nuk ka ndonjë gjë të veçantë, por është diçka të cilën e ka të qartë çdo sportist, çdo futbollist. Puna e palodhshme dhe përkushtimi maksimal për të bërë çdo gjë deri në detaje për profesionin. Mbi të gjitha edhe duke dhënë maksimumin në çdo moment, në fushë ashtu si edhe në stërvitje.

Duke përfshirë edhe Kombëtaren, në pesë ndeshjet tuaja të fundit, keni shënuar 5 gola. A është kjo forma juaj më e mirë?

Nuk kishte ndodhur asnjëherë që të realizoja pesë gola në po kaq ndeshje radhazi. Nuk e mohoj që ndihem mirë për këtë fakt. Jo vetëm që kam realizuar, por ndihem shumë mirë si nga ana fizike ashtu edhe nga ana psikologjike. Jam shumë i gatshëm për ndeshjet e radhës, për të dhënë më të mirën time në ndihmë të ekipit dhe, pse jo, edhe për të shënuar. Po pres me padurim që të jem në fushë për ndeshjen e radhës.

Jeni kritikuar shumë për ato shtyllat që godisnit dhe që ju mungonte goli. Tani që po shënoni, a është periudha e shpagimit për gjithçka?

Mobi Casa

Të them të drejtën, mbajta goxha “agjërim” në lidhje me golat. Madje, edhe jam dobësuar nga “agjërimi” i tepërt (qesh…). Përtej shakasë, unë asnjëherë nuk jam demoralizuar, sepse gjithmonë në Kombëtare kam bërë gjithçka që kam pasur mundësi. Pa më të voglin dyshim, kam dhënë më të mirën, pa u vrarë moralisht për mungesën e golit. Sa herë që më është besuar të zbres në fushë nga trajneri i Kombëtares, kam bërë të pamundurën në fushë. Shpesh më kanë penalizuar shtyllat, por futbolli i tillë është dhe duhet pranuar. Vazhdova dhe tashmë po marr frytet e punës.

Sokol, çfarë ju thonë në Turqi për Kombëtaren tonë, për sfidën e radhës?

Të jeni të sigurt që e kanë parë të gjithë ndeshjen me Islandën. Nga sa kam folur këtu, të gjithë janë të mendimit që kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Madje, edhe mes batutash më thanë: “Dakord, me Islandën bëtë atë që bëtë, por me Turqinë bëni pak kujdes. Jo ashtu”.

U dhe një përgjigje?

Patjetër. U kam thënë: “Pas Turqisë mund ta mendojmë kujdesin. Me Turqinë jo” (qesh…).

Jetoni atje dhe shihni apo edhe jeni përballur me ndonjë nga lojtarët e Turqisë. Keni nisur t’i studioni mbrojtësit turq?

Unë e njoh shumë mirë ekipin e Turqisë. Rreth 80% të lojtarëve kam pasur të bëj me ta. Realisht, janë një ekip shumë i mirë dhe shumë i fortë. Por, edhe ne kemi cilësitë tona. I kam ndjekur, i ndjek gjithmonë dhe më mbetet veçse të uroj që të mos shkojnë shumë mirë deri në përballjen me ne. Të jetë në favorin tonë (qesh…).