Përurohet zyra e diasporës në Kamenicë
Gjilan – Në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati”, në Kamenicë, të enjten është bërë solemnisht përurimi i zyrës së diasporës. Në këtë inaugurim të pranishëm ishin edhe bashkatdhetarë tanë të cilët jetojnë dhe veprojnë në botën e jashtme.
Nexhmije Kallaba, zyrtare për diasporë, ka thënë se me themelimin e zyrës për diasporë e njohim të gjithë kontributin që qytetarët tanë kanë dhënë për vendin e vetë në të gjitha fazat e zhvillimit të Kosovës, ne e kemi parë të arsyeshme që edhe ne si komunë të kemi zyrën për diasporë.
“Qëllimi i hapjes së kësaj zyre është që të vendosim një komunikim institucional mes komunës dhe diasporës, duam që të arrijmë që kërkesat e juaja t’i bëni ende pa ardhur në Kosovë, në mënyrë që ne të merremi me kërkesat e juaja që koha e juaj mos të harxhohet nëpër sportele komunale, por të pushoni me dinjitet në gjirin familjarë“ ka thënë Kallaba.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, ka falënderuar për gjithë kontributin e bashkatdhetarëve që kanë dhënë për Kosovë e sidomos për komunën e Kamenicës.“Ne jemi të interesuar që të ofrojmë ndonjë mundësi që edhe pushimin tuaj të ua lehtësojmë. Pikërisht sot, po bëjmë hapjen e zyrës për diasporë. Bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë në vende të ndryshme, kanë treguar solidaritet në ndërtimin e shtëpive të pastrehë në komunën e Kamenicës dhe në Kosovë” ka thënë Surdulli.
Ndërsa, bashkatdhetarët të cilët jetojnë në Zvicër, si Sevdail Thaçi, Nehat Fera, nga fshati Karaçevë e Poshtme dhe Nexhat Spahiu, nga fshati Muçivërcë, falënderuan për ftesën e bërë në përurimin e zyrës për diasporë.
Ata thanë se mërgata ka kontribuar dhe do të kontribuojë edhe në të ardhmen për komunën tonë, mirëpo me hapjen e kësaj zyre ne do të kemi mundësi të dimë se cilat janë çështjet më prioritare.
Kurse, Xhevdet Kallaba dhe Ramadan Ajvazi, nga komuna e Kamenicës, porositën mërgimtarët që fëmijët mos të harrojnë traditat tona. Ata falënderuan të gjithë mërgimtarët që kanë kontribuar për komunën tonë./rajonipress/


