Përkujtohen Taip Zeka e Reshat Sadiku në një vjetorin e vdekjes

Gjilan – Në një vjetorin e vdekjes së veprimtarëve të shquar të lëvizjes kombëtare Taip Zeka dhe Reshat Sadiku, me akademi përkujtimore të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Shoqatës së të Burgosurve Politik, është përkujtuar veprimtaria dhe ideali i përbashkët i këtyre dy figurave patriotike që kanë lënë gjurmë në historinë më të re të Gjilanit përgjithësisht në luftën e tyre për liri.
Me këtë rast në emër të dy shoqatave të pranishmit e shumtë i ka përshëndetur deputeti i Kuvendit të Kosovës Ahmet Isufi, i cili ka spikatur disa nga tiparet e dy veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.
Ai ka thënë se aktiviteti i Taipit dhe i Reshatit, janë dy histori të cilat qëllim kishin çlirimin, lirinë dhe prosperimin e vendit, por edhe rrugëtimin drejt vendeve Euro-Atlantike sepse ajo është meritë e shtetit tonë.
Ndërsa Sami Kurteshi, ka ndarë me të pranishmit kujtimet e tij që kishte me Taip Zekën. Ai sa i përket veprimtarisë së Zekës, ka thënë se Zeka ishte një njeri sikur të gjithë të tjerët, porse vendosmëria e tij qysh nga koha e rinis së tij ishte përherë e përqendruar në rezistencën, organizimin dhe veprimin për çlirimin e vendit.
Nga ana tjetër Sejdullah Kadriu, bashkëveprimtar me Reshat Sadikun, ka thënë se Reshati që ishte i lindur në Malësinë e Bujanocit, pra në Kosovën Lindore, përherë ishte pranë shokëve të tij kudo që ishte qëllimi për çlirim dhe për liri. “Dy këto figura që sot i kujtojmë ishin të rreshtuar edhe në UÇK, dhe shumë veprime të ushtrisë çlirimtare vinin nga iniciativat e tyre. Gjilani është i nderuar që në historinë e tij do t’i spikat emrat e këtyre dy figurave sikur edhe të shumë dëshmorëve dhe të rënëve për liri” tha Kadriu.
Për kujtimin për dy veprimtarët e çështjes kombëtare aktori Ramadan Kurti ka ndarë një pjesë të artit me të pranishmit në kujtim të dy figurave të mëdha të Gjilanit.
E në emër të dy familjeve të pranishmit i ka përshëndetur deputeti i Kuvendit të Kosovës Zenun Pajaziti, i cili ka thënë se organizime të tilla i ndihmojnë familjet që kujtimet e shokëve, por edhe veprimet e tyre tua lehtësojnë edhe më shumë dhembjen që kanë ata për mungesën që më në mesin tonë nuk i kemi këta dy veprimtar të mëdhenj të luftës për liri.
Ndryshe të pranishëm në këtë akademi përkujtimore ishin personalitete nga niveli qendror por edhe ai lokal i qeverisjes, si dhe qindra qytetarë, miq, familjar të dy veprimtarëve./rajonipress/