Përurohen dy shtëpi në Shillovë të Gjilanit
Gjilan- Në fshatin Shillovë i banuar me komunitetin serb, sot janë përuruar dy shtëpi për dy familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, të ndërtuara me bashkëfinancim nga zyra për çështje të komuniteteve në zyrën e kryeministrit të Kosovës, zyrës së presidencës dhe Komunës së Gjilanit.
Në këtë ngjarje solemne morën pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, Sërgjan Popoviqi nga zyra e kryeministrit, nënkryetari i Komunës së Gjilani Millan Stojanoviq, kryetari i Komunës së Parteshit Nenad Sfetkoviq dhe zyrtar të tjerë qeveritar e komunal.
Me këtë rast këshilltari i lart i kryeministrit dhe njëherit drejtor i zyrës për çështje të komuniteteve, Sergjan Popoviq (Srdjan Popovic) tha se ndjehet shumë mirë që ndodhet në Shillovë dhe në Gjilan, për shkak se sot po preken rezultatet falë një bashkëpunimi të mirë me Komunën e Gjilanit. “Është shumë mirë kur ne kemi mundësi tu ndihmojmë këtyre rasteve. Bashkëpunimi që ne kishim me komunën e Gjilanit po jep këto dy shtëpi, një teren sportiv në fshatin Kmetoc dhe renovimin e Kishës ortodokse në fshatin Cernicë”, tha Popoviq duke shtuar se ajo që ka ndodhur këtu me vazhdimin e projekteve edhe në të ardhmen është bazë e zhvillimit të shoqërisë, pra është familja. Ne mendojmë se me rregullimin e kushteve teknike, ne përmirësojmë njëkohësisht edhe jetën e qytetarëve.
Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa tha se ky akt që po ndodh sot në fshatin Shillovë është një sukses i përbashkët. “Komuna e Gjilanit është në maje të angazhimeve edhe sa i përket të kthyerve në pronat e veta, duke iu krijuar atyre kushtet elementare për jetë. Ne kemi ndërtuar dhjetëra objekte të banimit deri sot. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Do të duhej të ndërtojmë me qindra objekte të tilla, në mënyrë që të zbusim sadopak varfërinë e kësaj natyre që mbretëron në shumë familje. Në rrugën tonë drejt realizimit kishim shumë pengesa, kur kishim mjete me partnerët tanë ndërkombëtar, komuniteti serb nuk ishte i gatshëm që të pranonte ndihmën. Kjo tashmë ka ndryshuar, d.m.th. komuniteti serb është i gatshëm për bashkëpunim por tani kemi mjetet e kufizuara” ka thënë Mustafa.
Sipas Mustafës ndërtimi i këtyre shtëpive është mbuluar nga fondet e qeverisë në bashkëpunim me komunën dhe presidencën. “Tani me ndihmën e Komunës po ndërtohen edhe disa objekte në fshatin Shillovë dhe gjithandej nëpër komunën e Gjilanit, kuptohet me një ndihmë të madhe nga ana e qeverisë. Donatorët tanë nga jashtë janë duke ndihmuar edhe nëpër disa raste të tjera në ndërtim të shtëpive, që duhet falënderuar. Për mua është shumë me rëndësi dhe për ne si komunitet, të punojmë në këtë drejtim çdo ditë. Jemi duke punuar shumë sinqerisht dhe me përkushtim të lart, prandaj këto janë rezultatet. Dëshirë e jona është që këto ngjarje të jenë edhe më dinamike, me shpresën që vitin e ardhshëm të kemi më shumë mjete dhe besoj se do të jetë më mirë. Ju premtoj se me mundësit e mia, Komuna e Gjilanit do të jetë gjithnjë aktive për të ndihmuar brenda mundësive tona. Qëllimi ynë është që qytetari të trajtohet barabarësish, pa marrë parasysh se nga cili komunitet është ai. Para kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës ne të gjithë jemi të barabartë. Kosova është shtet i qytetarëve të saj që jetojnë në te” ka shtuar Mustafa.
Familjet përfituese të këtyre dy shtëpive janë ajo e Sërgjan Tasiq (gjashtë anëtarësh) dhe Zoran Bozhanoviq (nëntë anëtar)./rajonipress/