Përkujtohet 50 vjetori i vdekjes së Nolit
Studentët shqiptarë të Universitetit të St. Gallenit mbrëmë organizuan Akademi përkujtimore për 50 vjetorin e vdekjes së Fan Stylian Nolit. Si ligjërues ishte i ftuar historiani dhe autori shqiptar në Zvicër Jon Leka.
Akademinë përkujtimore e hapi kryetarja e shoqatës së akredituar shqiptare pranë Universitetit të St. Gallenit Argona Kajtazi. Mbrëmë në sallën e senatorëve të Universitetit e St. Gallenit u mbajt akademi përkujtimore për 50 vjetorin e vdekjes së Fan Sylian Nolit, njërës nga figurat më të shquara të historisë shqiptare, ashtu siç edhe e nënvizoi që në fillim të fjalës së tij referuesi i parë dhe alumni i këtij Universiteti Faton Musliji. I fundit i bëri një ekskursion jetës dhe veprës së Nolit që nga qëndrimi i tij në Athinë, Aleksandri, Boston e deri në Tiranë e anasjelltas. Si pika qendrore të biografisë së eruditit, përkthyesit dhe politikanit ndër më të mëdhenjtë e historisë u përmendet stacionet si; shtytja e Wodroow Wilsonit për ta përkrahur pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Parisit, anëtarësimin e vendit në Lidhjen e Kombeve, përpjekjen për një kishë autoqefale shqiptare dhe revolucionin e qershorit.
Kontinuitetin e siguroi studenti i marrëdhënieve ndërkombëtare të këtij Universiteti Nol Palushaj, i cili lexoi një tekst të emënakut të tij historik dhe nga aty hapi intervistën me ligjëruesin e ftuar Jon Leka. U fol për sociologjinë e elitave shqiptare, rolin dhe ndikimin e tyre në shoqëritë shqiptare; për transaksionet e mundshme intelektuale në relacionin diasporë – vende të origjinës; mbi kishën autoqefale shqiptare; mbi islamin ndër shqiptarë; demokracinë dhe tema tjera aktuale dhe historike.
Disa nga të pranishmit nuk fshehën zhgënjimin e tyre se pse në akademi nuk kishte më shumë trajtesa të thelluara shkencore mbi Fan Stylian Nolin, çka shfaqi keqkuptimin se disa ftesën nuk e kishin lexuar si „akademi përkujtimore me programin“ siç ishte por si „akademi shkencore“ siç nuk ishte paralajmëruar.
„Ishte organizimi parë i kësaj natyre, natyrisht se nuk ishte i përkryer, por ne jemi shumë të kënaqur me atë se si u zhvillua e sidomos ligjërimi nga i cili fituam një pasqyrë shumë kualitative mbi shoqëritë tona të origjinës“, vlerësoi Argona Kajtazi.
Shoqata zyrtare dhe e akredituar shqiptare pranë Universitetit të St.Gallenit është formuar me 28.11.2012 dhe përfaqëson 80 studentët e saj aktual aty si dhe alumnit./zeri/


