Përplasjet s’e prishin koalicionin

Përplasjet mes zyrtarëve të dy partive më të mëdha në vend, PDK-LDK, kanë filluar të dalin në sipërfaqe si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Ishte zëvendësministri i Financave, Isni Kilaj, nga PDK-ja, i cili deklaroi ditë më parë se në këtë dikaster qeveritar partneri i koalicionit (LDK) ka bërë shumë shkelje dhe një gjë e tillë, sipas tij, ka ndodhur edhe në institucione tjetra.
Kilaj e ka akuzuar ministrin Avdulla Hoti se kohëve të fundit ka bërë punësime të anëtarëve të LDK-së në ministri.
Se ndasitë janë të mëdha brenda këtij koalicioni, flasin edhe akuzat që anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, bëri në drejtim të partnerit të koalicionit, LDK-së. Në një intervistë në mediumin publik, ditë më parë, Haliti ka thënë se njerëzit e LDK-së kanë kontribuar në akuzat ndaj eprorëve të UÇK-së.
Po ashtu ditë më parë, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka shkarkuar dy drejtorë komunalë të PDK-së, pasi që nuk e votuan rishikimin e buxhetit.
Në anën tjetër, shef i asamblistëve të PDK-së në Pejë, Muhamet Haliti, ka thënë se nuk e kanë votuar rishikimin e buxhetit, ngaqë janë zvarritur rreth 500 mijë euro në procedura prokurimi e më pas kanë dashur t’i heqin nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, drejtori me të cilën udhëheq PDK-ja./zeri/