RCCOLA

Përse produktet shqiptare nuk gjenden në marketet austriake?

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Në shumicën e marketeve në Austri gjenden rafte të posaçme me produkte ushqimore nga Ballkanit Perëndimor, si p.sh nga: Kroacia, Serbia, Mali i Zi etj, por jo edhe me ato nga viset shqiptare, e veçanërisht nga Kosova.

Pse po ndodh kjo? Albinfo.at është përpjekur të gjejë përgjigjen

Përkundër kërkesave të njëpasnjëshme që biznesmenë shqiptarë në Austri kanë bërë ndaj marketeve austriake që t´i pranojnë prodhimet shqiptare në raftet e tyre, kjo gjë nuk ka ndodhur ende. Ata madje as nuk japin arsye konkrete për refuzimin. Kurse, nga Ambasada e Kosovës thonë se takimet me biznesmenët shqiptarë por edhe me zyrtarë, janë të shpeshta, ku pikë kryesore është pikërisht tema për futjen e produkteve ushqimore shqiptare në tregun austriak.

Nexhmedin Ahmeti dhe Mazllum Ademi prej pesë vitesh kanë themeluar kompaninë tregtare të pijeve “Laee Handels GmBH” në Salzburg. Ata janë përfaqësues për Austri dhe Evropë për të gjitha lëngjet e kompanisë “Frutomania” si dhe rakisë “Karl Gega”.

Katër herë të refuzuar nga supermarketet austriake

Nexhmendin Ahmeti thotë për albinfo.at se kanë kërkuar nga supermarketet austriake katër herë që tu jepet mundësia për t´i futur prodhimet e tyre në shitje, por janë refuzuar po aq herë.

“Kemi kërkuar katër herë në thuajse të gjithë supermarketet që operojnë në Austri, si në Spar, me REWE Group (Billa, Penny Markt, Billa Plus), Metro, etj. U kemi dërguar kërkesën bashkë me produkte dhe kemi bërë lutje që vetëm të gjenden disa produkte shqiptare në marketet e tyre, por të gjitha na kanë kthyer përgjigje negative. Me fjalë tjera, nuk na kanë dhënë mundësinë që as ta vazhdojmë më tutje. Sipas përgjigjes së tyre, ata arsyetohen se kanë produkte të ngjashme dhe nuk kanë interes për të sjellë edhe produktet tjera shtesë. Në të njëjtën kohë ata na kanë thënë se për pije i kanë lëngjet nga kompania austriake e lëngjeve “Rauch” dhe nuk kanë interes për lëngje të tjera”, thotë ai.

Ahmeti thekson tutje se kanë provuar edhe përmes “Spar” në Kosovë të krijojë mundësi të lidhet me supermarketin “Spar”, që operon në Austri, por as kjo nuk ka funksionuar.

Megjithatë, Ahmeti ka treguar se kanë gjetur alternativa që të jenë afër konsumatorëve të tyre që kryesisht janë shqiptarë. Ai thotë se produktet e tyre gjenden në markete shqiptare, furra buke dhe biznese tjera ushqimore që udhëhiqen nga pronarë shqiptarë.

Ambasada e Kosovës: Jemi të angazhuar në mbështetje të produkteve “Made in Kosova”

Futja e produkteve ushqimore në tregun austriak ka kohë që është temë diskutimi mes Ambasadës së Kosovës dhe bizneseve shqiptare që operojnë këtu. Të pyetur nga albinfo.at se deri ku është zhvilluar kjo pikë, zyrtarë nga Ambasada e Kosovës kanë dërguar këtë përgjigje:

“Ambasadori i Republikës së Kosovës në Vjenë, z.Lulzim Pllana, në kuadër të angazhimeve të tij të punës dhe në takimet e tij, ka realizuar takime të shumta me institucionet dhe bizneset/marketet austriake, ku në rend dite ka qenë edhe përfshirja e produkteve të Kosovës në bizneset/marketet austriake. Kompanitë shqiptare tashmë kanë edhe kontakte me prodhuesit apo bizneset austriake. Edhe bizneset austriake që janë në Kosovë kontribuojnë drejtpërdrejt për shtimin e prodhimit, apo plasimit të produkteve në tregun evropian apo të Austrisë. Me rëndësi është që produktet tona të dëshmojnë cilësinë, andaj dhe ambasada por edhe institucionet e RKS-së janë të angazhuara në mbështetje të produkteve “Made in Kosova” në arritjen e standardeve të kualitetit të lartë dhe shtimit të prodhimit konform kërkesave të tregut. Varësisht nga kërkesat e marketeve ashtu dhe plasohen produktet, duke pasur parasysh edhe mundësitë e furnizimit të rregullt te tyre”, thuhet në përgjigjen e tyre. Ambasada ka bërë me dije se do të bëjë përpjekje edhe në të ardhmen për të gjetur sa më shpejt një zgjidhje që edhe produktet shqiptare të gjenden në raftet e dyqaneve austriake.

Se takime ka pasur me Ambasadorin Pllana e thotë edhe Nexhmedin Ahmeti, megjithatë, ai shton se arsyeja për mungesën e produkteve ushqimore nga Kosova në tregun austriak qëndron diku tjetër.

Uji Dea

“Nuk kanë asnjë arsye për refuzim të produkteve, sepse të gjitha dokumentacionet e nevojshme dhe certifikatën e cilësisë së prodhimit i posedojmë. Aty mund të ekzistojnë grupe njerëzish që nuk dëshirojnë që produktet tona të jenë të pranishme në këto markete”, ka shtuar ai.

“Limani Markt” furnizues i 130 lokaleve afariste me produkte shqiptare në Austri

Pavarësisht refuzimit të marketeve austriake për të pasur produktet ushqimore shqiptare në raftet e tyre, megjithatë ato mund të gjenden në shumë biznese të shqiptarëve në Austri.

Fadil Limani është ndër të parët tregtarë shqiptarë që ka sjellë produktet shqiptare në Austri. Ai prej tri vitesh ka të hapur një market në Wels dhe që para dy vitesh edhe një tjetër në Vjenë. Por përveç kësaj, Limani ka vite që furnizon me prodhime shqiptare lokale të tjera afariste shqiptare si: restorante, furra buke, institucione fetare, etj.

“Përveç që kemi dy markete, ne furnizojmë edhe 130 lokale tjera afariste shqiptare në Austri. Në fillim konsumatorët kanë qenë më të paktë, por çdo herë numri i tyre është në rritje. Unë mundohem të mbaj artikuj që vërtet kërkohen nga konsumatorët tanë, dhe kjo është edhe arsyeja pse ata besojnë në punën tonë”, thotë ai për albinfo.at

Por, e gjithë kjo nuk është e mjaftueshme. Disa kompani të cilat po ashtu kanë punuar me produkte shqiptare, janë në krizë apo disa të tjera edhe janë mbyllur fare.

Në bisedime të shumta me bashkatdhetarë, albinfo.at ka kuptuar se te bashkatdhetarët tanë është krijuar një bindje që produktet shqiptare në Austri sillen me një çmim të shtrenjtë.

Megjithatë, z. Limani thotë se disa artikuj mund të kenë çmime më të shtrenjta, ndërsa disa të tjera janë më të lira sesa në vendin e prejardhjes.

Disa produkte shqiptare, më të lira se në vendlindje

“Disa artikuj si p.sh. fasulen e Tetovës apo ajvarin e Krushës e kemi me çmim më të lirë sesa këto produkte që shitën në Maqedoni apo Kosovë. Pastaj ju e dini se sa shitet një dozë e Coca Colës në marketet austriake, kurse tek unë ajo shitet me 0.89 cent. Përveç kur janë në aksion, më thoni ku mund ta gjeni një dozë Coca Cola më këtë çmim?”, pyet ai.

Sidoqoftë, Austria vazhdon të jetë një nga mbështetësit kryesorë të Kosovës në shumë fusha. Si një nga shtetet e para që e mirëpritën aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, Austria po ashtu ka ndihmuar edhe drejt shkëmbimit tregtar Kosovë-Austri. Në periudhën 2020-2022 eksportet kosovare drejt Austrisë janë rritur me 120%.

Në rastin e prodhimeve shqiptare në marketet austriake, biznesmenët e kontaktuar nga albinfo.at kanë kërkuar që të bëhet më shumë trysni tek Qeveria e Kosovës që të punojë në drejtimin që t´u lejohet të funksionojnë edhe brenda tregut të brendshëm austriak.

albinfo.ch/perse-produktet-shqiptare-nuk-gjenden-ne-marketet-austriake/