UBT

Përurohet vepra “Një jetë në shërbim të dritës – Fetah Ajeti – Çaushi” prej Fetah Maliqi, autor

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Në lokalet e Shkollës fillore të fshatit Busovatë, komuna e Kamenicës, është bërë promovimi i veprës së gjashtë me radhë “Një jetë në shërbim të dritës- Fetah Ajet Çaushi”, i autorit Fetah Maliqi, autor nga lokaliteti në fjalë. Në këtë solemnitet rasti morën pjesë shumë familjarë, adhurues të librave, krijues, intelektualë e kolegë të autorit.

Fillimisht, fjalën e parë e pati Hamdi Maliqi, arsimtar nga ky lokalitet, i cili tha se, vepra e Fetah Maliqit në fjalë na ka tubuar sot jo vetëm për të dëgjuar një histori të një figure atdhetare, por edhe për të nderuar familjen dhe këtë lokalitet.

“Të nderuar mysafirë, sot, në lokalet e shkollë të këtij lokaliteti, ndjej kënaqësi që gjendem dhe ku bëhet përurimi i veprës “Një jetë në shërbim të dritës – Fetah Ajeti –Çaushi. Fetah Maliqi, autori, i lindur dhe i rritur në fshatin Busovatë, që nga fëmijëria ka pasur interesime të veçantë për hartimin e vargjeve, por ai talent i tij shpërtheu para disa vjetësh ku botoi katër tituj të veprave dhe këtë të fundit që sot përurohet në këtë mes. Kjo vepër e fundit flet për biografinë e gjyshit të tij, Fetah Ajeti –Çaushi, që në këtë anë, ky personalitet njihet si një figurë e shquar atdhetare.

Vepra që sot përurohet, ka një pjesë të veçantë të historisë, ku autori ka shpalosur figurën e një personaliteti që vetëm me emër gjer dje e kemi dëgjuar e ditur. Andaj, për ta rrumbullakësuar biografinë e gjyshit, autori, F. Maliqi ka udhëtuar gjer në arhivat e Stambollit dhe ka vjelë të dhëna e fotografi më të ndryshme, të cilat e kanë plotësuar këtë monografi të tillë si është. Dhe, më në fund, ky autor i veprës ia doli punës duke kurorëzuar një vepër publicistike e dokumentare në fjalë”.

Ramadan Mehmeti, shkrimtar dhe redaktor i veprës, nga Prishtina tha se, këtë vepër e kam pasur nëpër duar, e cila më bëri të jam më kureshtar për ta “ndërtuar” sa më bukur në formën artistike e teknike. “Secila vepër e ka rëndësinë e vetë. Edhe vepra “Një jetë në shërbim të dritës – Fetah Ajeti –Çaushi” e autorit Fetah Maliqit, nga Busovata, na gëzon dhe na inkurajon për trajtimin e një teme shumë të kërkuar për familjen Maliqi në përgjithësi. Shkruesi, Fetah Maliqi, duke iu kthyer një figure të rëndësishme atdhetare, pra të Fetah Ajeti – Çaushi (gjyshi i tij), na kthen në një kohë të shkuar, e cila kohë ishte ka me shumë ngjarje të papritura tragjike për popullatën shqiptare.

KKVITI

Siç dihet, Fetah Ajeti na ishte një emër i madh i familjes Maliqi. Ai qe një burrë për shtatë gjaqe. Ishte i respektuar dhe tejet i nderuar nga masa. Mu për këtë, edhe autori pati nostalgji të madhe për ta krijuar një vepër publicistike, e cila do të mbetet si një dokument i shkruar gjeneratave të reja të kësaj ane. Në këtë mënyrë, autorin e ka preokupuar jeta e gjyshit të tij, të cilit, në një mënyrë, i kushtoi kësaj vepre në fjalë dhe kjo u bë realitet. Sepse, krijuesi, këtë “gjendje” e përjetoi shumë, ku shpirti ndrydhej dhe liria mohohej, s’ka se si të mos frymëzohet për këtë “histori”, e cila ishte e dhimbshme dhe rëndë për shqiptarët. Pra, kësaj here, autori na solli një vepër me elemente dokumentare publicistike, e cila vepër flet për jetën e gjyshit të tij Fetah Ajetit – Çaushi, i cili “personazh” kryesor, në një kohë, kur jetoi, ishte një atdhetar dhe një figurë e shquar e viteve (1854-1950)”. Në fund, autorit i dëshiroj suksese dhe prurje të reja në jetën shkrimore të tij”.

Faik Shkodra, profesor dje studiues tha se, sot kam kënaqësi që u gjenda në këtë mes të këtij promovimi të veprës së F. Maliqit, autor. “Për ta krijuar një monografi të tillë, siç e ka bërë autori në fjalë, parasegjithash, të lë përshtypjen e parë se ky eveniment kulturor është shoqëruar me pjesëza poetike të autorit, të cilat e “qëndisën” rrjedhën e këtij manifestimi kulturor. Shihni, autori, sa po e shoh këtë monografi që ia ka kushtuar gjyshit të tij, ka të dhëna të bollshme, fotografi, biseda, rrëfime e të ngjashme, të cilat e rrumbullakësojnë një vepër të tillë publicistike dokumentare të kësaj natyre.

Autori nuk ka shkuar pas ndonjë ngjarje të imtë, ku aty-këtu flitet për personazhin në fjalë, por ka hulumtuar mese, njerëz, arhiva, dokumentarë e shkrime të tjera, të cilat i kanë shërbyer për ta formuar një figurë ashtu si e ka merituar. Kjo më pëlqen dhe autori nuk duhet të ndalet vetëm me kaq vepra, por sa më shumë të vjelë qytetarë të moshuar, bashkëvendës e njerëz të tjerë, të cilët janë të gjallë dhe na dokumentojnë për një të kaluar, siç ishte figura e Çaushit, gjyshit të Fetah Maliqig, autor i veprës.

Po e ceku një rast, në kohën e Ahmet Zogut, ndoshta edhe më herët, një persona i një familje ka gjetur shumë gazeta, revista, shënime të tjera të kohës, të cilat kanë bërë fjalë për një anëtar të familjes së tij. Ai i ka ruajtur me xhelozi dhe më vonë, këto shënime i kanë shërbyer për të krijuar veprën me ato të dhëna që ishin të mjaftueshme për një vepër biografike. Autorit i dëshiroj suksese të tjera!”

Në fund Fetah Maliqi, autor tha se, po e ndjej vetën shend e verë, sepse u thanë shumë “sende” të mira për veprën time. Kjo po më ka gëzon dhe po më relakson. Më ka gëzuar dhe më ka inkurajuar që t’ mos e ndali veprimtarinë time shkrimore. Andaj, shfrytëzoj rasti t’ju përshëndes nga zemra për kontributin e dhënë për veprën time, sidomos i falënderoj profesorin, Faik Shodra, familjarin tim, Hamdi Maliqin, shkrimtarin e redaktorin, Ramadan Mehmetin, të cilët dhanë shumë nga vetja në këtë eveniment kulturor. Po ashtu, nga zemra i përshëndes pjesëmarrësit, të cilët e kanë hijeshuar këtë përurim të librit tim. Ju faleminderit, të gjithëve!/tefik selimi/rajonipress/