RCCOLA

Përurohet objekti i ri i Kompanisë Regjionale “Hidromorava”

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Është përuruar objekti i ri i Kompanisë Regjionale të Ujit “Hidromorava” në Gjilan, ku ishin të pranishëm Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, si dhe përfaqësues të institucioneve lokale të pjesës jug-lindore të Kosovës si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore.

Ky është një hap i madh dhe mundësi shumë e mirë për operimin e kompanisë në këtë objekt me standarde ndërkombëtare, ngase funksionimi në objektin e deritanishëm ishte më se i vështirë, kështu vlerësuan udhëheqësit lokal dhe qendror të qeverisjes.

Me këtë rast ministri Besim Beqaj, tha se ky është në funksion të lehtësimit dhe menaxhimit më të mirë dhe më të lehtë të kompanisë. “Investimi në ujësjellës dhe infrastrukturë për ujërat e zeza është parakusht për zhvillimin e një vendi. Së bashku me donatorët zviceran dhe me punën e të gjithë neve në dyja nivelet e qeverisjes, po mundohemi që infrastrukturën bazë për qytetarin ta bëjmë më funksionale dhe më afër tyre. Këtu po shohim të gjithë bashkërisht se është bërë një punë shumë e madhe për ta bërë më funksional objektin dhe për t’i ofruar qytetarit shërbime më kualitative. Qeveria zvicerane ka investuar shumë në këtë fushë për këtë regjion, dhe ne sot mund të bëjmë bilancet se ku ishte kjo komunë disa vite më parë dhe ku është sot sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm dhe infrastrukturës për ujërat e zeza” ka shtuar Beqaj.

Ndërsa kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa tha se komunikimi i Komunës me menaxhmentin e kompanisë gjithnjë ka qenë shumë i afërt dhe rezultatet janë të prekshme. “Përderisa në vitin 2008 kompania përballej me mungesë të klorit dhe shtrirjen e rrjetit, sot ato probleme janë të tejkaluara. Ende shumë punë duhet të bëhet, mirëpo gjendja në teren ka ndryshuar për së mbari. Sot pothuajse gjithë hapësira e komunës së Gjilanit është me rrjet të ujësjellësit. Në planet tona është investimi edhe më i shtuar në këtë drejtim, por krahasuar me disa vite më parë ne tani jemi pakrahasueshëm më mirë, në furnizim me ujë të pijes por edhe me inkasim” ka shtuar Mustafa.

Fundamenti

Mustafa një meritë shumë të madhe për krijimin e kushteve më të mira për qytetarët në furnizim me ujë të pijes e kanë donatorët zviceran si dhe donatorë të tjerë të jashtëm, por edhe qeveria e Kosovës dhe institucionet lokale. “Ne kemi krijuar gjithnjë lehtësira për kompaninë dhe qytetarët, por kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Kjo që sot po shohim në këtë vend është një premtim se në të ardhmen do të kemi një funksionim shumë më të mirë të kompanisë dhe rezultatet gjithsesi do të jenë më të mira dhe të prekshme në teren. Përkrahja e Komunës do të jetë e vazhdueshme siç ka qenë deri më tani”, tha kryetari Mustafa duke shtuar se menaxhmenti i kompanisë është shumë i përkushtuar që të vazhdoj më tutje me avancimin e shërbimeve për qytetarët.

Në anën tjetër drejtoresha e Kompanisë “Hidromorava”, Mirvete Hoti tha se ky objekt është një sukses për komunën dhe këtë regjion të cilin e menaxhon kompania jonë. “Është një objekt me kushte të përkryera për punë. Ne deri më tani kemi punuar në një objekt që ishte skajshmërisht i degraduar, ku problemet ishin të shumta. Kjo hapësirë këtu dhe ky investim i përbashkët i Komunës, qeverisë së Kosovës si dhe i donatorit zviceran (SDC), për ne është një mbështetje e fuqishme për punën tonë. Ne do të angazhohemi edhe më fuqishëm që qytetarëve tanë t’u krijojmë infrastrukturë të mjaftueshme për furnizim me ujë si dhe në një të ardhme planifikojmë edhe trajtimin e ujërave të zeza. Stafi i kompanisë është i përkushtuar që punën ta bëjë siç duhet që qytetari të jetë i kënaqur me shërbimet tona” tha Hoti.

Ky objekt ka kushtuar rreth 500 mijë euro të financuar nga Ministria e Zhvillimit ekonomik ndërsa Komuna e Gjilanit ka ndarë tokën për ndërtim./rajonipress/