Përzgjedhja e kryeprokurorit të shtetit kundërshtohet nga ambasadorët e huaj dhe organizatat vendore – KPK thotë se procesi ishte legjitim

Këshilli Prokurorial i Kosovës të mërkurën e ka votuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit.

Votimi i tij në krye të prokurorisë po kundërshtohet nga ambasadorët e huaj në Kosovë e organizata vendore, pasi sipas tyre janë shpërfillur parimet për një proces të drejtë dhe meritor.

Pas përzgjedhjes së Isufajt ka reaguar shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, etj.

Telegrafi më poshtë ka bërë një përmbledhje të reagimeve që kundërshtojnë përzgjedhjen e kryeprokurorit si dhe përgjigjen e vet KPK-së.

Shefi i BE-së në Kosovë shprehet i habitur dhe i zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

Pas vendimit të Këshillit Prokurorial për të votuar Blerim Isufajn për Kryeprokurori të Shtetit, ka reaguar shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, duke u shprehur i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.

Szunyog, përmes llogarisë në Twitter, ka thënë se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor.

E sipas tij, Këshillit Prokurorial shpërfilli këto parime.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të siguruar një zgjedhje të drejtë transparente dhe të bazuar në merita për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin e përzgjedhjes duke shpërfillë këto parime. Jemi të habitur dhe të zhgënjyer me këto veprime të KPK-së”, ka deklaruar ai.

Despite the EU’s continued calls to ensure a fair, transparent and merit-based selection of Chief State Prosecutor, Kosovo Prosecutorial Council concluded the selection process disregarding these principles. Surprised & disappointed with the KPC’s actions.

Një ditë pasi e ka kritikuar Këshillin Prokurorial të Kosovës, lidhur me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka takuar të enjten kryesuesin e këtij këshilli, Jetish Malokun.

Shefi i Zyrës së Be-së, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se gjatë takimit me Malokun kanë diskutuar lidhur me performancën e sistemit prokurorial dhe se janë dakorduar që të intensifikojnë bashkëpunimin në mes institucioneve.

“Pas seancës së djeshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, sot jam takuar me kryesuesin e KPK-së, z. Jetish Maloku, për të diskutuar mbi performancën e sistemit prokurorial. Ne ramë dakord të intensifikojmë bashkëpunimin tonë që synon të japë drejtësi për njerëzit e Kosovës në mënyrë efikase dhe të paanshme”, ka shkruar Szunyog, transmeton Telegrafi.

Përzgjedhja e kryeprokurorit, ambasadori amerikan: Të shqetësuar, mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut

Lidhur me votimin për kryeprokuror të Shtetit, ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, duke thënë se fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard.

“Përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë anëtarë të Ambasadës së SHBA-së, u ftuan të marrin pjesë në procedurat e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) më 6 prill për të zgjedhur Kryeprokurorin e ardhshëm të Shtetit.

Prania jonë si vëzhgues nuk duhet të konsiderohet si miratim i procesit apo procedimit.

Në disa raste, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur pritshmëri për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ardhshëm të Shtetit, të cilat ne besojmë se i ndajmë me qytetarët e Kosovës që: të jetë i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita.

Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard”, thekson ambasadori.

Hovenier thekson se Shtetet e Bashkuara nuk kishin një kandidat të preferuar dhe as nuk gjykonin kualifikimet e kandidatëve individualë.

“Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK, si institucion publik”, është shprehur ai.

Përzgjedhja e Kryeprokurorit, pas BE-së edhe Gjermania shprehet e zhgënjyer me këtë proces

Për votimin e kryeprokurorit të shtetit, është shprehur i zhgënjyer edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde.

Ky i fundit në një reagim në Twitter ka shkruar se kjo është vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës.

“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, ka shkruar ambasadori Rohde.

Kundërshtohet përzgjedhja e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit – KPK thotë se procesi ishte plotësisht legjitim

Po pavarësisht zërave kundërshtues për zgjedhjen e kryeprokurorit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në një përgjigje me shkrim për Telegrafin ka thënë se procesi ishte plotësisht legjitim, dhe se ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara dhe në përfundim ka propozuar për emërim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj, procedura këto që sipas KPK-së janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

“Mbi të gjitha, KPK-ja ka treguar një transparencë të madhe publike, e cila dëshmohet me rastin e transmetimit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit në RTK, publikimin në ueb-portal të të gjitha koncept-dokumenteve të kandidatëve dhe pjesëmarrjes aktive në takime dhe gjatë intervistimit të kandidatëve të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, gjë që ju jemi shumë mirënjohës dhe i falënderojmë. Prandaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se ky proces është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivet, me transparencë, me gjithë përfshirje dhe është bazuar në meritokraci”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Organizatat që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kanë thënë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.

Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thotë se Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë qartazi të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit.

Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka thënë në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, se nuk mund të pajtohet me votimin unanim, pasi sipas saj duhet marrë parasysh edhe raporti i Panelit Vlerësues.

“Paneli ka vlerësuar se poentimi i kandidatëve nuk ka qenë i arsyetuar mirë për formën se si janë dhënë pikët. Shembull, te prokurorë të caktuar është thënë se nuk ka asgjë që atij mund t’i dëmtohet integriteti, derisa i njëjti nuk i ka marrë pikët maksimale”.

Hoxha-Zhuja thotë se është e diskutueshme se si një raport u votua në Këshillin Prokurorial vetëm nga tre anëtarë të KPK-së, derisa në fund të procesit vota ishte unanime.

“Kur i njëjti Komision ka pasur probleme te poentimi, si mund të ketë votë unanime për kandidatin”, deklaroi Hoxha.

Ndryshe, të mërkurën edhe tri organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për kryeprokuror të vendit.

Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.

Propozimi i Këshillit Prokurorial do të dërgohet tek Presidentja e vendit, për të vendosur përfundimisht lidhur me emërimin.

Konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ishte shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 12 janar 2022, kjo pasi Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill 2022. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS