ARKATANA

Përvjetori i zbehtë i Pavarësisë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enis Veliu – Emigrimi masiv i qytetarëve për në shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian (BE), sidomos gjatë muajve të fundit, sivjet seriozisht zbehu përvjetorin e shtatë të Pavarësisë së Kosovës, e që në realitet askush nuk e kishte pritur se do të ndodhë një gjë e tillë.

Gjendja e rëndë sociale dhe ekonomike në vend edhe më tutje vazhdon të paraqesë problem serioz, sidomos për pjesën më të madhe të qytetarëve që prej vitesh janë në kërkim të një vendi pune. Duke u bazuar nga qeverisja e kaluar, konkurset publike janë hapur vetëm sa për sy e faqe, pasi që thuajse në çdo pozitë të re pune në institucione kanë gjetur strehë militantë të partive në pushtet.

Sivjet Qeveria është gjetur mes dy zjarreve: me krizën e madhe sociale-ekonomike dhe eksodin masiv të qytetarëve të Kosovës për në shtete të ndryshme të BE-së. Pikërisht janë këto dy çështje që zbehën seriozisht festimin e përvjetorit të shtatë. E para u reflektua me protesta e kërcënime të shumta që në ditët e para të Qeverisë Mustafa.

Ndërkaq e dyta u manifestua me ikje masive të qytetarëve nga vendlindja e tyre, e ku sipas të dhënave jozyrtare llogaritet se më shumë se 150 mijë qytetarë braktisën shtetin në prag të përvjetorit të shtatë, pasi që hapja e vendeve të reja të punës është thuajse e pamundur.

Edhe shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova vazhdon të sfidohet me shkallë të lartë të korrupsionit, sidomos në fushën e prokurimit.

Në çdo raport ndërkombëtar që hartohet për vendin tonë, prokurimi edhe më tutje mbetet problemi kryesor që ngjyros me zi shtetin më të ri në Evropë.

UBT

Institucionet e krijuara enkas për luftimin e korrupsionit gradualisht janë “trashur” bashkë më të, e ku disa nga ta që janë të thirrur për këtë punë së fundi janë në llupën e drejtësisë po ashtu nën dyshimin për korrupsion.

Kosova edhe shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë vazhdon të këtë probleme serioze me investime të huaja, e ku sidomos viteve të fundit ka rënie drastike të tyre. Po ashtu, ka rënie të interesimit edhe atyre që dëshirojnë të investojnë kapitalin e tyre në vendin tonë. Por, në ditët në vijim, situata në këtë drejtim vetëm sa do të përkeqësohet edhe më shumë, pasi që procesi i privatizimit thuajse është në përfundim e sipër, e ku ndërmarrjet me të vlefshme janë shitur në valët paraprake të privatizimit.

Bazuar në të dhënat zyrtare, pjesa dërmuese e investitorëve janë futur kryesisht në ndërmarrje shoqërore përmes procesit të privatizimit, ndërkaq numri i tyre që kanë ardhur të investojnë në prona private, apo edhe në prona të kërkuara nga kuvendet komunale është i vogël.

Qeveria e Kosovës nuk ka rrugëdalje për të zbutur gjendjen ekonomike në vend, përpos hapjes së vendeve të reja të punës, duke ndihmuar zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që në rrethana normale do të ishin gjenerator i zhvillimit ekonomik të vendit.

Qytetarët po e braktisin shtetin e tyre shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë jo nga dëshira, por nga mungesa e perspektivës, varfëria e madhe. Shumë prej tyre që kanë ikur kanë humbur shpresat, duke ikur në kërkim të një jete më të mirë në ndonjërin prej shteteve të zhvilluara evropiane.