Përleshjet në LDK, reagon Isa Mustafa – tubimet tona po i prishin njerëz të partive tjera
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me lajmet në media për përplasjet e personave nëpër degët e LDK-së.
Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se të gjithë duhet ta dinë se çdo proces zgjedhor i cili nuk respekton Statuin e LDK-së, Rregulloren e zgjedhjeve dhe që nuk është transparent ndaj anëtarësisë nuk do të pranohet.
Ai ka thënë se si Kryetar i LDK-së do të kërkojë nga organet përgjegjëse që ato të anulohen.
“Është e natyrës së mediave publike e private që të prodhojnë lajme, edhe me disa sjellje të papranueshme të disa individëve nga nëndegët e LDK-së. Por s’mund ta kuptoj ngarendjen e këtyre individëve që të prodhojnë lajme me budallallëqet e tyre dhe të njerëzve nga partitë e tjera që prishin tubimet e LDK-së!
Të gjithë duhet ta dinë se çdo proces zgjedhor i cili nuk respekton Statutin e LDK-së, Rregulloren e zgjedhjeve dhe që nuk është transparent ndaj anëtarësisë nuk do të pranohet. Si Kryetar i LDK-së do të kërkoj nga organet përgjegjëse që ato të anulohen.
Për rregullsinë e procesit zgjedhor vendimtare janë dispozitat e Statutit të LDK-së dhe Platforma zgjedhore, e jo konstatimet nga debatet e atyre që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ndryshe është raportuar se një përleshje tjetër ka ndodhur, sot rreth orës 21:00, në LDK-në e Vranjevcit.


