UBT

Përkrahja për radikalin e përbetuar

/ 6 minuta lexim

Nga Arbana Xharra – Aleksandar Vuçiq, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i nacionalistit radikal Vojsllav Sheshelit, i emëruar zëvendëskryeministër i parë i Serbisë, është duke e fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Ai ka zgjedhur një lojë, e cila njëkohësisht është duke ia rritur popullaritetin brenda Serbisë dhe njëkohësisht duke e bërë të pashmangshëm në raport me ndërkombëtarët, në radhë të parë me BE-në dhe SHBA-të. Si ish-nxënës i Sheshelit, ai ka besuar në ideologjinë e tij.

Vuçiq deri diku ka qenë edhe familjarisht i “përgatitur” për t’u bërë nacionalist. E ëma e tij, me profesion gazetare, ka punuar në televizionin e Novi Sadit dhe më vonë në Radio Televizionin e Serbisë. Kur ky televizion në pranverë të vitit 1999 u bombardua nga forcat e NATO-s, e ëma e Vuçiqit shpëtoi. I ati i tij është me origjinë nga Bosnjë e Hercegovina. Gjatë Luftës së Dytë Botërore një pjesë e familjes së tij ishte vrarë nga kolaboracionistët kroatë të nazistëve. Vuçiq, duket se që në fëmijëri është brumosur me urrejtje ndaj popujve të tjerë.

Aktualisht Vuçiq është politikani më i popullarizuar në Serbi. Ai drejton Ministrinë e Mbrojtjes, është sekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe – kjo është më e rëndësishmja – ai në fakt kontrollon të gjitha shërbimet sekrete të Serbisë. Këto pozita atij i mundësojnë të ketë informata të dorës së parë si për rivalët politikë, ashtu edhe për partnerët e koalicionit, në radhë të parë Partinë Socialiste të Ivica Daçiqit. Prej se Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit dhe kryetarit serb Tomislav Nikoliq ka ardhur në pushtet, vazhdimisht me bujë janë paralajmëruar dhe janë kryer disa aksione kundër të dyshuarve për korrupsion. Këto aksione, shpeshherë edhe populliste, ia kanë rritur popullaritetin në opinion Vuçiqit.

Sukseset, sado sipërfaqësore, në luftën kundër korrupsionit i kanë siguruar Vuçiqit reputacion edhe jashtë vendit. Ai është pritur në Uashington dhe në Berlin, madje në kryeqytetin gjerman ai është pritur edhe nga këshilltari kryesor për politikë të jashtme të kancelares, Angela Merkel. Në këtë mënyrë amerikanët dhe gjermanët janë përpjekur që Vuçiqin ta përfitojnë edhe si partner në zgjidhjen e çështjeve të hapura të Serbisë me Kosovën.

Kësaj i kanë paraprirë dy aksione të autoriteteve serbe, prapa të cilave supozohet se qëndron Vuçiqi. Para disa muajsh është arrestuar oligarku i madh transballkanik Mirosllav Mishkoviq, i cili që nga koha e sundimit të Slobodan Millosheviqit gëzonte privilegje shtetërore për të zgjeruar perandorinë e tij ekonomike. Si shumë oligarkë serbë edhe Mishkoviqi konsiderohej i paprekshëm.

RCCOLA

Ai, në fakt, me vite të tëra ishte përmbi shtetin dhe pa pëlqimin e tij nuk mund të privatizohej gati asgjë në Serbi. Vuçiq theu tabunë në këtë drejtim dhe duke e futur në burg Mishkoviqin synoi t’i tregojë opinionit se askush nuk qëndron mbi ligjin. Mbetet të shihet nëse kjo do të vlejë edhe në të ardhmen. Aksioni i dytë apo veprimi i dytë në fakt është paralajmërim: Vuçiq ka bërë të ditur se i gjithë procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike në Serbi, do t’i nënshtrohet vlerësimit. Më herët edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar që mbi dhjetë privatizime në Serbi, të hetohen për shkak të dyshimeve për keqpërdorime.

Vuçiq edhe personalisht ka dhënë shembull se dëshiron të ndajë qartë angazhimin publik dhe politik me jetën e tij private. Për t’i shpëtuar secilit skandal të mundshëm, vitin e kaluar, kur i është diagnostifikuar bashkëshortja me kancer, dhe shteti i ofroi ndihmë financiare, ai e refuzoi atë, duke e shitur banesën dhe duke marrë kredi për të paguar operacionin. Lufta e Vuçiqit nuk drejtohet vetëm kundër biznesmenëve të dyshimtë. Ai tashmë ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi prej secilit ministër për punën e tij. Në këtë mënyrë Vuçiq është duke punuar hap pas hapi edhe për dobësimin e Partisë Socialiste të Ivica Daçiqit, i cili ndonëse kryeministër nuk është më figura qendrore e qeverisë, për shkak se dyshohet të ketë mbajtur kontakte me persona nga qarqet mafioze.

Vuçiq në fund të viteve 90-të ka qenë ministër për informata në qeverinë e atëhershme luftënxitëse serbe. Ai është i njohur për fjalime nacionaliste, për kërcënime ndaj boshnjakëve, nuk ka ngurruar që NATO-n ta quajë organizatë terroriste dhe Rusinë partner të përjetshëm të Serbisë. Ardhja në pushtet i ka ndihmuar deri diku Vuçiqit ta kuptojë realitetin. Realiteti në Serbi sa i përket ekonomisë është pak a shumë i ngjashëm me vendet e mëdha të Ballkanit: vendi është i përfshirë nga kriza dhe shpëtimi më i logjikshëm është brenda Bashkimit Evropian dhe jo me premtime jorealiste për aleancë me Rusinë.

Ditët dhe javët në vijim do të tregojnë sa ka ndryshuar vërtet Vuçiqi. Sidoqoftë, me retorikën e tij kundër korrupsionit dhe disa aksione ai ka arritur të pozicionohet si partner i Perëndimit. E njëjta nuk vlen për qeveritarët e Kosovës. Ata përgjohen nga misioni i BE-së për sundimin e ligjit dhe trajtohen si të padenjë për të luftuar korrupsionin, sepse janë të dyshuar si të kyçur në afere korruptive. Kështu krijohet situata absurde, kur një ish-radikal serb, një nacionalist luftënxitës shndërrohet në partner të Perëndimit, ndërsa “çlirimtarët” e Kosovës jo. Për këtë ata duhet ta fajësojnë vetveten dhe mënyrën pothuaj kriminale të qeverisjes së Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë dhe marrjes së pushtetit nga Partia Demokratike e Kosovës.