Përkrahje e Velekincës në adresë të VV!

Gjilan – Lëvizja VV! takimin e radhës e kishte në Velekincë, në paralagjen e qytetit të Gjilanit. Ky takim ishte i karakterizuar me një numër të madh të pjesëmarrësve, që tregon edhe njëherë se interesimi për Lëvizjen VV! edhe në Velekincë si në çdo pjesë tjetër të komunës së Gjilanit.
Ismajl Kurteshi, kandidat për kryetar komune nga Lëvizja VV!, gjatë fjalës së tij ka njoftuar qytetarët me disa prej orientimeve kryesore të programit qeverisës lokal Për Gjilanin si dhe parimet në të cilat do të bazohet udhëheqja e komunës për mandatin e ardhshëm.
Ismajl Kurteshi tha se ne nuk kërkojmë vetëm përkrahjen tuaj pa treguar e pa arsyetuar kërkesën tonë për këtë përkrahje. Për të ndalur të keqën që i është vërsulur qytetit tuaj dhe tonë për vite të tëra, për të ndaluar epideminë e korrupsionit e cila nuk ka të ndalur si në nivelin qendror ashtu edhe në ato lokal, për të mos lejuar fushata ku premtimet nuk kanë të bëjnë fare me realitetin përmbushja e të cilave nuk bëhet as edhe 50 përqind, për të ndaluar punësimin e familjarëve me sms, për të ulur në mënyrë drastike shpenzimet e luksit, e për shumë arsye tjera, ju si qytetarë të Gjilanit, duhet që të përkrahni Lëvizjen VV!
Problemet në komunën e Gjilanit veçse janë të ditura edhe për ju. Në bashkëpunim me përfaqësuesit e Velekincës, ku ne për shkak të shtrirjes gjeografike dhe të interesit të madh të banorëve kemi formuar dy Pika, kemi identifikuar problemet me të cilat përballen banorët e Velekincës. Problemet më prioritare të Velekincës fillojnë nga trotuari, ndriçimi publik, mungesa e terreneve sportive në shkollë e të tjera.
Problemet me arsim nuk paraqiten vetëm në Velekincë apo në ndonjë fshat tjetër të komunës së Gjilanit. Tani nga tetori ka filluar punën universiteti publik i Gjilanit, që parimisht nuk ka kurrfarë të keqe. “Përveç tabelës ku shënon emri nuk janë bërë ndryshime, e kur kjo kombinohet me stagnimin në ndërtimin e bibliotekës rajonale që do të thotë mungesë e hapësirave për mësim e studim, cilësia në arsim sigurisht që nuk do të ndryshojë”- ka theksuar Kurteshi.
Kandidatë për asamblenë komunale nga Velekinca, për VV! është Nexhat Neziri, ka siguruar bashkëvendësit e tij se ai bashkë me ta do të jetë zëri për problemet dhe hallet e tyre në asamblenë komunale po edhe në organet tjera komunale. “Mesazhi im për ju si përkrahës të Lëvizjes VV! dhe përkrahës të qytetit të Gjilanit, është që të mbështetni alternativën e vetme të mbetur Për Gjilanin, kandidatin e ndryshimeve Ismajl Kurteshin dhe zërin e përfaqësuesin tuaj më të mirë në asamblenë e Gjilanit”- ka shtuar Neziri.
Qytetarët e Velekincës ishin shumë të interesuar për komunikim me kandidatin për kryetar komune si dhe me kandidatin për asamble nga fshati i tyre. Disa nga problemet e ngritura prej tyre ishin veçse të përfshira në programin që Lëvizja VV e ka hartuar për çdo vendbanim në komunën e Gjilanit.
Ata ishin të kënaqur që kishim mundësinë për të adresuar mllefin e tyre drejtë individëve që i dëgjojnë, i marrin seriozisht dhe e ndajnë në një mënyrë apo tjetër dhimbjen me ta./rajonipress/