Fundamenti

Perspektiva e zymtë e dialogut

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Blerim Shala – Në rrethanat aktuale, kryeqendrat perëndimore, nuk kanë në dispozicion oferta joshëse për Beogradin, dhe as leva të ushtrimit të një presioni domethënës që Serbia ta përmbyllë dialogun me Kosovën me njohjen e saj.

Si duhet të përmbyllen bisedimet në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe të Beogradit, me synim të arritjes së Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo është fare e qartë në Prishtinë, në Washington, në Bruksel, në Paris dhe në Berlin.

Nuk ka emër tjetër të normalizimit të këtyre raporteve, pos atij që përkon me njohjen formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Vetëm në këtë mënyrë Kosova dhe Serbia, si dy shtete të Ballkanit Perëndimor, me një histori të gjatë të luftërave dhe fushëbetejave të gjitha llojeve që kanë hyrë para disa vitesh në shekullin e dytë të tyre, do të mund ta ndërtojnë një të ardhme e cila do të ishte krejtësisht ndryshe nga një histori e rëndë dhe tragjike.

Siç dihet, në rastin e SHBA-së, apo, kur kemi të bëjmë me Administratën e Presidentit Trump, ky qëndrim për njohjen formale si thelb të Marrëveshjes gjithpërfshirëse, është artikuluar qartë prej Washingtonit zyrtar.

Për këtë shkak zatën, këto ditë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, në paralajmërim të Takimit të kësaj jave në Shtëpinë e Bardhë me Delegacionin e Kosovës, ka pohuar që do ta refuzojë takimin me Presidentin Trump, nëse ai do të insistojë që Serbia duhet ta njeh Kosovën.

Në rastin e tri kryeqendrave evropiane, apo, të Brukselit, Parisit dhe Berlinit, ky epilog i synuar i dialogut në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, i cili po zgjatë qe 22 vjet të plota, mbahet disi në sirtare, i komunikohet Presidentit të Serbisë në takimet që përfaqësuesit e BE-së, të Gjermanisë dhe të Francës i bëjnë me te, por ky qëndrim i qartë nuk bëhet publik, nuk flitet për te para mediave, gjithçka me qëllim që disi të ushrohet një lloj i diplomacisë së matur në marrëdhëniet me liderin e Serbisë.

Në rastin e skenës politike të Kosovës, kemi një garë thuaja të përditshme se kush po e thotë më me zë, më qartë dhe në mënyrë më kategorike se bisedimet e këtij kapitulli (final), me udhëheqësinë e Serbisë, nuk kanë cak tjetër pos atij që do të nënkuptojë njohjen formale në mes të dy shteteve.

Duket se janë dy arsye për këtë ’zjarrmi’ në paraqitjet publike të politikanëve shqiptarë të Kosovës.

Në njërën anë, njëmend nuk ka kush ndër ne hamendje se çka duhet të sjellë kjo faza konkluduese e dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

Por në anën tjetër, mungesa kronike e një bashkërenditjeje politike në skenën politike të Kosovës (e cila nuk ka të ngjarë që do të tejkalohet së shpejti), në adresimin e sprovës së dialogut, ka bërë që secili që mundet, ta thotë me një zë sa më kumbues (për ta ndirë ’konkurenca e brendshme’, e jo shumë për të bërë jehonë ndërkombëtare), se për çka bëhet fjalë në këto bisedime.

Sidoqoftë, nëse ka një unitet të pashpallur në mes të Prishtinës dhe kryeqendrave kryesore perëndimore se kah duhet të ecën dialogu i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, thuaja të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë me këtë proces, janë të paqarta, të panjohura dhe problematike.

Kështu, nuk është e ditur se sa kohë do të mund të zgjasin këto bisedime.

Mobi Casa

Nuk e di kush se çka mund të ndodhë me to, nëse Beogradi zyrtar vendosë ta zvarritë gjithë këtë proces, dhe të insistojë në marrëveshje për çështje të veçanta, apo, edhe në zbatimin e Marrëveshjeve të arritura në bisedimet e Brukselit (në vitet 2011-2015), teksa dihet që kjo qasje e BE-së ka përjetuar një dështim të pariparueshëm.

Së fundit, kush në këto kryeqendrat perëndimore nuk e di se a është në të vërtetë Presidenti serb Aleksandar Vučić, i gatshëm që brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore (ta zëmë, jo më larg se në vitin 2021), ta bëjë Marrëveshjen me Kosovën, me atë krye-parimin e njohjes reciproke, dhe nëse po, cilat do të jenë kërkesat e tij ndaj autoriteteve të Kosovës, ndaj SHBA-së, BE-së, Gjermanisë dhe Francës për modalitetet e njohjes së Kosovës.

Ka shumë të panjohura këtu, të cilat do të duhej të zbardheshin në ecje e sipër gjatë bisedimeve në vjeshtën e këtij viti, nëse te dy palët do të pajtohen (teksa nuk ka kurrfarë garancish që diçka e tillë është në shqyrtim e sipër në Beograd), që të përqendrohen në thelbin e tyre, e jo në adresimin e temave konkrete, të cilat janë trajtuar shumë herë në të kaluarën e këtij dialogu.

Nëse merren parasysh deklaratat publike të Vučićit në tri vitet e fundit, kur ky ka folur për dialogun me autoritetet e Kosovës dhe për temën e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ai ka arritur që disi të dyzojë vlerësimet dhe analizat të cilat me tone dëshpëruese dhe të një ndjenjeje të një tragjizmit klasik serb, kanë konstatuar faktin që Kosova është humbur (në radhë të parë për shkak të vullnetit të shteteve të mëdha të Perëndimit), me një përpjekje të tij që nga një pozicion goxha të favorshëm ndërkombëtarë, të këmbëngulë në qëndrimin që Serbia nuk mund të humb gjithçka, e Kosova t’i fitojë të tërat, në finalen e këtij dialogu.

Në anën tjetër, Vučić ka insistuar që duhet caktuar kufijtë në mes të serbëve dhe shqiptarëve (dhe jo në mes të Kosovës dhe Serbisë), pastaj, ai ka pohuar që nuk mund ta njeh Kosovën në kufijtë e sotëm (gjë që i ka dhënë frymë spekulimeve që ai do të mund ta bënte atë hapin e duhur në drejtimin e synuar të Prishtinës dhe të Perëndimit, por me kushte të caktuara), por kohëve të fundit, ai vet ka mohuar mundësinë që Serbia ta njeh Kosovën.

Përrndryshe, Vučić vet në takimet me politikanë dhe diplomatë perëndimorë, ka lënë të hapur mundësinë edhe për njohje formale, edhe për atë njohjen faktike në mes të Serbisë dhe Kosovës, që ka si shembull Marrëveshjen në mes të dy Gjermanive, të vitit 1972, e cila i mundësoi Gjermanisë Lindore të bëhet shtet anëtar i OKB-së.

Pra, qasja e Vučićit ndaj temës së përmbylljes së dialogut me Kosovën i përngjet një ’tavoline suedeze’, ku secili mund të marrë atë të pëlqen apo që dëshiron, teksa në fund, nuk dihet fare se çfarë dëshiron të arrijë Vučić dhe Beogradi zyrtar.

Nuk ka thuaja aspak dyshim që Vučić do të zvarrisë sa më shumë që mundet rrjedhën e bisedimeve me përfaqësuesit e Prishtinës, derisa të mos e merr një afat të qartë kohor nga Franca dhe Gjermania se kur Serbia mund të hyjë në BE.

Parisi i sotëm nuk ka kurfarë disponimi ta mirëpret këtë synim të Presidentit të Serbisë, teksa pa boshtin Paris – Berlin, nuk mund të ketë ngjallje të procesit aktualisht të vdekur klinikisht (si thuhet), të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në anën tjetër, Vučić nuk do të kënaqet (siç ka përsëritur shpeshherë kohëve të fundit), vetëm me këtë definim të ’Hartës rrugore’ të Serbisë për në BE. Ai dëshiron edhe koncesion nga pala kosovare, i cili pak a shumë mund të supozohet apo të paramendohet se çfarë mund të jetë (në variantin ideal për te, ai do ta kishte domethënien e ’Përkufizimit në mes të serbëve dhe shqiptarëve’).

Sidoqoftë, në rrethanat e tanishme, kryeqendrat perëndimore, nuk kanë në dispozicion fort as oferta joshëse për Beogradin, dhe edhe më pak leva të ushtrimit të një presioni domethënës ndaj tij.

Neve na anën tjetër, na janë pështjelluar aq shumë punët (dhe na janë bërë lëmsh), saqë vështirë që në një të ardhme të afërt do të mund ta fuqizojmë potencialin vetanak negociator dhe atë të relacioneve tona me kryeqendrat e Perëndimit.

Në përgjithësi pra, nuk duket që dialogu i ri-filluar në muajin korrik në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, do të mund të rrumbullakësohet brenda një viti, me një epilog të synuar të Kosovës dhe Perëndimit.